Shkroi: Festim Rizanaj
Faqja në Facebook me emërtimin “Universal” ka publikuar më 12 mars një video në të cilën shihet një burrë duke folur në gjuhën shqipe. Kjo video është shpërndarë me pretendimin se një deputet shqiptar në një kanton të Zvicrës u bën thirrje shqiptarëve në Kosovë dhe në diasporë që të mos e mbështesin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas verifikimit, te video është gjetur se burri ne video nuk është deputeti shqiptar ne Zvicër dhe se video është gjeneruar me inteligjence artificiale.
Verifikimi i videos
Në video paraqitet një person i cili pretendohet se është deputet shqiptar në Zvicër dhe që shprehet: “Jam shumë i dëshpëruar me qeverisjen e Albin Kurtit. Nuk mund të menaxhohet shteti duke e bllokuar. Populli në Kosovë duhet të kuptojë se Kurti nuk di të qeverisë, ai dëshiron kaos. Këtë gjë s’duhet t’ia lejojmë as popullit shqiptar në Kosovë, as shqiptarët në diasporë”.
Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, videoja ka arritur rreth 105 mijë shikime, 223 shpërndarje, 510 komente dhe mbi 1 mijë e 100 reagime, gjë që tregon se përmbajtja ka pasur një shkallë të konsiderueshme viraliteti në rrjetet sociale.
Megjithatë, pas verifikimit të videos rezulton se personi që shfaqet në të nuk është deputeti shqiptar në Zvicër. Deputeti shqiptar në kantonin e Bernës është Korab Rashiti, i cili duket ndryshe nga personi që paraqitet në video.

Hulumtimi tregon se personi në video është krijuar me inteligjencë artificiale dhe nuk ekziston në realitet. I njëjti avatar është gjetur në platformën “narrax.ai”, një platformë që përdoret për krijimin e videove të gjeneruara me inteligjencë artificiale (AI-generated videos). (këtu)

Për më tepër, videoja është analizuar edhe përmes platformave për detektimin e përmbajtjeve të krijuara me inteligjencë artificiale, si Hive Moderation. Rezultatet e kësaj analize tregojnë se ekziston një probabilitet prej 98.5% që videoja të jetë e krijuar me inteligjencë artificiale, ndërsa zëri ka një probabilitet prej 99.9% të jetë i gjeneruar me teknologji AI.

Bazuar në analizën vizuale dhe auditive të videos, janë identifikuar disa elemente që sugjerojnë përdorimin e inteligjencës artificiale.
Një nga treguesit kryesorë është sinkronizimi i buzëve (lip-sync). Lëvizja e gojës nuk përputhet plotësisht me artikulimin e fjalëve në gjuhën shqipe. Në disa momente buzët lëvizin në mënyrë të panatyrshme ose duken të paqarta krahasuar me pjesën tjetër të fytyrës.
Po ashtu, vërehet mungesë e mimikës natyrale. Gjatë kohës që personi flet, muskujt e faqeve dhe të ballit nuk reagojnë në mënyrë organike ndaj fjalëve që shqiptohen. Sytë mbeten relativisht të fiksuar dhe nuk reflektojnë emocionin e zhgënjimit që pretendohet të shprehet në deklaratë.
Edhe cilësia e zërit paraqet karakteristika tipike të teknologjisë së gjenerimit artificial. Zëri ka një ton monoton dhe disi “robotik”, që është i zakonshëm në teknologjitë text-to-speech ose në sistemet e klonimit të zërit. Gjithashtu mungojnë pauzat natyrale për frymëmarrje dhe variacionet emocionale që zakonisht shfaqen kur një person real flet për një çështje të tillë.
Në aspektin vizual vërehen edhe artefakte digjitale, veçanërisht në zonën rreth mjekrës dhe buzëve. Në disa momente shfaqet një lloj dridhjeje e lehtë e pikselave (ghosting), fenomen që shpesh ndodh kur një model i inteligjencës artificiale përpiqet të mbivendosë lëvizjen e re të gojës mbi një video ekzistuese.
Bazuar në këto gjetje, pretendimi se videoja paraqet një deputet shqiptar në Zvicër që kritikon qeverisjen e Albin Kurtit rezulton të jetë i rremë, pasi videoja është krijuar me inteligjencë artificiale dhe personi i paraqitur në të nuk ekziston në realitet.
Analiza:
Pretendohet se një deputet shqiptar në një kanton të Zvicrës u bën thirrje shqiptarëve në Kosovë dhe diasporë që të mos e mbështesin kryeministrin Albin Kurti, përmes një videoje të publikuar nga faqja në Facebook “Universal”.
Megjithatë, verifikimi tregon se personi në video nuk është deputeti shqiptar në Zvicër dhe se videoja është krijuar me inteligjencë artificiale.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë përmbajtje si “mashtrim” dhe “lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.