[email protected]
Titulli paraqet gabimisht se Kosova ka mposhtur Zvicrën dy herë në parakualifikimet për Kupën e Botës në basketboll
shape
shape
shape

Portali “lecanton27.ch”, e vetëquajtur si gazeta e parë shqipe në Zvicër, ka publikuar (23 shkurt) një artikull me titull “Fillimi i kualifikimeve për Kupën e Botës : Kosovarët fituan dy herë kundër Zvicrës”.

Nga fotografia bashkangjitur publikimit si dhe në përmbajtje të tij, bëhet e qartë se artikullin bën fjalë për ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës, në kuadër të parakualifikimeve për Kupën e Botës në basketboll.

Fakti se në titull është vendosur shenja e pikësimit, dy pika (:), e cila në këtë rast është përdorur për të lajmëruar një shpjegim (këtu), lë të nënkuptojë se titulli tregon informacionin që Kosova ka mposhtur dy herë Zvicrën, në fillimin e parakualifikimeve për Kupën e Botës, në basketboll.

Por pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se përfaqësuesja e Kosovës në basketboll, në këto parakualifikime ka zhvilluar dy ndeshje, me kombëtaret e Irlandës dhe Azerbajxhanit.


Vegëza e artikullit të publikuar nga portali “lecanton27.ch”:


Hibrid.info me anë të makinave të kërkimit, ka hulumtuar dhe ka gjetur kalendarin e ndeshjeve të përfaqësueses së Kosovës, në basketboll, për parakualifikimet e Kupës së Botës 2027 (shih këtu).

Në bazë të informatave të shfaqura kuptohet se dardanët tashmë kanë zhvilluar dy ndeshje parakualifikuese me Irlandën dhe Azerbajxhanin, ndërsa pjesë e grupit të Kosovës në këto gara është edhe kombëtarja e Zvicrës, me të cilën përfaqësuesja jonë do të përballet në nëntor të këtij viti si mysafir dhe në shkurtin e vitit të ardhshëm si vendas.


Për të vërtetuar edhe më shumë se Kosova ende nuk është përballur me helvetikët, hibrid.info ka hulumtuar mbi historikun e përballjeve ndërmjet këtyre dy kombëtareve dhe ka gjetur se hera e fundit kur këto dy përfaqësuese janë ballafaquar me njëra tjetrën, është korriku i vitit të kaluar, kur dardanët e kishin mposhtur Zvicrën në dy raste, ashtu siç potencohet në titull dhe në sfondin e artikullit të “lecanton27.ch”, por në kuadër të parakualifikimeve për kampionatin evropian (shih këtu dhe këtu).


Analiza:

Titulli i një artikulli të “lecanton27.ch” është paraqitur në formën që nënkupton se Kosova ka mposhtur dy herë Zvicrën, në parakualifikimet e Kupës së Botës, në basketboll.

Hibrid.info ka vërtetuar se dardanët kanë zhvilluar dy ndeshje deri më tani, në kuadër të këtyre parakualifikimeve me Irlandën dhe Azerbajxhanin, ndërsa përballjet me Zvicrën pritet të zhvillohen.

Po ashtu është gjetur se përfaqësuesja jonë ka mposhtur Zvicrën dy herë vitin e kaluar, por në garat e parakualifikimeve për kampionatin evropian.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Gabim”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.

Share With Others