[email protected]
Rishikimi i javës: Përmbajtje e paverifikuar se Mourinho ka folur për lojën e Shqipërisë në Euro 2024, lajm i rremë për koalicion parazgjedhor ose pazgjedhor, mashtrim për produkte shëruese të diabetit
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi, artikujt clickbait dhe përmbajtjet e paverifikuara janë ato që e dominuan ekosferën keqinformuese.

Artikujt clickbait u publikuan në media reale, përfshirë këtu një artikull për ngjarje tragjike që nuk bëhet e ditur në titull vendndodhja e ngjarjes; deklaratë të vjetër të Shemsi Krasniqit-Shemit, ndërlidhur me Goran Bregoviqin; si dhe pretendimi çorientues se kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë pasur bisedë sekrete.

Përmbajtjet e paverifikuara janë publikuar në media reale dhe media sociale. Në media reale u publikuan pretendimet e paverifikuara se trajneri portugez, Jose Mourinho ka lavdëruar në një postim në Twitter kombëtaren shqiptare; si dhe një video-material me pretendimin se janë pamje të “Tifozave Kuq e Zi” në Dortmund, në Euro 2024. Në media sociale u publikua një video-material me pretendimin se shtatorja e Skënderbeut është bartur drejt Dortmundit.

Dezinformatat janë publikuar në media sociale me pretendimet se Edi Rama dhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do jenë në stadium për ta mbështetur Serbinë kundër Anglisë; Zyrtari i Ministrisë së Sportit në Serbi, Urosh Pribiçeviq, nëpërmjet një postimi në Twitter ka pretenduar rrejshëm për arrestim të shqiptarëve në mesin e tifozëve anglezë.

Teoritë konspirative janë publikuar në media në gjuhën serbe me pretendimet se disa mbishkrime në vendbanimet me shumicë serbe si tendencë për dëbimin e tyre dhe arrestimin e një qytetari serb si  përpjekje për të shkaktuar krizë në veri të Kosovës.

Përmbajtjet mashtruese janë publikuar në media sociale me pretendimet se Qeveria e Kosovës nga qershori do të ofrojë kurse falas të gjuhës angleze për personat nga mosha 18 – 65 vjeç; si dhe se është gjetur “shpëtimi për diabetikët”.

Manipulimi i fakteve është publikuar në media sociale me pretendimin se futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë, Jasir Asani dhe Ylber Ramadani, janë tallur me bashkëlojtarin e tyre, Elseid Hysaj.

Lajm i rremë është vlerësuar një imazh i publikuar në media sociale me mbishkrimin që pretendon se Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është deklaruar se janë duke shqyrtuar mundësinë e një koalicioni parazgjedhor ore paszgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Mashtrim/manipulim i fakteve është vlerësuar pretendimi se aktivisti Rron Gjinovci ka shprehur mbështetje për kombëtaren serbe para ballafaqimit me Slloveninë në Euro 2024.

Clickbait

U publikua një artikull me titull “Ngjarje tronditëse/ Nusja vret me thikë burrin dhe vjehrrin”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli i këtij artikulli është përgjithësues që nuk sqaron se ku ka ndodhur ngjarja, e që vetëm në përmbajtje sqarohet se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Maqedoninë e Veriut. Ndërsa fotografia e përdorur në këtë artikull është e një ngjarjeje nga viti 2016 në Prishtinë. (këtu)

Është publikuar një imazh me portretet e këngëtarëve Goran Bregoviq dhe Shemsi Krasniqi – Shemi, me mbishkrimin që pretendon se Shemi është shprehur “Goran Bregoviç ka respekt për kombin shqiptar, ai duhet të thirret nga Kosova dhe të këndojë në qendër të Prishtinës”. Imazhi është publikuar dje (18 qershor) nga faqja e mediumit “kosova-sot.info” në Facebook dhe i është bashkangjitur edhe vegëza e artikullit të publikuar në ueb-faqe (shih këtu). Deklarata e solistit të grupit “Ilirët” është e vërtetë, por që e njëjta ishte bërë publike në vitin 2021, gjë e cila nuk bëhet e ditur në postimin e “kosova-sot.info”. (këtu)

