Shkroi: Etrit Rexhepi
Një vendim i fundit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për pezullimin e përkohshëm të vizave emigruese për shtetasit e 75 vendeve, përfshirë edhe Kosovën, është raportuar nga mediat në gjuhën shqipe. Masa lidhet vetëm me vizat emigruese dhe nuk i prek vizat turistike apo ato ekzistuese. Por mënyra se si është transmetuar lajmi nga disa media ka krijuar paqartësi dhe interpretime të ndryshme në opinionin publik, veçanërisht për shkak të titujve që nuk e sqarojnë qartë natyrën e vendimit.
Çka vendosi ShBA-ja?
ShBA-ja ka marrë një vendim, që pezullon trajtimin e vizave për migrantë nga 75 shtete, duke përfshirë edhe Kosovën.
“Departamenti i Shtetit do të pauzojë shqyrtimin e vizave për migrantë nga 75 shtete, migrantët e të cilave marrin ndihma sociale nga populli amerikan në nivele të papranueshme. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri kur SHBA-ja të sigurohet që migrantët e rinj nuk do të përfitojnë nga populli amerikan”, shkroi Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) në “X” (shih këtu).
Për shkak të përfshirjes së Kosovës në këtë vendim, lajmi u raportua edhe nga mediat në gjuhën shqipe në Kosovë.
Si raportuan mediat në Kosovë?
Në një numër të madh të artikujve ku është shkruar për vendimin, teksti i është referuar një përmbajtjeje të mediumit “Fox News Digital” të titulluar “US freezes all visa processing for 75 countries, including Somalia, Russia, Iran” apo në shqip “SHBA ngrin procesimin e të gjitha vizave për 75 shtete, duke përfshirë Somalinë, Rusinë, Iranin”.
Disa nga artikujt ku është cituar mediumi amerikanë janë publikuar nga “Periskopi.com”, “VoxKosova.com”, “KlanKosova.tv”, ”GazetaMetro.net”, “Sinjali.com”, “Nacionale.com”, dhe “GazetaExpress.com”
Në titujt e lajmeve të “KlanKosova.tv” dhe “GazetaExpress.com”informacioni është paraqitur si citat i “FoxNews”, me dallimin ku në titullin e “KlanKosova.tv” sqarohet se bëhet fjalë për viza emigruese.


“Periskopi.com”, “Sinjali.com” dhe “Nacionale.com” duket se në artikujt e tyre, kanë përkthyer titullin e vendosur të “FoxNews.com”, duke përfshirë aty Kosovën.



Ndërsa diçka më ndryshe kanë vendosur titujt “GazetaMetro.net” dhe “VoxKosova.com”.


Përveç citimit të “FoxNews.com”, hibrid.info gjeti përmbajtje nga media tjera, ku si burim është shfrytëzuar njoftimi i DASh (shih këtu dhe këtu).
Duke veçuar vetëm një përmbajtje tjetër të publikuar nga “GazetaMetro.com”, me titullin “S’ka më viza: Kosovarët marrin shpullë nga Amerika, gjysma e tyre jetojnë me social”, ku vendimi interpretohet si një goditje ndaj shtetasve të Kosovës, në përgjithësi, të gjithë këta artikujt brenda tekstit kanë raportuar korrekt vendimin, duke theksuar se bëhet fjalë për pezullim të vizave të migrantëve nga ShBA-ja për 75 shtete, ku përfshihet edhe Kosova. Por, dallimet vërehen në tituj, ku në disa prej tyre nuk është sqaruar se bëhet fjalë për pezullim vizash të migrantëve dhe lihet mundësia që të interpretohet si pezullim i të gjitha llojeve të vizave.
Vendimi i sqaruar i DASh:
Sipas dokumentit të vendimit të DASh, duke filluar nga 21 janari 2026, lëshimi i vizave emigruese është pezulluar përkohësisht për shtetasit e 75 vendeve, për shkak të rishikimit të politikave që synojnë të parandalojnë përdorimin e ndihmave publike për imigrantët.
Aplikantët nga këto vende mund të aplikojnë dhe të marrin pjesë në intervista, por nuk do t’u lëshohet vizë emigruese gjatë periudhës së pezullimit.
Të përjashtuar nga ky vendim janë personat me dyshtetësi që aplikojnë me pasaportë të një vendi që nuk është në listë.
Vizat ekzistuese nuk anulohen, dhe ky vendim nuk zbatohet për vizat turistike, pasi ato janë viza jo-emigruese.
Në vizat jo-emigruese hyjnë edhe vizat për studim, biznes dhe punësim (shih këtu).
Disa media në gjuhën shqipe gjithashtu, kanë publikuar edhe artikuj ku është sqaruar vendimi (shih këtu, këtu dhe këtu). Në artikullin e “AlbanianPost”, sqarimi arsyetohet me titujt e artikujve të analizuar më lart, të cilët sipas përmbajtjes sugjeronin se administrata amerikane ka pezulluar procesin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke krijuar përshtypjen se kosovarët do të humbasin mundësinë të kërkojnë vizë për të udhëtuar drejt ShBA-së.
Pse u mor vendimi?
Sipas “Radio Evropa e Lirë”, presidenti amerikan, Donald Trump kishte thënë se një përqindje tejet e lartë e të huajve që janë zhvendosur në ShBA, përmes vizës së emigrimit, nuk punojnë, por varen nga ndihmat sociale amerikane.
Teksti thotë se ai nuk dëshiron që të huajt që synojnë të emigrojnë në ShBA të bëhen barrë e parasë publike dhe ndihmave të shtetit.
Sipas një liste të publikuar nga Trump në rrjetet sociale më 4 janar, 46 për qind e shtetasve të Kosovës që kanë shkuar në SHBA përmes vizës së emigrimit marrin ndihma sociale nga Qeveria amerikane.
Si përfundim, pavarësisht raportimit të disa mediave në Kosovë, veçanërisht përmes titujve të paqartë, që mund të kenë krijuar konfuzion dhe përshtypje të gabuar, vendimi i ShBA-së nuk nënkupton ndalim të përgjithshëm të vizave apo vendim politik ndaj qytetarëve të Kosovës, por pezullim të përkohshëm vetëm për vizat emigruese, në kuadër të një rishikimi të politikave për parandalimin e përdorimit të ndihmave publike për imigrantët.