[email protected]
Pretendohet pa fakte se “autoritetet e Prishtinës po përdorin islamikët radikalë për të ushtruar presion ndaj serbëve të Kosovë”
shape
shape
shape

Mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikull dje (19 mars) me pretendimin se “autoritetet e Prishtinës po përdorin islamikët radikalë në njërën anë për të ushtruar presion ndaj serbëve të Kosovë” dhe se Kosova “ka strukturë organizative dhe kapacitet për islam radikal, edhe pse e fsheh atë nga opinioni”.

Artikulli bazohet në deklaratat e, siç quhet në përmbajtje, eksperti i sigurisë, Gjevat Galijasheviq, i cili për pretendimet e bëra nuk ofron fakte apo referenca kredibile.

Vegëza e artikullit të publikuar në “Alo.rs”:

https://www.alo.rs/vesti/kim/737781/cveta-islamski-terorizam-na-kosovu-u-opasnosti-i-region/vest

Pjesë të artikullit të publikuar në “Alo.rs”:

Sipas tij, Kosova ka dëshmuar me dërgimin e ushtarëve radikalë në fushëbetejën siriane dhe irakiane se ka strukturë organizative dhe kapacitet për islam radikal, edhe pse e fsheh atë nga opinioni.

Ai thekson se autoritetet e Prishtinës po përdorin islamikët radikalë në njërën anë për të ushtruar presion ndaj serbëve nga Kosova, ndërsa në anën tjetër Islami radikal po përdoret për të bërë presion shtesë në komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës dhe më pas Mali i Zi dhe Maqedonia.


Nga ajo që shihet në përmbajtje të artikullit, këto pretendime janë bazuar vetëm në një opinion të një, siç i referohen, eksperti të sigurisë.

Mirëpo, për pretendimet se Kosova po “përdorë islamistët radikal për të ushtruar presion ndaj serbëve të Kosovës” dhe se “Kosova “ka strukturë organizative dhe kapacitet për islam radikal, edhe pse e fsheh atë nga opinion”, Gjevat Galijasheviq nuk ofron ndonjë referencë si dëshmi kredibile (dokument) argumentuese.

Nga ajo që ka deklaruar eksperti i sigurisë, duket se ekziston një narrativ e ndërtuar, por duke mos e argumentuar me ndonjë fakt. Hibrid.info ka trajtuar disa nga pretendimet që ndërlidhen me prezencën e grupeve të ndërlidhura me islamin radikal në Kosovë. Sikurse zyrtarë të lartë nga Serbia, ashtu edhe mediat kanë ngritur më parë pretendime të ngjashme.

Disa pretendimet e ngjashme të trajtuara nga hibrid.info:

Pretendimi se shërbimet perëndimore mund të përdorin islamistët radikalë për të sulmuar serbët në Kosovë,

Pretendohet pa fakte se në Kosovë po organizohen trajnime të ISIS-it,

Pretendimi pa fakte se në Kosovë ka rritje të “grupeve xhihadiste”.


Për më tepër, Republika e Kosovës ka publikuar strategjinë shtetërore për parandalimin dhe luftimin e terrorizimit 2023-2028 në të cilën theksohet fakti se:

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë pjesë aktive në luftën globale kundër terrorizmit dhe financimit të tij, përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë me partnerët dhe mekanizmat ndërkombëtarë që trajtojnë këtë fushë. Për të reaguar ndaj të gjitha formave të terrorizmit, Republika e Kosovës dhe institucionet e saj udhëhiqen nga Strategjia Globale e Kombeve të Bashkuara kundër Terrorizmit, e cila është udhërrëfyes për çdo përpjekje për t’iu kundërvënë këtyre dukurive. Autoritetet shtetërore janë duke zbatuar edhe Marrëveshjen me Komisionin Evropian për zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor, vlefshmëria dhe vazhdimi i të cilit është zgjatur në tetor 2020.” (këtu)


Në fakt, raportet e mëhershme (vite më parë) nga organizatat për studime të sigurisë, e kanë paraqitur si kërcënim të sigurisë përfshirjen e kosovarëve në luftërat e shteteve të Lindjes së Mesme, por jo edhe në tre vitet e fundit. Sipas një raporti të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) të publikuar në tetor të vitit 2018, thuhet se të kthyerit nga luftërat e Lindjes së Mesme, paraqesin një rrezik fare të vogël, gjë që bije në kundërshtim me pretendimin e artikullit të Alo.rs.

Pjesë nga konkluzioni i raportit “Përtej Shkaktarëve: Rreziqet e reja të Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë”, të përgatitur nga QKSS: (Shiko këtu)

Deri më tani, shumica e luftëtarëve të huaj të Kosovës, që u kthyen pas luftimeve me IS, janë duke u gjykuar ose janë dënuar për angazhimin e tyre në aktivitete terroriste. Përkundër numrit të madh të luftëtarëve të huaj të kthyer në Kosovë, angazhimi i tyre në veprimtarinë terroriste është relativisht i ultë. Nga 135 luftëtarët e huaj që u kthyen në Kosovë pas ndarjes me IS në Siri dhe Irak, 5 nga ta u përfshinë në planifikimin e sulmeve terroriste ose në incidente të tjera në Kosovë”.


Analiza:

Gjevat Galijasheviq pretendon pa fakte se, “autoritetet e Prishtinës po përdorin islamikët radikalë në njërën anë për të ushtruar presion ndaj serbëve nga Kosova” dhe se Kosova “ka strukturë organizative dhe kapacitet për islam radikal, edhe pse e fsheh atë nga opinioni”.

Ky pretendim u bë nga ky, siç quhet, ekspert i sigurisë, duke mos iu referuar ndonjë burimi kredibil. Ndërsa, gjetjet e raporteve nga burime kredibile, të trajtuara nga hibrid.info e thonë të kundërtën. Pra, e argumentojnë reduktimin e numrit të luftëtarëve të huaj. Gjithashtu edhe angazhimi i institucioneve të Kosovës për të publikuar strategjinë shtetërore për parandalimin dhe luftimin e terrorizimit 2023-2028, dëshmon të kundërtën e pretendimit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “teori konspirative”.


Vlerësimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others