[email protected]
Media në serbisht konspiron se kryeministri Kurti po i kërcënon serbët në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Mediumi në gjuhën serbe, “Informer.rs” ka publikuar një artikull sot (20 gusht) me pretendimin se kryeministri Albin Kurti është i gatshëm ta pushtojë me dhunë veriun e Kosovës duke i kërcënuar publikisht të gjithë serbët!

Artikulli i referohet deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, dhënë për Zërin e Amerikës (VOA) gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara (ShBA), për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago.

Bazuar në deklaratën e dhënë nga Kurti, nuk bëhet fjalë për ndonjë kërcënim ndaj serbëve.


Vegëza e artikullit të publikuar në “Informer.rs”:

https://informer.rs/vesti/politika/935888/kurti-zapretio-otvaranjem-mosta-na-ibru


Pjesë të artikullit të publikuar në “Informer”, të përkthyer në shqip:

Titulli: Kurti nuk turpërohet më nga asgjë! Terroristi i gatshëm për të pushtuar me dhunë veriun e Kosovës dhe Metohisë, kërcënoi publikisht të gjithë serbët!

Nëntitulli: Kurti kërcënoi publikisht të gjithë serbët dhe tha se hapja e urës mbi lumin Ibër do të bëhet në një kohë sa më të shkurtër dhe se ky vendim është në interes të të gjithë qytetarëve.


Çka tha në të vërtetë Kurti për Zërin e Amerikës?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në një intervistë për Zërin e Amerikës se hapja e urës mbi Lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve do të ndodhë sipas një plani që qeveria e tij ka ndarë me partnerët amerikanë dhe evropianë. Ai theksoi se Prishtina ka realizuar konsultime me komunitetin serb në veri dhe në jug të Kosovës dhe ka testuar qëndrueshmërinë fizike dhe teknike të urës, si dhe se hapja e urës nuk është kundër askujt. (këtu)

“Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë në bazë të planit, të cilin e kemi ndarë së bashku me partnerët, miqtë, aleatët amerikanë dhe evropianë. Kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri të Kosovës dhe në jug. Konsultime janë bërë edhe me shqiptarët, edhe me komunën veriore dhe jugore të Mitrovicës. Gjithashtu kemi testuar qëndrueshmërinë fizike dhe teknike të urës mbi Ibër dhe po bëjmë një dizajnim, zbukurim, sepse duhet të kujdesemi edhe për pamjen vizuale të kësaj ure. Duam që ta bëjmë sa më parë”.

“Jemi duke i dëgjuar me vëmendje të gjitha vërejtjet dhe sygjerimet. Kurrë nuk kam pasur më shumë konsultime dhe koordinim dhe jam optimist se do ta kemi edhe sundimin e ligjit e lirinë e lëvizjes në njërën anë e paqen, sigurinë në anën tjetër. Hapja e urës nuk është kundër askujt, është për komunitetin serb për shqiptarët, për boshnjakët dhe për të gjithë pakicat. Evropa i ka shembur të gjitha muret, ne jemi në Evropë dhe duhet ta hapim edhe këtë urë”.

Ai tha se në raport me këtë çështje, Kosova synon që në njërën anë të mos i befasojë partnerët e saj, por në anën tjetër, të mos lejojë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht.

Por as nuk do t’i befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë dhe amerikanë në njërën anë, por në anën tjetër, as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë dhe besojmë se hapja e kësaj ure është e drejtë, e nevojshme, e mirë dhe e dobishme për të gjithë.”


Analiza:

Mediumi serb “Informer.rs” ka publikuar një artikull që pretendon se kryeministri Albin Kurti ka kërcënuar të pushtojë me dhunë veriun e Kosovës dhe serbët, pretendim ky i nxjerrë nga deklarimet e Kurtit në Zërin e Amerikës, megjithëse deklaratat e kreut të ekzekutivit kosovar nuk përmbajnë kërcënime të tilla.

Kurti theksoi se hapja e urës do të bëhet sipas një plani të ndarë me partnerët amerikanë dhe evropianë, duke përfshirë konsultimet e bëra me komunitetin serb në veri dhe jug të Kosovës, dhe se kjo hapje është për të mirën e të gjithë komuniteteve, përfshirë serbët, shqiptarët, boshnjakët dhe pakicat e tjera, e kundër askujt.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info pretendimin e vlerëson si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »
1406