[email protected]
Pretendohet rrejshëm se çmimi i bukës do të bjerë në 25 centë nga 1 qershori
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Është pretenduar përmes një videoje në Facebook se çmimi i bukës në Kosovë do të bjerë në 25 centë nga data 1 qershor.

“Vjen lajmi i shume pritur Nga 1 qeshori Çmimi i bukes 25 cente” titullohet videoja e faqes “Publiku” në Facebook, e publikuar dje (22 maj).

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?

Pas verifikimit nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në lidhje me zbritjen e çmimit të bukës nga 1 qershori.


Vegëza e postimit nga faqja “Publiku” në Facebook:

https://www.facebook.com/watch/?v=1651470345693031


Në këtë video-material thuhet po ashtu se “Nga 1 qershori aplikohet ligji i çmimit tavan, ku buka blihet me 25 centë, po ashtu edhe për gjërat elementare”.

Ky pretendim nuk qëndron. Ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg është shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në nëntor të vitit të vitit 2023. Ligji e konsideronte bukën në mesin e produkteve themelore. (shih këtu)

Video-materiali ka grumbulluar më shumë se 100 mijë shikime për më pak se një ditë që nga publikimi.


Një përmbajtje e ngjashme ishte publikuar edhe në të kaluarën. Hibrid.info pati trajtuar publikimin e faqes në Facebook me emrin “Mitrovica ime” që po ashtu thoshte se buka do të kushtojë 25 centë nga 1 qershori. 

Pas hulumtimit përmes makinave online të kërkimit përmes fjalisë “nga data 1 qershor, në gjithë territorin e Kosovës buka do të kushtojë 25 cent”, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informatë të publikuar në lidhje me ndonjë vendim për zbritjen e çmimit të bukës. (shih këtu)

I vetmi artikull që është gjetur me titull “Buka lirohet në 25 cent”, i publikuar në vitin 2009 në portalin “Telegrafi.com”. (shih këtu)


Analiza:

Faqja në Facebook me emrin “Publiku” ka publikuar dje një video nëpërmjet të cilës ka pretenduar se çmimi i bukës në Kosovë do të bjerë në 25 centë nga data 1 qershor.

Pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar lidhur me këtë zbritje të pretenduar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »