Serbë nga Kosova, Serbia e vendet e rajonit u mblodhën të dielën në Gazimestan, Kosovë, për ta shënuar 28 qershorin, datë kjo e cila përkujton betejën kundër ushtrisë osmane në Kosovë në vitin 1389.
Policia e Kosovës përmes faqes zyrtare në Facebook njoftoi se festa ka kaluar pa ndonjë incident që do të mund të ndikonte në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të 37 personave në stacion policor për intervistim.
Sipas njoftimit, ata dyshohen se kanë provokuar turmën me thirrje provokuese dhe me elemente të nxitjes së urrejtjes, në kundërshtim me dispozitat ligjore. Ndërkohë, një personi i është shqiptuar gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike (shih këtu).
Megjithatë, në kanalet në gjuhën serbe në Telegram po qarkullon një fotografi ku shihet një pjesëtar i Policisë së Kosovës përballë një burri që mban në krahë vajzën e tij, e cila duket duke qarë.
Përmes kësaj fotografie zyrtari policor paraqitet si shkaktari i shqetësimit të fëmijës. Madje në njërin postim shkruan “Šiptarske stoke klasične, decu nam diraju” që në shqip përkthehet “Bagëti klasike shiptare, na prekin fëmijët” (shih këtu).

Kjo fotografi u gjet e publikuar në Telegram nga kanalet serbe (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Çka mungon në këtë fotografi?
Pamjet e videos nga i njëjti moment tregojnë një tablo tjetër. Në videon e publikuar nga telelvizioni “Tëvë1” shihet se zyrtari policor nuk sillet në mënyrë agresive ndaj fëmijës. Përkundrazi, në pamje shihet se ai i afrohet vajzës dhe përpiqet ta qetësojë me një gjest miqësor. Gjithashtu, nuk ka prova që vajza po qante si rezultat i ndërveprimit me policin (shih videon këtu).

Screenshot i një pamje tjetër nga ai moment
Çka është kornizimi?
Ky është një shembull i asaj që njihet si kornizim mediatik (framing). Kornizimi ndodh kur një ngjarje paraqitet duke theksuar vetëm një pjesë të realitetit, ndërsa lihet jashtë informacioni që mund të ndryshojë mënyrën se si publiku e interpreton atë.
Në këtë rast, fotografia është autentike, por e shkëputur nga konteksti i plotë që ofron videoja. Si rezultat, publiku mund të krijojë përshtypjen se polici po e frikëson fëmijën, edhe pse pamjet nuk e mbështesin këtë interpretim.
Përfundim
Rasti i fotografisë së shpërndarë gjatë Vidovdanit në Gazimestan ilustron qartë se si funksionon kornizimi mediatik në praktikë. Një imazh i vetëm, edhe kur është autentik, mund të çojë në interpretime të ndryshme në varësi të mënyrës se si paraqitet dhe kontekstit që e shoqëron.
Ky shembull thekson nevojën për kujdes në konsumimin e informacionit vizual, veçanërisht në mediat sociale, ku përmbajtjet shpesh shpërndahen pa kontekst të plotë. Në mungesë të këtij konteksti, ekziston rreziku që publiku të krijojë perceptime të pjesshme ose të pasakta për ngjarje të ndryshme.