info@hibrid.info
Tituj favorizues në media gjatë fushatës zgjedhore lokale
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Me afrimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, vëmendja e publikut është fokusuar në kandidatët që garojnë për kryetar komunash dhe ata për asamble komunale. Në këtë kontekst, mediat luajnë një rol kyç jo vetëm në informimin e qytetarëve, por edhe në formësimin e perceptimeve për kandidatët. Një fenomen i dukshëm gjatë kësaj fushate janë titujt favorizues, që mund të krijojnë një imazh pozitiv për një kandidat të caktuar, shpesh pa një bazë të qartë faktike.

Gjatë hulumtimit nga Hibrid.info, vetëm në datën e 5 tetorit janë hasur artikuj në titujt e të cilëve janë vërejtur favorizime për kandidatë të caktuar, të cilët po garojnë për pozitën e kryetarit nëpër disa komuna. Në tre tituj kryesisht pretendohet për mbështetjen e madhe të cilën po e marrin kandidatë të caktuar (shih këtu, këtu dhe këtu). Përmbajtjet raportojnë për ndonjë aktivitet të caktuar të ndonjë kandidati, në bazë të të cilit paraqitet pohimi në titull rreth mbështetjes që ata gëzojnë, duke favorizuar kandidatin për të cilin është raportuar.

Karakteristikë e këtyre artikujve është se pohimet e paraqitura në titull, nuk deklarohen në përmbajtje nga asnjë burim dhe se nuk bazohen në asnjë fakt konkret apo e dhënë me ndonjë shifër e cila do të shërbente si masë konkrete e përkrahjes që ata mund të kenë.


Një titull tjetër shembull tipik i titujve favorizues ndaj një kandidati është artikulli me titullin, “Fushata e LDK-së në Llap: ‘Doki’ me tupan largon Bulliqin nga Podujeva”. Në këtë titull sugjerohet rezultat pa prova kur jepet pohimi “largon Bulliqin” duke ofruar një efekt konkret në favor të kandidatit pa ofruar të dhëna ose fakte të bazuara në sondazhe. Ky titull mund të perceptohet si mbështetje për kandidatin për të cilin është raportuar.

Edhe në këtë titull, pohimi i paraqitur në titull nuk është deklaruar nga subjekti për të cilin raportohet.


Një shembull pak më ndryshe është artikulli i titulluar, “Alban Hyseni prezanton arrritjet e shumta brenda mandatit 4-vjeçar, duke e transformuar Gjilanin”. Artikulli është bazuar në fjalët e subjektit për të cilin është raportuar dhe prezanton arritjet e tij, pa dhënë të dhëna të pavarura ose burime që i vërtetojnë ato.

Pohimi për “transformimin e Gjilanit” është gjykim subjektiv i autorit. Aty nuk ka koment nga burime tjera të cilat do ta balanconin pohimin e paraqitur në titull. Artikulli gjithashtu nuk vendos arritjet në kontekst krahasues me periudha të mëparshme, standarde apo projekte të ngjashme në komunat e tjera.


Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, subjektet politike janë të lira të bëjnë fushatë dhe marketing në media, për sa kohë kjo bëhet në përputhje me rregullat ligjore.

Ndërkaq, Kodi i Mediave të Shkruara përcakton se reklamat, materialet politike apo të sponsorizuara duhet të jenë qartë të dallueshme nga përmbajtja editoriale.

Në rastet e analizuara, titujt nuk e bëjnë qartë dallimin mes përmbajtjes promovuese dhe asaj informative, pasi përmbajtjet janë publikuar në formë lajmesh.

Në bazë të metodologjisë së vlerësimit nga Hibrid.info, përmbajtjet informative ku vërehet qartë se bëhen favorizime të fakteve, qëndrime dhe përfundime që përputhen me një narrativë të veçantë, shpesh duke mos respektuar rregullin e kontaktit me palën tjetër, vlerësohen si “Raportim i njëanshëm”.

Share With Others