[email protected]
Rishikimi i javës: manipulim të fakteve nga mediat serbe, mashtrime për lidhje martesore, teori konspirative nga Cako, gabime rreth çmimeve të derivateve
shape
shape
shape

Java që shkoi u karakterizua me një dominim të dezinformatave në ekosistemin keqinformues në Kosovë.  Në dezinformata u përfshinë lajme të vjetra të ri-sjella si aktuale ndërlidhur me marrëveshjen finale Kosovë-Serbi. Kishte dezinformata edhe për një sulm të Rusisë ndaj Ballkanit Perëndimor (lajm i vjetër), për pengimin e kurorëzimit të patriarkut serb dhe për kërkim të punëtorëve nga Britania e Madhe.

Sa i përket manipulimit të fakteve mediat serbe kanë hedhur pretendimin se përfaqësuesja e Rumanisë nuk do të pranojë të luaj kundër Kosovës, përkundër që Federata Rumune e Futbollit nuk e thotë një gjë të tillë.

Clickbait artikuj në lidhje me kritikat ndaj xhudistëve kosovare, njohjen e patentë shoferëve të Shqipërisë dhe Kosovës nga shteti gjerman dhe projektligjin për gjobitjen e njerëzve deri në 1000 franga të cilët e mbulojnë fytyrën në Francë.

Në javën që shkoi zunë vend edhe teoritë konspirative të Alfred Cakos, gabime në lidhje me çmimin e derivateve, mashtrim në lidhje me publikimin e fotografive  të grave jo shqiptare duke mashtruar se ato janë në kërkim të një lidhje dashurie.

Dezinformatë

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “news426media.com” ka publikuar më 11 tetor një artikull me titull “Britania e Madhe ‘blindon’ Shqipërinë dhe Kosovën/ Kërcënimi rus, ministrja britanike: Të dërgohen armë edhe në Ballkanin Perëndimor!”. Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në këtë artikull, hibrid.info ka vërtetuar se titulli është i sajuar që nuk i përgjigjet përmbajtjes, ndërsa lajmi është i vjetër, i publikuar në muajin prill. Truss në asnjë rast nuk ka përmendur specifikisht Shqipërinë e Kosovën, siç pretendohet në titull. (këtu)

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “news426media.com” ka publikuar më 11 tetor një artikull me titull “Vjen Iajmi nga BE, javën e ardhshme Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur”. Hibrid.info ka verifikuar faktet në këtë artikull, dhe ka vërtetuar se titulli i artikullit është i sajuar, ndërsa lajmi është i vjetër, i publikuar në muajin qershor. Në fotografinë e përdorur në këtë artikull nga ky portal i dyshimtë, gjendet portreti i presidentes së Komitetit Evropain, Ursula von der Leyen, ndërsa artikulli nuk ka të bëjë asgjë me këtë figurë politike. (këtu)

Portali informativ serb “Srbijadanas.com” ka publikuar një artikull me pretendimin se Albin Kurti do të tentojë të ndalojë kurorëzimin e Patriarkut Porfiri më 14 tetor në Patriarkanën e Pejës. Bazuar në pretendimet e tyre Kurti do t’ia ndalojë hyrjen në Kosovë patriarkut Porfiri, edhe nëse do t’i jap leje me presionin ndërkombëtarë ai do të organizojë protesta nëpërmjet grupeve ekstremiste për të parandaluar kurorëzimin e tij. Sa i përket lejes për me hy në Kosovë, Patriarku ka arritur në Patriarkanën e Pejës ku është bërë edhe kurorëzimi i tij. Pretendimet tjera janë tendencioze dhe të pabazuara në fakte apo informacione relevante. (këtu)

Portali i dyshimtë “fakti.seedoof.com” ka publikuar një artikull të vjetër të vitit 2021, atëkohë kur Mbretëria e Bashkuar ishte në kërkim të 2 milionë punëtorëve. Këtë artikull, ky portal i dyshimtë është munduar ta paraqesë si aktual, duke i vënë edhe titull të rremë se në përmbajtje gjenden procedurat për aplikim për punë. (këtu)

Portali i dyshimtë “news426media.com” ka publikuar një lajm të vjetër të muajit qershor, të cilin është munduar ta paraqesë si aktual duke i vënë në titull fjalinë “LAJMI I FUNDIT”. Në përmbajtje gjendet deklarata e bërë më 5 qershor nga shefi i Agjencisë Hapësinore të Rusisë, Dimitri Rogozin, i cili atëkohë kishte kërcënuar hapur për sulm bërthamor nga Rusia ndaj vendeve të Ballkanit (Mali i Zi, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Rumania), pasi ato nuk lejuan avionin e shefit të diplomacisë ruse Sergei Lavrov të shkelë hapësirën e tyre ajrore për të realizuar vizitën në Serbi. (këtu)

