Kur ndodh një ngjarje tragjike, një nga pyetjet kryesore që lind në opinionin publik është: kush mbanpërgjegjësi? Në një sistem institucional, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje duhet të bazohet në ligje, kompetenca dhe hetime të plota.
Megjithatë, në hapësirën publike, përgjegjësia nuk përcaktohet vetëm përmes procedurave institucionale. Ajo ndërtohet edhe përmes komunikimit. Institucionet dhe aktorët politikë përdorin deklarata publike për të shpjeguar rolin e tyre, për të mbrojtur reputacionin dhe për të ndikuar mënyrën se si publiku e interpreton një ngjarje.
Një nga strategjitë që mund të shfaqet në këto raste është “blame shifting” (shmangja e fajit), një formë komunikimi përmes së cilës përgjegjësia për një problem i atribuohet një aktori tjetër.
Sipas politologut R. Kent Weaver (1986), aktorët politikë kanë prirje të përdorin strategji (blame avoiding) të tilla për të reduktuar kostot politike që vijnë nga rezultatet negative. Këto strategji përfshijnë mohimin e përgjegjësisë, transferimin e fajit ose theksimin e kufijve të kompetencave të tyre (shih këtu).
Çfarë është “blame shifting”?
Zhvendosja e fajit shpesh funksionon duke përdorur fakte reale, por duke i vendosur ato në një kornizë të caktuar.
Ky mekanizëm lidhet me konceptin e framing (kornizimit). Sipas këtij koncepti, komunikimi publik mund të ndikojë perceptimin e audiencës përmes përzgjedhjes së disa elementeve të realitetit dhe theksimit të tyre, ndërsa elemente të tjera lihen në plan të dytë.
Një qasje të ngjashme e kemi trajtuar edhe në artikullin “Manipulimet e bazuara në të vërteta“, ku shpjegohet se manipulimi i informacionit nuk ndodh gjithmonë përmes shpikjes së fakteve të rreme. Në shumë raste, informacioni i saktë mund të përdoret në mënyrë selektive, duke lënë jashtë kontekstin ose elementet që do të ndihmonin publikun ta kuptonte më plotësisht një çështje.
Në atë artikull, fenomeni i “cherry-picking” shpjegohet si përdorim selektiv i informacionit, ku përzgjidhen vetëm ato të dhëna që mbështesin një përfundim të dëshiruar, ndërsa pjesët që e plotësojnë ose e kundërshtojnë atë lihen jashtë. I njëjti mekanizëm mund të vërehet edhe te komunikimi mbi përgjegjësinë institucionale, ku një politikan mund të nxjerrë në pah vetëm ato fakte ligjore ose procedurale që mbështesin pozicionin e tij, duke e lënë në hije kompleksitetin e plotë të përgjegjësive.
Pra, një deklaratë mund të përmbajë informacion të saktë, por mënyra e përzgjedhjes dhe paraqitjes së tij mund të krijojë një kuptim jo të plotë të situatës.
Rasti tragjik në Prishtinë si shembull
Të martën një person vdiq, ndërsa një tjetër u lëndua pas rënies së vinçit në një vendpunishte në Prishtinë (shih këtu). Sipas Inspektoratit Qendror të Punës vinçi që u rrëzua në vendpunishte, ishte duke u montuar në momentin kur ndodhi aksidenti (shih këtu).
Menjëherë pas ngjarjes reagoi ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e cila me anë të një statusi kërkoi llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme nga Komuna e Prishtinës.
Ajo theksoi se përgjegjësia kryesore për lejimin, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e rasteve të tilla bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe Komunën e Prishtinës.

Pak më vonë reagoi, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili pretendoi se vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë është kompetencë e Inspektoratit të Punës.

Tutje, në sqarimin e mëvonshëm të Inspektoratit Qendror të Punës u tha se mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, në raport me punëmarrësit, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e tjerë që kanë qasje të autorizuar në kantier, është kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës.
Megjithatë, sipas Inspektoratit, lidhur me lejen ndërtimore dhe përmbushjen e kushteve ndërtimore, ky institucion nuk ka kompetencë ligjore për të vlerësuar nëse janë plotësuar apo jo kushtet për lëshimin e lejes ndërtimore, pasi kjo është përgjegjësi e autoriteteve kompetente sipas legjislacionit në fuqi.
Ndërkaq, sa i përket sigurisë së palëve të treta dhe parandalimit të dëmeve që mund t’u shkaktohen atyre, Inspektorati tha se Ligji për Ndërtim, përkatësisht neni 35, përcakton se përgjegjësia për mbikëqyrjen e zbatimit të masave të sigurisë në kantieret e ndërtimit i takon inspektorateve të ndërtimit të komunave përkatëse, të cilat janë kompetente të ndërmarrin masa ndaj subjekteve ndërtimore që cenojnë rregullat e sigurisë, duke përfshirë edhe rastet kur rrezikohen pronat ose personat jashtë kantierit.

Pse funksionon zhvendosja e fajit?
Zhvendosja e fajit funksionon sepse përgjegjësia institucionale është shpesh komplekse. Për publikun është më e lehtë të kuptojë një narrativë ku ekziston një “përgjegjës i vetëm”, sesa një situatë ku disa institucione kanë role të ndryshme.
Christopher Hood (2011) argumenton se “loja e fajit” është një proces ku aktorët politikë konkurrojnë për të kontrolluar mënyrën se si përgjegjësia interpretohet nga publiku (shih këtu).
Në këtë proces, komunikimi nuk synon vetëm të informojë, por edhe të ndikojë në atë se kujt qytetarët ia atribuojnë fajin.
Si ta dallojmë këtë formë manipulimi?
Për të analizuar nëse një komunikim përmban elemente të zhvendosjes së fajit, mund të shtrohen disa pyetje:
A paraqitet përgjegjësia si ekskluzive e një institucioni, edhe pse ligji përcakton role të ndara?
A përmenden vetëm kompetencat e të tjerëve dhe jo përgjegjësitë e institucionit që komunikon?
A paraqitet një pjesë e informacionit të saktë pa kontekstin e plotë?
A zhvendoset fokusi nga parandalimi dhe zgjidhja e problemit drejt fajësimit të një pale tjetër?
Përfundim
Zhvendosja e fajit nuk funksionon domosdoshmërisht përmes gënjeshtrave. Në shumë raste, ajo bazohet në fakte reale siç janë ligjet, kompetencat dhe procedurat institucionale.
Megjithatë, kur këto fakte përzgjidhen dhe paraqiten në mënyrë selektive për të krijuar një perceptim të njëanshëm mbi përgjegjësinë, ato mund të shndërrohen në një formë të manipulimit të informacionit.