info@hibrid.info
Pretendimi i pasaktë mbi përqindjen e kosovarëve të punësuar në sistemin shëndetësor në Gjermani
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një artikull i titulluar “Mbi 50 % e stafit shëndetësor nga Kosova punon në Gjermani”.

Kjo përmbajtje me këtë titull është publikuar të hënën (3 nëntor) nga mediumi online “gazetaexpress.com”.

Çka nuk shkon me këtë titull?

Formulimi i titullit në këtë mënyrë nënkupton se më shumë se gjysma fuqisë punëtore të stafit shëndetësor në Kosovë janë tashmë duke punuar në Gjermani.

Në ndërkohë, e vërteta është se numri i shtetasve nga Kosova, që punojnë në sistemin shëndetësor të Gjermanisë, është i barabartë me 50.3% të numrit të atyre që punojnë në këtë sektor në Kosovë.

Pretendimi është publikuar si artikull edhe në mediat si: “epokaere.com”, “gazetametro.com”, “demokracia.com”, “frontonline.net” dhe në formë video-materiali në kanalin në youtube të mediumit “lajmi.net”.


Përmbajtja e publikuar nga “gazetaexpress.com” i është referuar një publikimi të uebfaqes së revistës “monitor.al” (shih këtu).

Artikulli i publikuar nga kjo revistë ka titullin “Shëndetësia në rrezik, 30% e stafit punon në Gjermani”, që i referohet të dhënave për Shqipërinë. Këta dy artikuj, ndonëse shumë të ngjashëm në strukturë, burime dhe përmbajtje, dallojnë në fokusin kryesor: artikulli i “gazetaexpress.com” e vendos në qendër Kosovën, ndërsa ai i “monitor.al” e përqendron vëmendjen te Shqipëria.

Informacioni i paraqitur në titull konfirmohet edhe brenda tekstit kur thuhet se, “Një studim i fundit në Gjermani mbi emigrimin në vendet e Ballkanit Perëndimor evidentoi se afërsisht 50% stafit shëndetësor nga Kosova kishin emigruar në Gjermani deri në vitin 2023”.

Megjithatë, më poshtë në tekst jepet një formulim ndryshe i të njëjtës shifër, kur theksohet se, “Në vitin 2023, numri i shtetasve nga Kosova që punojnë në sistemin gjerman të kujdesit shëndetësor ishte i barabartë me 50.3% të fuqisë punëtore vendase të kujdesit shëndetësor”.

Ky pohim dallon nga ai i paraqitur në titull pasi krijon paqartësi lidhur me mënyrën se si është interpretuar shifra e paraqitur në në titull.


Andaj, hibrid.info ka hulumtuar studimin, të cilit i janë referuar mediumet që kanë paraqitur pretendimin. Hibrid.info gjeti dokumentin e punimit studimor, me titullin “Rrjedhat e migracionit nga Ballkani Perëndimor në Gjermani: pasojat dhe rekomandimet”, të publikuar nga “Bruegel” (think tank evropian i specializuar në ekonomi) (shih këtu).

Në këtë dokument thuhet se, “Në vitin 2023, numri i kosovarëve që punonin në sistemin gjerman të kujdesit shëndetësor ishte i barabartë me 50.3 % të fuqisë punëtore vendore shëndetësore në Kosovë” (shih këtu).


Kjo do të thotë se përqindja e kosovarëve (50.3%) që punonin në vitin 2023 në sektorin shëndetësor në Gjermani ishte krahasuese me fuqinë e plotë punëtore shëndetësore të asaj kohe që punonin në Kosovë.

Sipas rezultateve të dala nga një publikim i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik në Kosovë, në vitin 2023, ishte 13 894 (shih këtu).

Analiza:

Titulli “Mbi 50 % e stafit shëndetësor nga Kosova punon në Gjermani” që i referohet një punimi studimor të një think-tanku me bazë në Bruksel, nuk është i saktë.

Informacioni jep përshtypjen se më shumë se gjysma e të gjithë punonjësve shëndetësorë kosovarë punojnë në Gjermani, ndërkohë që të dhënat reale tregojnë se përqindja e dhënë 50.3% krahasohet me fuqinë totale punëtore shëndetësore që Kosova e kishte në vitin 2023.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others

Leave a Reply