[email protected]
Rishikimi i javës: Manipulim i fakteve rreth kërcënimit të Kurtit dhe tërheqjes së ushtarëve turq të KFOR-it, lajm i rremë me deklaratë të Xhakës, dezinformata rreth luftës në Ukrainë
shape
shape
shape

Java që shkoi u karakterizua më dominimin e përmbajtjeve clickbait në ekosferën keqinformuese në Kosovë.

Përmbajtjet clickbait kishin të bënin me vdekje, aksident, arrestimin e një aktori, për konfiskimin e veturave të Burdushit, për ndalimin e hyrjeve në shkolla të vajzave myslimanë me veshje islame, të cilave në titull u vendoset titull përgjithësues ku nuk bëhet e ditur për vendndodhjen e ngjarjes apo për kë bëhet fjalë.

Dezinformatat ndërlidheshin me pretendimin se presidenti rus Vladimir Putin kishte marrë pjesë në funeralin e Yevgeny Prigozhin, rekrutimin e ushtarëve ukrainas, me pretendimin se Zvicra kërkon punëtorë.

Manipulim të fakteve kishim lidhur me kërcënimin ndaj kryeministrit Kurti dhe rreth tërheqjes së ushtarëve turq të KFOR-it.

Lajm i rremë se Xhaka të ketë thënë “nuk kam zemër të shënoj ndaj Kosovës nesër”.

Teori konspirative nga Alfred Cako dhe interpretimi i episodit të “The Simpsons” ku bëhet fjalë për filmin “Vjeshtë Kosovar”.

Gabim në raportimin e ndeshjes Shqipëri-Çeki.

Clickbait

Portali informativ “Botasot.info” ka publikuar një artikull me titull “Foshnja 1 muaj e gjysmë gjendet e vdekur në krevat, kishte djegie dhe mavijosje”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues që nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Duke parë se portali në fjalë është i regjistruar në Kosovë (shih këtu), si dhe në bazë së të dhënave në faqen e mediumit në Facebook, ku shihet se ndjekësit e faqes janë kryesisht shqipfolës, kjo pa qartësi e vendndodhjes së ngjarjes në titull, lë të nënkuptojë se ajo ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull në lidhje me një aksident në autostradën “Milos Veliki” në Serbi, por që në titullin e artikullit nuk bëhet e ditur vendndodhja e ngjarjes. Për shkak se portali informativ “Kosova-sot.info” numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova, mos-saktësimi i vendndodhjes së ngjarjes në titull, nga ky portal, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Kosovë. (këtu)

Portali informativ “Insajderi.org” ka publikuar artikull me titull “Arrestohet aktori i njohur, dyshohet për sulm seksual”. Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në përmbajtje, hibrid.info ka vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk sqaron se aktori i cilit shtet është arrestuar. Duke e ditur se ky portal informativ shumicën e lexuesve i ka shqipfolës, kjo mund t’i dezinformojë lexuesit se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

“FrontOnline.net” ka raportuar për një veturë të konfiskuar nga shteti i Kosovës, e cila ishte në pronësi të mjekut popull Hysri Peqanit – Burdushit, dhe që e njëjta tashmë po shfrytëzohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, por në titullin e këtij artikulli pretendohet se ajo është marrë nga ministri i këtij institucioni, Xhelal Sveçla. Mirëpo, në përgjigjen e MPB dhënë për këtë portal informativ thuhet se vetura po përdoret për nevojat e Ministrisë, pas kërkesës së bërë në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar. (këtu)

Portali informativ “kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Shkollat ua ndalojnë hyrjen 67 vajzave me veshje myslimane”. Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në përmbajtje, hibrid.info ka vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk sqaron se në cilin shtet janë ndaluar të hyjnë në shkollë 67 vajza me veshje myslimane. Përkundër faktit që ky portal lexuesit parësorë i ka nga Kosova, mosdhënia e informacioneve për vendndodhjen e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit e vet, duke i bërë të mendojnë se ngjarja kanë ndodhur në Kosovë, ashtu siç është vërejtur nga komentet e lexuesve në postimin e lajmit në Facebook. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull në lidhje me vdekjen e një personi në Itali, por që në titullin e artikullit nuk është specifikuar vendndodhja e ngjarjes. Mediumi online “kosova-sot.info”, i cili është portal, që vepron në Kosovë duke u bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Prandaj, mos-saktësimi se ku ka ndodhë ngjarja në titull, nga ky portal, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Kosovë. (këtu)

Dezinformatë

Disa faqe në Facebook dhe rrjetin social X (ish Twitter) kanë publikuar një video-material me pretendimin se presidenti rus Vladimir Putin kishte marrë pjesë në funeralin e Yevgeny Prigozhin, ish liderit të grupit mercenary “Wagner”. Në video-materialin e shpërndarë në mediat sociale shihet presidenti rus duke vendosur lule në një arkivol, duke përshëndetur njerëzit dhe duke bërë respekt mbi një arkivol të hapur përpara se  përfundimisht të hyjë në limuzinën e tij. Në sekondat e fundit të videos, Putini shihet duke u larguar i vetëm. Pas kontrollit të fakteve nga Reuters është gjetur se video materiali nuk tregon Putinin në funeralin për Prigozhin. Video materialit është i vitit 2013, ku Putin kishte marrë pjesë në funeralin e trajnerit të tij të xhudos, Rakhlin. (këtu)

