[email protected]
Titulli dhe fotografia krijojnë përshtypje të gabuar se lajmi vjen nga Kosova
shape
shape
shape

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar dje (23 tetor) një artikull në faqen zyrtare në Facebook, me mbishkrimin “Pas grevës mësuesit do të paguhen edhe me pula!”.

Këtij postimi i është bashkangjitur fotografia me tekstin “Mësuesit do të paguhen me pula”, ndërsa në të janë vënë edhe ditarë të shkollës në të cilët shkruan shqip “Ditari i klasës”.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se këto pretendime në këtë artikull nuk e bënë të qartë lajmin në përmbajtje. Gjithashtu ato nuk qartësojnë vendin apo shtetin e origjinës së lajmit.

Kjo bëhet e qartë vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se në një qytet të Uzbekistanit, mësuesit e shkollave paguhen me pula dhe jo me të holla.

Duke pasur parasysh se ky portal është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), një titull i tillë përgjithësues dhe me një imazh të tillë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të hamendësojnë se lajmi ka të bëjë me Kosovën.


Vegëza e artikullit të publikuar në Facebook nga portali “Kosova-sot.info”:

https://www.facebook.com/kosovasotnr1/posts/pfbid0Hs84W39m1VzJqHoF8DCStJtd8iDFFpvxxkkyz7SPyU8qhH2yVBz8YXXeY6rJRtRYl


Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:

Sipas raportimeve të mediave të huaja, në një qytet të Uzbekistanit, mësuesit e shkollave paguhen me pula dhe jo me të holla.

Autoritetet në Nukus, në Republikën autonome të Karakalpakstan, kanë shpërndarë pula dhe disa zogj të sapo çelur, për shkak të mungesës së parave në bankat e vendit, shkruanBBC.


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin e publikuar në vitin 2016 në mediumin britanik “BBC”. (shih këtu)

Pra, “Kosova-sot.info” ka publikuar artikull të vjetër (2016) të cilit i ka vënë titull dhe fotografi jo adekuate, me pretendimin ta paraqesë atë si lajm aktual e që ka të bëjë me Kosovën.

Përmes këtij postimi, mediumi në fjalë duket se e ka ndërlidhur këtë lajm të vjetër me kontekstin aktual të zhvillimeve, siç ishin grevat e mësimdhënësve në Kosovë.

Hibrid.info ka trajtuar artikullin e mediumit britanik BBC, i cili është ri-publikuar i përkthyer nga “Kosova-sot.info”. Artikulli i BBC është i publikuar në vitin 2016 dhe rrëfen një ngjarje jo të zakonshme në Uzbekistan, kryerjen e pagesave mujore ndaj mësimdhënësve atje me pula e zogj. Megjithatë, ngjarja e vitit 2016 në Uzbekistan, me aq sa mund të kuptohet nga artikulli i BBC, nuk ndërlidhet me ndonjë grevë të mësimdhënësve, siç pretendohet në përshkrimin e artikullit të “Kosova-sot.info”.


Detajet nga artikulli i publikuar në BBC:

Autoritetet në Nukus, në Republikën autonome të Karakalpakstanit në Uzbekistan, kanë shpërndarë zogj të sapolindur për shkak të mungesës së parave në bankat e vendit, raporton Radio Ozodlik e mbështetur nga SHBA. Një mësues e përshkruan vendimin si të “turpshëm”, duke thënë për radion: “Vitin e kaluar na paguan me patate, karrota dhe kunguj. Këtë vit po na detyrojnë të marrim pula të porsalindura në vend të pagave tona. Nëse kemi nevojë për pula, mund t’i blejmë ato. nga një treg me një çmim shumë më të lirë.


Futja e fjalës grevë në titull është bërë vetëm në postimin e “Kosova-sot.info”, si përpjekje për ta kontesktualizuar me grevën e fundit në Kosovë. Këtë kontekstualizim, autori i këtij posti e ka bërë edhe me detaje tjera, si fotografia që paraqet imazhe të dy ditarëve të shkollës më mbishkrim në shqip “Ditari i Klasës”.


Analiza:

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull të vjetër të vitit 2016 të marr nga “BBC”, në të cilin shkruan në një qytet në Uzbekistan, mësuesit janë paguar me pula dhe jo me para në dorë për shkak të mungesës së parave në bankat e vendit.

Mirëpo, ky portal i lartcekur në përshkrimin e këtij artikulli nuk tregon se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje, ndërsa edhe në fotografinë e vendosur shihen ditarë të shkollës në të cilët shkruan shqip “Ditari i klasës”.

Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se një lajmi ka të bëjë me ndonjë zhvillim në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others