[email protected]
Nuk ka vendim zyrtar për kohëzgjatjen e masës së paraburgimit
shape
shape
shape

Media online në gjuhën shqipe kanë publikuar dje (16 qershor) artikuj me pretendimin se Gjykata serbe ka caktuar 30 ditë paraburgim për tre policët e Kosovës, të cilët dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe në territorin e Kosovës.

Mirëpo, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ende nuk ka vendim zyrtar nga Gjykata e Lartë në Kralevë lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit për tre policët e Kosovës.

Pra, përveç njoftimit të ditës së premte (16 qershor) se u shqiptua masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, deri tani nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.


Vegëzat e artikujve të publikuar në portalet “top-channel.tv” dhe “rtsh.al”:

https://archive.is/2Cfex#selection-629.0-629.84

https://archive.is/wHbhV#selection-525.153-525.233


Radio Evropa e Lirë (REL) ishte mediumi i parë që raportoi për shqiptimin e masës së paraburgimit ndaj tre policëve të Kosovës, duke shtuar se “tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e saj”.

Megjithatë, sipas zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, i cili foli për REL, tha se bëhet fjalë për 30 ditë paraburgim. (shih këtu)

Përveç këtij pretendimi të bërë nga Ahmeti, tash për tash nuk dihet kohëzgjatja e masës së paraburgimit.


Në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Kralevë të publikuar me datë 16 qershor, thuhet se “gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Kralevë ka urdhëruar paraburgimin për të gjithë të dyshuarit”. Pra, nuk specifikohet kohëzgjatja e saj. (shih këtu)

Njoftimi i Prokurorisë së Lartë Publike në Kralevë, i përkthyer në shqip:

Me rastin e ngjarjeve të 14 qershorit 2023, në fshatin Gnjilicë, komuna e Rashkës, Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë më 16 qershor 2023 ka lëshuar urdhër për kryerjen e hetimeve kundër të dyshuarve B.S. (1965), R.Z. (1975) dhe M.Š. (1961) për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se kanë kryer nga një vepër penale prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese nga neni 348 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 lidhur me paragrafin 1. të Kodit Penal.

Sipas propozimit të prokurorit publik të Prokurorisë së Lartë Publike në Kralevë, gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Kraljevë ka urdhëruar paraburgimin për të gjithë të dyshuarit.


Analiza:

Bazuar në hulumtimin dhe verifikimin e fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se disa media online në gjuhën shqipe kanë pretenduar pa saktë lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit të policëve të Kosovës, të cilët më 14 qershor dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe në territorin e Kosovës.

Në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë nuk specifikohet kohëzgjatja e masës së paraburgimit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këta artikujt e publikuar nga mediat në gjuhën shqipe si “Përmbajtje e pa verifikuar”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others