Përgatiti: Fatbardh Dema
“Peniset kanë madhësi të ndryshme tek njerëzit e ndryshëm, por ka raste të ekzagjeruara si në pornografi ku nuk duken si në jetën reale”.
“Ata që duhet t’i vizatojnë organet gjenitale femërore, mund t’u duhet që t’i vizatojnë dy fotografi – organet e jashtme dhe ato të brendshme – sepse është e vështirë t’i tërheqësh ato në një pamje/tablo”.
“Kërkoni prej nxënësve që të diskutojnë në grupe dhe të shkruajnë në të njëjtën fletë letre të gjithë emrat e organeve gjenitale që i kanë dëgjuar ose i kanë ditur (në gjuhën e fëmijëve, mjekësi, vulgare, fjalë të sakta për të rritur, etj)”.
Këto janë disa fragmente të nxjerra nga Doracakët për Mësimdhënës për lëndën “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues”, e të cilat kanë nxitur jo pak reagime në opinion.
E tëra duket se nisi nga deputeti i larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, Eman Rrahmani, i cili në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, të datës 11 nëntor, foli për kurrikulën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për Arsimin Parauniversitar, specifikisht për lëndën e Edukatës Seksuale, e cila si e tillë është e propozuar si lëndë zgjedhore për Shkollat e mesme të ulëta (SHMU) – klasat VIII dhe IX në Republikën e Kosovës.
Çka tha Rrahmani?
Lidhur me shpenzimin e mjeteve për kalimin e ligjit i cili lejon martesat e gjinisë së njëjtë, Rrahmani kërkoi nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci të fliste dhe të tregonte se çka ka bërë me kurrikulën për arsim në Edukatën Seksuale dhe Shëndetin Riprodhues.
Ai tha se “në atë kurrikulë mësohet se si mësimdhënësit t’u tregojnë fëmijëve prej klasës së parë deri në klasën e 12 se si i kryejnë marrëdhëniet e tyre seksuale në shtëpitë e tyre”.
“Në atë kurrikulë, ministrja Nagavci ka miratuar dhe ka prezantuar në vitin 2023 që fëmijët prej klasës së parë deri në klasën e dymbëdhjetë, të marrin shembull një vajzë dhe një djalë ku i qesin gjithë para shokëve e klasës dhe njërit ia mbyllin sytë për 5 minuta dhe nxënësi tjetër ka me e prekë me dorën e tij në të gjithë trupin me sy mbyllur dhe pastaj do t’i ndërrojnë rolet e ku pastaj vajza do ta prekë fëmijën tjetër për 5 minuta në të gjithë trupin dhe para gjithë klasës do tregojnë se çka kanë ndjerë, çfarë organe kanë prekur dhe si janë ndjerë ata fëmijë”, tha ndër të tjerash deputeti Rrahmani në seancën e 11 nëntorit në Kuvend. (shih këtu)
Duke iu referuar të njëjtës çështje, pra Edukimit Seksual, në Facebook ka reaguar edhe deputeti tjetër i larguar nga LVV-ja, Visar Korenica, i cili pretendon se përmbajtjet e sipërpërmendura janë në tekstet shkollore.
Ku qëndron problemi?
Ndonëse deputeti Rrahmani, në adresimin e tij në Kuvend e tha qartë se bëhet fjalë për një doracak për mësimdhënës, ndryshe pretendoi kolegu i tij Korenica.
Fragmentet që ky i fundit i ka shpërndarë në Facebook (bashkë me postimin e avokatit Asdren Bytyqi), thotë se janë pjesë e teksteve shkollore.
Mirëpo, pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, del se teksti që është publikuar në Facebook nga Korenica, nuk është pjesë e teksteve shkollore, por pjesë e Doracakut për Mësimdhënës (Klasa 6-9). (shih këtu në faqen 69)
Edhe gazetari Lirim Mehmetaj në llogarinë e tij në Facebook ka publikuar fragmente nga Doracaku për Mësimdhënës për “Edukimin Seksual dhe Shëndetin Riprodhues”, por të klasave 1-5.