Nëpërmjet titullit është pretenduar se kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë pasur bisedë sekrete. “PERGJIM NE MESNATE/ Biseda sekrete ndërmjet Vuçiç dhe Macron” mban titullin artikulli i publikuar nga portali “ntv.al” të shtunën (22 qershor). Titulli nuk korrespondon me përmbajtjen e artikullit. Aty nuk përmendet asnjëherë ndonjë bisedë “sekrete”. Artikulli merr për bazë njoftimin publik të Vuçiqit për bisedën me Macronin. (këtu)

Dezinformatë

Është publikuar një imazh ku shfaqen pranë njëri tjetrit kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me mbishkrimin që pretendon se të dy janë deklaruar se do jenë në stadium për ta mbështetur Serbinë kundër Anglisë. Hibrid.info ka gjetur se një deklaratë e tillë, ka ardhur nga Abazoviq, por jo edhe nga kryeministri Rama. (këtu)

Zyrtari i Ministrisë së Sportit në Serbi, Urosh Pribiçeviq, nëpërmjet një postimi në Twitter ka pretenduar për arrestim të shqiptarëve në mesin e tifozëve anglezë për sulm ndaj tifozëve të Serbisë në Kampionatin Evropian “Euro 2024”. Për këtë pretendim ai ka përdorur një fotografi me disa persona në emra e mbiemra në gjuhën shqipe. Pas verifikimit del se fotografia që ai ka përdorur është e vjetër dhe e publikuar në raportimin e marsit 2023 për dënimin e bandës me rreth 90 vjet burgim për kokainë. (këtu)

Teori konspirative

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull dje me pretendimin për mbishkrimet “Albania” në muret e Qendrës së kulturës dhe këndin e lojërave për fëmijë në fshatin Shushicë, afër Graçanicës. Këto media i referohen komunikatës së Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë lidhur me rastin. Kjo Zyrë, rastin e interpreton si akt vandalizmi, që përveç “shkatërrimit të pronave serbe, synon qartë të frikësojë fëmijët serbë dhe t’i shqetësojë prindërit e tyre”, dhe “provokime të tilla janë në lidhje të drejtpërdrejtë me idetë dhe ëndrrat e Albin Kurtit për një Shqipëri të Madhe dhe një Kosovë të pastër etnikisht”. Si mediat në gjuhën serbe, po ashtu edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk ofrojnë fakte për kryesit e veprës së mbishkrimeve në fshatin Shushicë. (këtu)

Nëpërmjet një komunikate publike, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka pretenduar se arrestimi i një qytetari serb në Bistricë të mërkurën (19 qershor) është përpjekje për të shkaktuar krizë në veri të Kosovës. Kjo zyrë ka thënë se arrestimi i Lazar D. është bërë për arsye politike dhe është përpjekje e Albin Kurtit për të përshkallëzuar situatën në veri dhe për të shkaktuar krizë të re. “Arrestimi i Lazar D., përpjekje e re e Kurtit për të shkaktuar krizë në veri të Kosovës dhe Metohisë”, mban titullin reagimi në uebfaqen zyrtare të kësaj zyre. Ky reagim u publikua të enjten (20 qershor). Reagimi përmban pretendime për të cilat zyra nuk ka ofruar asnjë fakt. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

““Skënderbeu, heroi kombëtar” niset drejt Dortmundit për ndeshjen Itali – Shqipëri”, mban mbishkrimin një video e publikuar me datë 16 qershor. Video-materiali u publikua nga faqja zyrtare e televizionit Klan në Instagram. Në këtë video-materialit paraqitet shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke u bartur me një automjet. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se videoja është e vjetër (4 maj) dhe paraqet shtatoren e Skënderbeut duke u bartur në qytetin e Gjakovës. (këtu)

Jemi në ditën e 5 të Kampionatit Evropian që po zhvillohet në Gjermani, dhe materiale manipuluese të ndërlidhura me këtë ngjarje po shfaqen çdo ditë. Së fundmi është shfaqur një video-material në rrjete sociale, përmes së cilës pretendohet se janë pamje të “Tifozave Kuq e Zi” në Dortmund, në Euro 2024. Video-materialin e ka publikuar (15 qershor) një llogari në TikTok me emrin “gazeta.mk”. Hibrid.info ka gjetur se pamjet janë të vjetra dhe të njëjtat nuk shfaqin pamje nga Dortmundi. (këtu)

