[email protected]
Titulli nuk e qartëson lajmin, për të lënë hapësirë për keqinformim
shape
shape
shape

Portali “kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “24-vjeçari dhunohet për vdekje”.

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, rezulton që me këtë titull të vendosur, mund të ketë tendencë të dezinformimit të lexuesve, pasi ngjarja ka të bëjë me shtetin e Spanjës, e një gjë e tillë nuk bëhet e ditur në titull.

Duke pas parasysh se portali “kosova-sot.info” është në gjuhën shqipe dhe shumicën e lexuesve i ka kosovarë, përfshirë këtu edhe faktin që titulli i artikullit është përgjithësues, i cili nuk qartëson se ku ka ndodhur ngjarja, mund që shumë lehtë t’i dezinformojë lexuesit, duke aluduar se ngjarja ka ndodhur në Kosovë.

Gjithashtu, fotografia e artikullit nuk përputhet me përmbajtjen në tekst, pasi në të shihet shiriti i policisë, në të cilin shkruan shqip “SKENE KRIMI MOS KALO”.

Pjesë nga teksti i artikullit të publikuar në “kosova-sot.info”:

Spanja është përfshirë në protesta pasi një i ri homoseksual u rrah për vdekje fundjavën e kaluar në një sulm të dyshuar homofobik.

Turmat mbushën sheshin qendror të Madridit dhe aktivistët marshuan në rrugët e Almerisë dhe qytetit verior të Coruna’s, ku ndodhi krimi duke brohoritur dhe duke tundur flamujt me ngjyrë ylberi.

Vegëza e artikullit të publikuar në “kosova-sot.info”:

https://www.kosova-sot.info/lajme/555774/24-vjecari-dhunohet-per-vdekje/


Analiza:

Në titullin e këtij artikulli nuk bëhet e ditur se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja, dhe duke ditur se ky portal është në gjuhën shqipe dhe shumicën e lexuesve i ka kosovarë, shumë lehtë mund t’i dezinformojë ata duke menduar se ngjarja ka të bëjë me Kosovën.

Edhe me anë të fotografisë së vendosur në artikull, ka tendencë të dezinfomimit të lexuesve, pasi në të shihet shiriti i policisë, në të cilin shkruan shqip “SKENE KRIMI MOS KALO”. Pra, as titulli e as fotografia nuk i përgjigjen përmbajtjes, pasi nuk qartësohet se bëhet fjalë për ngjarje në Spanjë.

Pas analizës së kontrollit të fakteve përmes metodologjisë së punës, hibrid.info e velrëson këtë artikull si “clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others