Manipulim i fakteve

Mediumi serb “Novosti” në një artikull të publikuar më 11 tetor ka hedhur pretendimin se përfaqësuesja e Rumanisë nuk do të pranojë të luaj kundër Kosovës. Federata rumune e futbollit ka bërë të ditur se do të diskutojë me qeverinë rumune në lidhje me kushtet e ndeshjes me përfaqësuesen e Kosovës, pa u theksuar në asnjë vend se nuk do të pranojë ballafaqimin me përfaqësuesen e Kosovës. Përkundër faktit që nga Federata e Futbollit të Rumanisë nuk kanë thënë se nuk do të luajnë kundër përfaqësueses së Kosovës, disa media në gjuhën serbe e kanë interpretuar në titull si vendim për të mos u ballafaquar me përfaqësuesen e Kosovës. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “Paparaci.com” ka publikuar një artikull ku në titull bëhet fjalë për një kritikë të trajnerit të xhudos Driton Kuka, ndërsa si ilustrim është përdorur një fotografi ku trajneri Kuka është me duar të kthyer nga xhudistja Distria Krasniqi. Në fakt, siç e mësojmë nga përmbajtja e artikullit, bëhet fjalë për kritikë ndaj xhudistes Laura Fazliu, e jo siç lë të kuptohet fotografia ilustruese. (këtu)

Portali i dyshimtë “seedoof.com” ka publikuar një artikull të vjetër lidhur me patentë shoferët e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët njihen nga shteti gjerman. Këtë lajm të vjetër të muajit shkurt, ky portal i dyshimtë është munduar ta paraqesë si aktual. (këtu)

“Kosovapost.net” ka publikuar një artikull lidhur me dërgimin e projektligjit në parlament nga Qeveria zvicerane, me kërkesën për gjobitjen e njerëzve deri në 1000 franga të cilët e mbulojnë fytyrën. Mirëpo, ky medium në titull ka lënë të kuptohet se ky vendim ka hyrë në fuqi dhe se i njëjti vlen për persona që mbajnë mbulesën islame “burka”. Në artikullin e publikuar nga mediumi online “AlJazeera.com” bëhet e qartë se në këtë projektligj nuk specifikohet vetëm për personat që veshin “burka” apo “nikab”, por për të gjithë ata që mbulojnë fytyrat në përgjithësi. (këtu)

Teori konspirative

Konspiracionisti shqiptar, Alfred Cako, së fundi ka parashikuar se interneti do të zhduket për 10 ditë, dhe do të ketë errësirë. Parashikime për goditjen apo zhdukjen e internetit dhe pasojat që do të vijnë pas saj, Alfred Cako i kishte bërë disa herë edhe më herët. Krahas parashikimeve për internetin, Cako dha parashikime të pabazuara edhe për arrestimin e Trump-it dhe largimin e Joe Biden nga drejtimi i SHBA-së. (këtu)

Mashtrim

Faqja në Facebook me emrin “Agjension Lidhjes Martesore” publikon fotografi të grave jo shqiptare, të cilat i paraqet se janë nga Shqipëria dhe Kosova. Me anë të këtyre fotografive të personazheve të huaja nga filma për të rritur, performuese të ndryshme dhe femra të botës së sportit, kjo faqe i paraqet ato si shqiptare, duke mashtruar se ato janë në kërkim të një lidhje dashurie. (këtu)

Lajm i rremë

Portali i dyshimtë “fakti.seedoof.com” ka publikuar një artikull me pretendimin e rremë se në fotografi ku shihet një femër (mësimdhënëse) e veshur me fustan të shkurtë është e një mësueses në një shkollë të Kosovës. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka arritur të gjejë këtë fotografi të publikuar në një portal lituanez në artikullin me titull “Mësueset më të bukura, falë të cilave nxënësit nuk do të duan të humbasin mësimet”. Pra, fotografia nuk është realizuar në ambientet e ndonjë shkolle në Kosovë, siç pretendohet rrejshëm në titullin e artikullit. (këtu)

Gabim

Portali “GazetaExpress.com” ka publikuar më 15 tetor një artikull me pretendimin se çmimi i benzinës dhe gazit është shtrenjtuar për 1 cent në krahasim me një ditë më herët (14 tetor). Mirëpo, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim i bërë nga “GazetaExpress.com” nuk është i saktë. Në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) të bërë sot (15 tetor) bëhet e qartë se vetëm çmimi i benzinës është ngritur për 1 cent në krahasim me atë të një dite më herët (14 tetor). Pra, çmimi i naftës dhe ai i gazit ka mbetur i njëjtë. Ndërsa edhe portali tjetër “Periskopi.com” që ka publikuar artikullin e “GazetaExpress.com” në titull ka pretenduar gabimisht se është shtrenjtuar çmimi i naftës, ndërsa në përmbajtje thuhet se “krahasuar me dje, çmimi i naftës ka mbetur i njëjtë”. Edhe ky portal, njëjtë si “GazetaExpress.com” në përmbajtje ka pretenduar gabimisht se është shtrenjtuar edhe çmimi i gazit. (këtu)

Share With Others

Translate »