[email protected]
Syla nuk ka e ka thënë atë që pretendohet në artikullin e “specialja.com”
shape
shape
shape

Portali i dyshimtë online “specialja.com”, ka publikuar një artikull me titull të pavërtetë, përmes së cilit pretendohet se gazetari Valon Syla i ka quajtur “mërgimtarët hajvana” dhe se atyre duhet tu mos u lejohet që të votojnë në Kosovë.

Titulli i këtij artikulli “Valon Syla: Mërgimtarët (hajvanat) nuk kanë pse të votojnë në Kosovë, a jam i qartë?”, del të jetë i pavërtetë dhe i sajuar. Ky titull, në fakt është shkëputur nga një intervistë që Syla e kishte dhënë për portalin “reporteri.net” më 27 dhjetor, por “specialja.com” e ka ndryshuar dhe devijuar kontekstin e pohimit të Sylës. Pra titulli i “specialja.com”, nuk paraqet përmbajtjen e artikullit dhe atë që në fakt e ka thënë ai.

Artikulli i publikuar nga “Specialja.com”:

“Gazetari Valon Syla që u rrah ditë më parë nga një kosovar që jeton në Zvicër, pas pas disa shkrimeve të tij për diasporën, thotë se kjo e fundit nuk duhet të votojë në zgjedhjet komunale në Kosovë.

‘Mendoj se në zgjedhje lokale duhet të mos kenë të drejtë vote, problemi është te vota me postë, që shumë lehtë mund të falsifikohet, sepse nëse një person që i diasporës i mbledh letërnjoftimet e i çon 6 vota edhe i çon me postë, e ndryshe nëse shkon deri në Ambasadë ose Konsullatë voton me dokumente të Kosovës, e që kjo do të ishte më e drejtë. Jam kundër votës me postë se kemi edhe shumë serb që votojnë në të njëjtën mënyrë që do të mund të ndikonte në sigurinë e vendit’, thotë Syla në REPORTERI”.

Përkundër që gazetari dhe pronari i portalit GazetaMetro.com, Valon Syla njihet në opinion për qëndrimin e tij kundërshtues ndaj Diasporës kosovare, ai në intervistën të cilës i referohet ky artikull i “specialja.com”, nuk e ka bërë një pohim të till, siç pretendohet rrejshëm në titull.

Vegëza e artikullit në “Specialja.com”:

https://specialja.com/lajme/2020/12/28/valon-syla-mergimtaret-hajvanat-nuk-kan-pse-te-votojne-ne-kosove-a-jam-i-qarte/?fbclid=IwAR3LumO5GLX4Pcxwdeo6JtAmFNOPrqwJBjPeRTw_pj_mdjQjFbs-Vk4K1Y0

Syla në intervistën e dhënë për reporteri.net kishte ngritur një temë rreth të drejtës së kosovarëve që jetojnë jashtë vendit, për të votuar në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Vegëza e intervistës së Valon Sylës në reporteri.net:


Në fakt, kundër këtij artikulli, ka reaguar edhe vet gazetari Syla përmes profilit të tij në Facebook, duke thënë:

“Pse po rreni? Pse po nxisni urrejtje? A su bo boll?”


Analiza:

Artikulli i “specialja.com” ka titull të sajuar, i cili është shkëputur nga një intervistë e gazetarit Valon Syla dhe është ndryshuar, duke e shkëputur nga konteksti. Pra ky titull është i pavërtetë duke qenë se Syla nuk e ka thënë atë që pretendohet në titull. Një artikull i tillë dezinformon audiencën. Arsyet e publikimit të një artikulli të tillë mund të jenë të ndryshme, por duke qenë se artikulli në fjalë përmban reklamë brenda përmbajtjes, atëherë mund të thuhet se qëllimi kryesor i vendosjes së një titulli të tillë të pavërtetë dhe nxitës, është shtimi i numrit të klikimeve, në mënyrë që të përfitohet nga klikimet e lexuesve. Për këtë arsye, hibrid.info e kategorizon këtë artikull si “clickbait”.


Arsyetimi:

“Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others