[email protected]
Vitia nuk ka treguar nëse do të kandidojë për kryetar të Prishtinës
shape
shape
shape

Portali “indeksonline.net” ka publikuar një artikull duke pretenduar se ministri Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka treguar se a do të jetë pjesë e garës për kryetar të Prishtinës, në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, del që titulli i këtij artikulli nuk përputhet me përmbajtjen e tekstit, pasi në të thuhet se “Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk ka treguar nëse do t’i futet garës për të parin e kryeqytetit, ndonëse emri i tij është përfolur se do të jetë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje”.

I ftuar në emisionin “Desku” në Kohavision, ministri Vitia as nuk ka mohuar e as pohuar se a do të kandidojë për kryetar të Prishtinës. Pra, Vitia nuk ka treguar nëse do të jetë ose jo kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e kryeqytetit.

Vegëza e artikullit të publikuar në “indeksonline.net”:

https://indeksonline.net/vitia-tregon-nese-do-kandidoj-per-kryetar-te-prishtines/


Gjatë hulumtimit përmes makinës së kërkimit “Google”, hibrid.info ka gjetur edhe disa portale tjera që e kanë publikuar artikullin me këtë titull, por me anë të kohës së publikimit shihet se portali “indeksonline.net” ishte i pari.

Vegëzat e artikullit të publikuar nga disa portale tjera si “botasot.info”, “demokracia.com” dhe “reporteri.net”:

https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1599136/vitia-tregon-nese-do-kandidoj-per-kryetar-te-prishtines/


Në artikullin autentik të publikuar nga “koha.net”, në titull thuhet se “Vitia s’tregon a do të kandidojë për kryetar të Prishtinës”.

“I gjithë fokusi im dhe i ekipit tim është Ministria e Shëndetësisë. Shëndeti i qytetarëve, procesi i vaksinimit të shkojë mirë, këto janë të rëndësishme në javët në vazhdim. Çdo largim i fokusit nga Ministria në këto momente, do ta humbte përkushtimin në këtë situatë jo të lehtë. Si çdo herë, Lëvizja Vetëvendosje si subjekt demokratik do të mbajë mbledhjet e brendshme dhe do t’i shpalos kandidatët për secilën komunë. Deri këtu kemi mbërritur në këtë mënyrë. Është duke u punuar intesivisht për projektin për Prishtinën qysh kohë më parë. Kur kalojnë të gjitha këto faza, ne do t’i bëjmë publike emrat”, ka thënë Vitia në emisionin “Desku” në KTV.

Vegëza e artikullit autentik të publikuar në “koha.net”:

https://www.koha.net/arberi/274019/vitia-projeksionet-per-covid-19-ne-prill-ishin-te-frikshme/


Analiza:

Portali “indeksonline.net” ka publikuar këtë artikull duke i ndryshuar titullin nga ai autentik, i publikuar në “koha.net”, duke i dhënë kaheje tjetër deklaratës së Vitisë.

Të njëjtin artikull me titull të ndryshuar nga “indeksonline” e kanë marrë edhe disa portale tjera, të cilat nuk duket se kanë pasur për qëllim që ta publikojnë artikullin ndryshe nga ai autentik.

Bazuar në metodologjinë e punës, ekipi i hibrid.info, artikullin e publikuar nga “indeksonline.net” e ka vlerësuar si “clickbait”.

Ndërsa artikulli i njëjtë i publikuar nga mediat tjera, vlerësohet si “gabim”, i cili duket se nuk ka pasur qëllim që t’i jap kaheje tjetër deklaratës së Ministrit të Shëndetësisë, por vetëm është marrë i pandryshuar (bruto) nga portali “indeksonline.net”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Clickbait” e marrin ato tekste titulli i të cilave nuk ka asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Vlerësimin “Gabim” e marrin raportet në media në të cilat redaksia e mediave bënë një gabim duke publikuar informacion të pasaktë ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara nga një burim tjetër, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.

Share With Others