[email protected]
Video sekuencë e prerë me deklaratë jashtë kontekstit
shape
shape
shape

Një video sekuencë po qarkullon në internet me pretendimin që Albin Kurti ka deklaruar më parë se “krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët”.

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, bazuar në rezultatet e gjetura, kjo sekuencë e videos me fragmentin në fjalë së fundmi (16 dhjetor 2022) është publikuar në faqen në Facebook me emrin “Universal”. (këtu)

Së fundmi kjo video sekuencë ku dëgjohet zëri i Kurtit me deklaratën ku thuhej se “krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët” u publikua nga Adri Nurellari në emisionin “Now” në Euronews Albania të datës 2 prill 2023. (këtu)

Lidhur me këtë video sekuencë ka reaguar sekretari për media në Lëvizjen Vetëvendosje, Arsim Manxhuka. Sipas tij, video e publikuar është nxjerrë jashtë kontekstit. Në reagimin e tij nëpërmjet Facebook-ut ai ka publikuar videon e plotë të paraqitjes së Albin Kurtit kur ishte në opozitë, në seancën e kuvendit të datës 23 prill 2014. (këtu)

Në seancën e datës 23 prill 2014, e që ishte seancë për gjykatën speciale (këtu), Kurti kishte deklaruar që “pas kësaj gjykate të veçantë do të thuhet që, po, serbët kanë bo më shumë krime por krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët, korrjen dhe trafikimin e organeve”.

Fragmenti se “krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët” është cituar edhe nga deputeti Hisen Berisha, në seancën plenare të Kuvendit të datës 23 mars 2023. (këtu)

Kjo video sekuencë është publikuar edhe nga deputetja Ganimete Musliu, për të cilën raportuan mediat me datë 17 dhjetor 2022. (këtu)


Analiza:

Në rrjetet sociale po qarkullon një video sekuencë me pretendimin që Albin Kurti ka deklaruar më parë se “krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët”.

Pas verifikimit të fakteve të kryera nga hibrid.info dhe reagimit të sekretarit për media të Lëvizjes Vetëvendosje, është gjetur video e plotë e publikuar ku Kurti mbanë fjalimin e tij lidhur me gjykatën speciale. Kjo video është shkurtuar duke u nxjerrë jashtë kontekstit. Kurti në seancën e kuvendit për gjykatën speciale të datës 23 prill 2014 kishte deklaruar që “pas kësaj gjykate të veçantë do të thuhet që, po, serbët kanë bo më shumë krime por krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët, korrjen dhe trafikimin e organeve”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë video sekuencë e vlerëson si “manipulim i fakteve”.


Vlerësimi:

 Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others