“Investiguesi Shkrimor”, një llogari me përmbajtje propaganduese në gjuhën shqipe në Facebook, ka publikuar një postim, ku me anë të një fotografie dhe një video-materiali të shkurtër, pretendon se “Kudo që shkojnë ukrainasit, ata largohen – Hibrid.info pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, ka gjetur njoftimin zyrtar të publikuar në ueb-faqen e  Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, ku sqarohet se 12 personat janë arrestuar pasi të njëjtit janë paraqitur si turistë duke mos shpjeguar arsyen e kalimit të kufirit, ndërsa 2 prej tyre kanë tentuar të kalojnë pikën e kontrollit në këmbë. (këtu)

“Investiguesi Shkrimor”, një llogari me përmbajtje propaganduese në gjuhën shqipe në Facebook, ka publikuar një postim, ku me anë të një video-materiali të shkurtër, pretendon se “Autoritetet e Kievit rekrutojnë çdo njeri që mund të gjejnë në rrugë, sheshe, supermarket”. Pas verifikimit të përmbajtjes së publikuar nga kjo llogari, shihet se personi i veshur në rroba ushtarake krijon video satirike që në vete përmbajnë humor. Pra, llogaria “Investiguesi shkrimor” këtë video satirike e ka publikuar si diçka reale me pretendimin se rekrutimi i ukrainasve në ushtri po ndodhë dhunshëm edhe nëpër rrugë. (këtu)

Faqja në Facebook “Atdheu Lajm” ka publikuar një artikull me titull “Zvicra kërkon punëtorë – ja punët që kërkohen pa diplomë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli nuk korrespodon me përmbajtjen. Në përmbajtje sqarohet se bëhet fjalë për pesë profesione në Zvicër, të cilat nuk kërkojnë diplomë, por që kanë kritere të tjera. (këtu)

Manipulim i fakteve

Disa portale informative kanë publikuar artikullin me titull ““Misioni u përmbush me sukses”- Ushtarët turq të KFOR-it nesër largohen nga Kosova”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli nuk korrespondon me përmbajtjen. Titulli i këtij artikulli bën të kuptohet se bëhet fjalë për të gjithë ushtarët turq të KFOR-it, ndërsa në përmbajtje qartësohet se Turqia tërheqë nga Kosova ushtarët rezervë, të cilët erdhën në qershor të këtij viti në përgjigje të kërkesës së NATO-s pas tensioneve të fundit në veri. (këtu)

Disa media në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me pretendimin në titull se profili me emrin “Severna Brigada” kërcënon me jetë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Pas verifikimit të përmbajtjes së postuar në Facebook nga profili “Severna Brigada” është gjetur se përmbajtja nuk nënkupton decitivisht kërcënim me jetë për Kurtin, siç pretendohet në titull. (këtu)

Lajm i rremë

Faqja në Facebook “Gazeta Aktuale” ka publikuar imazhin e Granit Xhakës me mbishkrimin që pretendon se futbollisti është deklaruar se “nuk kam zemër të shënoj ndaj Kosovës nesër”. Por që hibrid.info ka hulumtuar dhe nuk ka gjetur fakte dhe dëshmi të besueshme, se një deklaratë e tillë ka ardhur nga futbollisti i lartpërmendur. (këtu)

Teori konspirative

Konspiracionisti shqiptar, Alfred Cako në një postim në profilin e tij në Facebook ka pretenduar se këto dy javët e fundit na pret një luftë e madhe, dhe se këto javë do na hedhin helm gjarpri me avionë. Këto parashikime konspiracioniste të Cako-së nuk bazohen në fakte konkrete dhe burime kredibile. (këtu)

U pretendua se episodi i vitit 2005 i serialit The Simpson ku bëhet fjalë për filmin “Vjeshtë Kosovar” ku shihen dy ushtarë në skenë, parashikon luftë në Kosovë gjatë vjeshtës së këtij viti. Nuk ofrohen fakte që dëshmojnë se The Simpsons parashikuan një luftë në vjeshtë siç pretendohet. (këtu)

Gabim

U pretendua në titullin e artikullit të portali informativ “inlajmi.com” të publikuar më 7 korrik  se kombëtarja e Shqipërisë, kishte fituar në ndeshje kundër Çekisë dhe kështu kishte një pikë më shumë se ajo në tabelën e pikëve. Por faktet tregojnë se, Shqipëria nuk e fitojë ndeshjen kundër Çekisë, por ndeshja u mbyll me rezultat të barabartë, dhe në tabelën e pikëve ajo ka një pikë më pak se kombëtarja Çekisë. (këtu)

Share With Others