Veç shkrimit, Mehmetaj ka publikuar edhe faqen e parë të këtij doracaku, dhe megjithatë, përmbajtjes së nxjerrë nga ai dokument i referohet si pjesë e “lëndës” “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues – Trupi im, ndjenjat dhe familja”.
“Në faqen 107 në lëndën ‘Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues – Trupi im, ndjenjat dhe familja’ qenka një aktivitet ku fëmijët dalin para klasës, përzgjedhin dikë në klasë që nuk e kanë shok apo shoqe, i mbyllin sytë dhe fillojnë t’ia fusin duart njëri tjetrit dhe më pas para klasës tregojnë çfarë kanë prekur dhe si janë ndjerë”, shkroi Mehmetaj. (shih këtu)
Hibrid.info ka hulumtuar mbi këtë pretendim dhe ka gjetur tekstin të cilit i referohet gazetari Mehmetaj (shih këtu në faqen 107). Por në këtë pjesë të tekstit nuk thuhet decidivisht se “fëmijët që dalin para klasës, përzgjedhin dikë në klasë që nuk e kanë shok apo shoqe, i mbyllin sytë dhe fillojnë t’ia fusin duart njëri tjetrit”, siç pretendoi Mehmetaj. Gjithashtu, duhet theksuar se ky fragment është i nxjerrë nga një aktivitet që parashihet për të verbrit.
Çka thuhet në faqen 107, Aktiviteti 1 (Shoqëruesi i të verbrit)
Çka thanë nga MAShTI për këtë çështje?
Ministrja Arbërie Nagavci i ishte përgjigjur menjëherë kritikave të deputetit Eman Rrahmani, në seancën e 11 nëntorit.
“Është për keqardhje që të keqpërdoret kjo foltore siç keni bërë gjithmonë për interesat personale ose të një grupi. Thjeshtë dhe shkurt, deputet Rrahmani, kurrikulat tona që i kemi miratuar kanë të bëjnë me edukimin dhe mirëedukimin e të gjithë vajzave dhe djemve. Në mënyrë që asnjë vajzë e asnjë djalë të mos keqpërdoret ashtu siç keni bërë deri me tani”, tha Nagavci.
Po ashtu, edhe zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka reaguar lidhur me këto pretendime, duke mohuar se pretendimet e ngritura janë pjesë e teksteve shkollore. Ai po ashtu tha se lënda e Edukimit Seksual në shkolla nuk është obligative. (këtu)
Çka është “doracaku për mësimdhënës”, çka “teksti shkollor” dhe çka “lënda”?
Doracaku për mësimdhënës është i dedikuar enkas për ligjëruesit e një lënde të caktuar, dhe ka për qëllim të mbështetë mësimdhënien dhe kapacitetet e mësuesve për të vepruar në klasë dhe në shkollë në mënyrë të qëllimshme dhe profesionale.
Termi “teksti shkollor” përdoret për tërësinë e librave shkollorë, materialeve shtesë apo plotësuese në lidhje me ta, doracakët përkatës etj. Mund të zëvendësohet edhe me termin “libër shkollor” kur përdoret pranë fjalës “tekst” (në kuptimin pjesë e shkëputur e një shkrimi). (këtu)
Lënda: Tërësia e njohurive të një fushe a dege të shkencës, që jepen në shkollë sipas programit mësimor të caktuar; mësimi që zhvillohet në shkollë sipas degëve të shkencës. Lëndët mësimore. Lëndët teknike (bujqësore). Lënda e gjuhës (e letërsisë, e historisë, e kimisë, e matematikës). Komisioni i lëndës. Jep dy lëndë. (këtu)
Kur janë prezantuar Doracakët për Mësimdhënës për lëndën “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues”?
Me datë 10 tetor të vitit 2023, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kishte organizuar Javën e promovimit të shëndetit në shkolla, me temën “Edukimi seksual gjithëpërfshirës në shkolla”.
Ministrja Nagavci ka përgëzuar grupin punues ndërsektorial dhe UNFPA-n, për hartimin e 3 doracakëve ndihmës për mësimdhënës për nivelin 1-5, nivelin 6-9, si dhe nivelin 10-12, duke shtuar se Ministria e Arsimit mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të fëmijëve në institucionet arsimore. (shih këtu)