[email protected]
Titulli për heqjen e homologimit për veturat që vijnë nga shtetet e BE-së, i pavërtetë
shape
shape
shape

Disa media online shqip të Kosovës kanë publikuar të martën (29 shtator) një artikull me titull “Hiqet homologimi për veturat që vijnë në Kosovë nga shtetet e BE-së”.

Titulli i këtij artikulli del të jetë i pavërtetë, pasi që projektligji që heq detyrimin për homologim të veturave të reja dhe të përdorura që vijnë nga shtetet e BE-së, Zvicra dhe Norvegjia, është votuar vetëm nga anëtarët e komisionit parlamentar për Infrastrukturë por jo edhe nga shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Artikulli origjinal i publikuar nga disa portale të Kosovës:

T: Hiqet homologimi për veturat që vijnë në Kosovë nga shtetet e BE-së

Në Komisionin për Infrastrukturë ka kaluar projektligji për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Automjete, që heq detyrimin për homologim të veturave të reja dhe të përdorura që vijnë nga shtetet e BE-së, Zvicra dhe Norvegjia.

Kështu ka bërë të ditur deputeti i VV-së, Hekuran Murarti, i cili ka thënë se vullneti i qytetarëve nënshkrues të peticionit po zbatohet.

Ky është postimi i tij i plotë:

Në Komisionin për Infrastrukturë, sapo kaloi projektligji për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Automjete, që heq detyrimin për homologim të veturave të reja dhe të përdorura që vijnë nga shtetet e BE-së, Zvicra dhe Norvegjia.

Falënderoj të gjithë anëtarët e Komisionit që i dhanë mbështetjen këtij ndryshimi, dhe shpresoj që së shpejti ky projektligj të marrë mbështetjen edhe në seancë plenare.

Vullneti i qytetarëve nënshkrues të peticionit po zbatohet!

Vegëzat e artikullit të publikuar:

https://kosovapress.com/hiqet-homologimi-per-veturat-qe-vijne-ne-kosove-nga-shtetet-e-be-se/

https://indeksonline.net/%E2%80%8Bhiqet-homologimi-per-veturat-qe-vijne-ne-kosove-nga-shtetet-e-be-se/

https://gazetainfokus.com/%E2%80%8Bhiqet-homologimi-per-veturat-qe-vijne-ne-kosove-nga-shtetet-e-be-se/


Në fakt, në përmbajtje të këtij artikulli të shpërndarë nga një numër i madh i këtyre mediave, paraqitet një deklaratë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, të publikuar përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, i cili shkruan për votimin e “projektligjit ndryshim/plotësimin e Ligjit për Automjete nga Komisioni parlamentar për Infrastrukturë, që heq detyrimin për homologim të veturave të reja dhe të përdorura që vijnë nga shtetet e BE-së, Zvicra dhe Norvegjia”.

Bazuar në këtë status të deputetit Murati, shihet qartë se ky projektligj është votuar vetëm nga komisioni parlamentar për Infrastrukturë, por jo edhe nga shumica e thjeshtë deputetëve në Kuvend, që tregon se ende nuk ka miratim të këtij Ligji.

Statusi i deputetit Hekuran Murati:

https://www.facebook.com/HekuranMurati/posts/10158851564755522

Procedura për miratimin e një ligji në Kuvendin e Kosovës është si në vijim:

PROCESI LIGJVËNËS

Nismën për të propozuar ligje mund ta marrë Presidenti i Republikës së Kosovës nga fushëveprimtaria përkatëse, Qeveria, deputetët e Kuvendit ose së paku dhjetëmijë qytetarë. Miratimi i ligjeve në Kuvend bëhet me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm që votojnë, përveç në rastet kur me Kushtetutë përcaktohet ndryshe. Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit dhe shpallet pasi ta nënshkruajë Presidenti. Presidenti ka të drejtë vetëm një herë ta kthejë ligjin në Kuvend dhe herën e dytë nëse nuk e nënshkruan ligjin shpallet në Gazetën Zyrtare, dhe bëhet i vlefshëm pesëmbëdhjetë ditë pas publikimit nëse me ligj nuk përcaktohet ndryshe.

Për miratimin, ndryshimin apo shfuqizimin e legjislacionit me interes vital kërkohet vota e shumicës se deputetëve të Kuvendit të cilët janë të pranishëm dhe votojnë, dhe shumica e deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë nga përfaqësuesit që mbajnë vende të garantuara në Kuvend. Asnjë nga ligjet me interes vital nuk mund t’i nënshtrohet referendumit.


Analiza:

Në bazë të fakteve të kontrolluara nga hibrid.info, del që titulli i artikullit të publikuar nga mediat e lartpërmendura, nuk korrespondon me përmbajtjen. Pretendimi i paraqitur në titull del të mos jetë i vërtetë, bazuar në faktet e paraqitura nga hibrid.info. Si rrjedhojë, ky artikull kategorizohet si “Gabim”, “Clickbait” dhe “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Gabimi

Vlerësimin “Gabim” e marrin raportet në media në të cilat redaksia e mediave bënë një gabim duke publikuar informacion të pasaktë ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara nga një burim tjetër, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.

Clickbait

“Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Dezinformata

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others