Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet një fotografie të publikuar në TikTok është pretenduar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e mbështet për kryeministër të Kosovës, kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.
Pretendimi u bë nga llogaria “partiademokratike88” në TikTok më 28 nëntor.
E vërteta?
Pas verifikimit nga hibrid.info, del se pretendimi nuk është i bazuar në fakte.
“Edhe Kryeministri Rama mbështet prof.dr.Bedri Hamzën për Kryeministër”, thuhet në mbishkrimin që kjo llogari ia ka vënë një fotografie në të cilën shihen Hamza dhe Rama.

Fotografia është marrë nga llogaria e Hamzës në Facebook. Ai më 27 nëntor kishte shkruar për takimin me Ramën për festën e 28 Nëntorit.
“Në Tiranë, takim me kryeministrin Edi Rama për festën e madhe të 28 Nëntorit. Qëndrojmë të bashkuar, siç kemi qenë gjithmonë, për ta nderuar trashëgiminë dhe për të punuar së bashku për të ardhmen tonë. Kur Kosova dhe Shqipëria janë mirë, #mamirë janë të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë!” pati shkruar Hamza në Facebook në postimin për takimin me Ramën. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Hamza ishte takuar edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj (njoftimi).
Hibrid.info përmes makinave online të kërkimit s’ka arritur të gjejë ndonjë artikull në të cilin Rama ka ofruar mbështetje për Hamzën (shih këtu). Po ashtu nuk ka asnjë artikull kredibil në të cilin është raportuar se Rama mbështet ndonjë kandidat në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kosovë (shih këtu).
Deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info, ky publikim i ka marrë mbi 8400 shikime. Postimi i ka 567 pëlqime dhe 341 komente.
Në fund të marsit, Partia Demokratike e Kosovës e prezantoi Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër. Hamza aktualisht është kryetar i Mitrovicës së Jugut. Zgjedhjet parlamentare janë caktuar të mbahen më 9 shkurt 2025.
Analiza:
Llogaria “partiademokratike88” në TikTok ka publikuar një fotografi të kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, nga një takim për 28 Nëntor. Llogaria në fjalë pa fakte ia ka vënë mbishkrimin se Rama e mbështet kandidatin e PDK-së për zgjedhje.
Por hibrid.info s’ka gjetur asnjë artikull për mbështetjen e pretenduar nga Rama për Hamzën apo ndonjë kandidat tjetër.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.