Është pretenduar se trajneri portugez, Jose Mourinho ka lavdëruar në një postim në Twitter kombëtaren shqiptare të futbollit për paraqitjet në Kampionatin Evropian “Euro 2024”. Pretendimi është publikuar nga mediume të shumta në gjuhën shqipe të enjten (20 qershor) dhe të premten (21 qershor). Jose Mourinho nuk ka llogari në Twitter. Postimi është bërë nga një llogari me emrin “Iconic_Mourinho” më 19 qershor, pasi Shqipëria barazoi 2:2 me Kroacinë. Nuk ka fakte se prapa kësaj llogarie qëndron trajneri i famshëm 61-vjeçar. (këtu)

Mashtrim

Është publikuar një vegëz e sponsorizuar, në formë imazhi, me mbishkrimin që pretendon se Qeveria e Kosovës nga qershori do të ofrojë kurse falas të gjuhës angleze për personat nga mosha 18 – 65 vjeç. Në përmbajtjen e publikuar dje (18 qershor) në Facebook nga faqja me emrin “Service333”, tutje thuhet se të interesuarit do të mund të përfitojnë tabletë falas dhe një certifikatë brenda katër javësh. Faqja e cila ka publikuar përmbajtjen me këtë pretendim është e dyshimtë, ndërsa nga Qeveria e Kosovës, nuk është  publikuar asnjë vendim zyrtar në lidhje me këtë çështje. (këtu)

Faqet “Second Ai”, “Keep Your Alive” dhe “Zei Trodowcel” kanë publikuar një fotografi nëpërmjet të cilës kanë pretenduar se është gjetur “shpëtimi për diabetikët”, duke përdorur fotografi të manipuluar të një kinse një transmetimi televiziv në RTK dhe të një mjekeje që pas verifikimit ka dalë të jetë turke. Publikimet çojnë në një artikull në ueb-faqe të dyshimtë me qëllim të reklamimit të një produkti. Artikulli përmban fotografi të vjetra që nuk lidhen me çështjen e pretenduar që e reklamojnë faqet. Për më shumë, në artikuj ka përmbajtje në gjuhën ruse. Nuk është hera e parë që përmbajtja e tillë qarkullon në gjuhën shqipe në Facebook (këtu).

Manipulim i fakteve

Mirëpo, një video-material po qarkullon nëpër media sociale ku po pretendohet se futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë, Jasir Asani dhe Ylber Ramadani, janë tallur me bashkëlojtarin e tyre, Elseid Hysaj. Ky video-material, ku shihen Asani me Ramadani duke qeshur mes vete, u publikua dje (18 qershor) nga faqja “Gazetavip.com” në Facebook me mbishkrimin “#JasirAsani dhe #Ramadani tallen me bashkëlojtarin e tyre #ElseidHysaj për uljen e kokës ndaj #Italisë”. Përveç që këta dy lojtarë shihen duke biseduar e qeshur mes vete, nuk ka asnjë fakt që të njëjtit janë tallur me Hysajn për veprimin që ai bëri gjatë ndeshjes ndaj Italisë, ku në rastin e golin të dytë të italianëve, kishte ulur kokën. (këtu)

Lajm i rremë

Publikohet një imazh me mbishkrimin që pretendon se Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është deklaruar se janë duke shqyrtuar mundësinë e një koalicioni parazgjedhor ore paszgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), për të larguar nga pushteti Albin Kurtin. Fotografia me këtë pretendim është publikuar sot (20 qershor) në TikTok, nga llogaria me emrin “albiin_kurti”. Hibrid.info ka gjetur se asnjë nga qëndrimet publike të Abdixhikut nuk përputhen me atë që pretendohet në përmbajtjen e lartcekur. (këtu)

Mashtrim / Manipulim i fakteve

Është publikuar një imazh që paraqet një status në Facebook, të aktivistit Rron Gjinovci, ku shkruan “Miq slloven, pergatituni me hupe thelle”, të cilit ia ka bashkangjitur edhe emotikonin e flamurit serb. Pretendimi se aktivisti Rron Gjinovci ka shprehur mbështetje për kombëtaren serbe para ballafaqimit me Slloveninë në Euro 2024, është i pa vërtetë. Imazhi që tregon statusin e Gjinovcit me këtë pretendim, është i manipuluar. Aktivisti, në fakt me të njëjtat fjalë në Facebook, ka treguar se do ta përkrahë Kroacinë në ndeshjen kundër kombëtares shqiptare, në Euro 2024. (këtu)

Share With Others

Translate »