[email protected]
Titull përgjithësues që nuk sqaron se ngjarja ka ndodhur në Angli
shape
shape
shape

Një portal informativ me përmbajtje në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull me titull “E rëndë/ Gjendet e pajetë një foshnjë e porsalindur në tualetin e një lokali, dyshohet se…”.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja dhe se fotografia e publikuar nga ky portal nuk ka të bëjë me rastin e ndodhur.

Lajmi qartësohet vetëm në fund të artikullit, ku thuhet se “DCI James Entwistle, nga Policia e West Yorkshire, i bëri thirrje urgjentisht nënës që të kontaktojë me ta ose të kërkojë ndihmë mjekësore”.

Nisur nga fakti që ky portal informativ është i regjistruar në Shqipëri (shih këtu) dhe përmbajtjet e publikuara nga ky portal janë në gjuhën shqipe, titulli në fjalë, lë vend për keqinformim te lexuesit se ngjarja ka ndodhur në ndonjë shkollë në një nga vendet shqip-folëse.


Vegëza e artikullit të publikuar nga portal “Sot.com.al”:

https://sot.com.al/bota/e-rende-gjendet-e-pajete-nje-foshnje-e-porsalindur-ne-tualetin-e-nje-lokali-i639099?fbclid=IwAR0_WbXMgwnt-19SdeogUhaoMCWnu-fF3vU5CTZZLq2JGaGhfoACisFTlNs


Hibrid.info, ka gjetur artikullin e publikuar nga mediumi britanik “BBC News”, ku tregohet se ky rast ka ndodhur në Leeds të Anglisë. (shih këtu)

Gjatë kërkimeve në internet, hibrid.info ka gjetur edhe artikullin origjinal ku tregohet origjina e foshnjës në fotografinë e përdorur nga portali “Sot.com.al”. Në këtë artikull të publikuar nga mediumi i huaj “The Guam Daily Post”, tregohet se kjo foshnjë është braktisur në një shtëpi në fshatin Dededo të Guamit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018. (shih këtu)


Kjo fotografi e foshnjës nga Guami, është përdorur edhe nga mediat shqip-folëse si fotografi ilustruese për ngjarjen e ndodhur në Shqipëri në nëntor të vitit 2023, ku një foshnjë ishte braktisur në një garazh në Tiranë. (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se një portal informativ në gjuhën shqipe, ka publikuar një artikull për një ngjarje të ndodhur në Angli, por që në titull nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja, nënkuptuar mundësinë e ngjarjes në territorin e ndonjërit prej shteteve shqip-folëse në rajon për shkak të audiencës që ka.

Përveç titullit, këtij artikulli i është bashkëngjitur edhe një fotografi jo adekuate, e cila pas hulumtimit është vërtetuar se i takon një ngjarjeje të vjetër të ndodhur në Guam, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.


Arsyetimi:

“Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others