Shkroi: Festim Rizanaj
Gjatë seancës së kuvendit të Serbisë të martën, më 4 mars, deputetët e opozitës shkaktuan një incident duke hedhur bomba tymuese në sallën plenare dhe duke shpalosur pankarta kundër qeverisë. Ky veprim erdhi si reagim ndaj rendit të ditës, të cilin opozita e kundërshtoi ashpër, duke e akuzuar pushtetin për mungesë transparence dhe përpjekje për të shtypur zërat kritikë.
Pas këtij incidenti, kryetarja e kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, si dhe përfaqësues të Listës Serbe e drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, e lidhën veprimin e opozitës serbe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ata i cilësuan deputetët opozitarë si bashkëpunëtorë të tij, duke nënkuptuar se protesta dhe aktet e tyre destabilizuese ishin të frymëzuara apo të mbështetura nga Prishtina. (këtu)
Dy tabloide serbe, Novosti dhe Informer, i dhanë një qasje të veçantë raportimit mbi incidentin në Kuvendin e Serbisë, duke e ndërlidhur atë me mediat në Kosovë dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Gazeta Novosti publikoi një artikull me titull “KURTI I KËNAQUR! Në mediat shqiptare, lajmi kryesor është dhuna e opozitës serbe”, duke e ilustruar me një fotografi të raportimit nga portali informativ Koha.net në Kosovë. Artikulli sugjeron se ngjarjet në Beograd janë pritur me kënaqësi nga Kurti dhe se mediat kosovare i kanë dhënë atyre një vëmendje të madhe.

Në të njëjtën linjë, tabloidi Informer publikoi një artikull me pretendimin “Kurti i kënaqur! Dhuna e opozitës në Kuvendin e Serbisë është lajmi kryesor në mediat e Prishtinës!”. Artikulli u shoqërua me një ilustrim nga raportimi i gazetës kosovare online Gazeta Express, duke forcuar narrativën se trazirat në kuvendin e Serbisë janë reflektuar gjerësisht në mediat e Kosovës dhe se Kurti e ka pritur këtë situatë me kënaqësi.

Këto raportime synojnë të krijojnë një lidhje mes opozitës serbe, mediave kosovare dhe qeverisë së Kosovës, duke e vendosur incidentin e së martës në një kontekst më të gjerë politik dhe rajonal.
Krahas raportimeve që lidhin incidentin në Kuvendin e Serbisë me mediat në Kosovë dhe kryeministrin Kurti, në disa media serbe u promovuan edhe pretendime të tjera që synojnë të krijojnë një narrativë mbi një lidhje të drejtpërdrejtë midis opozitës serbe dhe qeverisë së Kosovës.
Tabloidi Informer publikoi një artikull me titull pretendues: “Đilas (Gjilasi) urdhëroi: Aktivizoni skenarin e Kurtit! Ekstremistët opozitarë shkatërrojnë!”. Në përmbajtjen e tij, Informer pretendon se Dragan Đilas (Gjilas), lideri i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP), ka udhëzuar opozitën parlamentare që të zbatojë një skenar të inspiruar nga Kurti, të cilin tabloidi e quan “kriminel shqiptar”. Artikulli e përshkruan protestën e opozitës në kuvend si një veprim të qëllimshëm për të destabilizuar situatën në Serbi.

Në të njëjtën linjë, e përditshmja Novosti publikoi një artikull me të njëjtin pretendim dhe titull. Për të mbështetur këtë narrativë, Novosti iu referua një postimi nga llogaria në platformën “X” me emrin IllyrianSage, duke e përdorur si burim për të përforcuar akuzat ndaj opozitës serbe. Duke iu referuar këtij postimi, në këtë artikull pretendohet se “ekstremistët shqiptarë që lavdërojnë të ashtuquajturën UÇK festojnë kaosin që, sipas skenarit të Albin Kurtit, po zbatohet nga deputetët e opozitës në Kuvendin e Serbisë, të udhëhequr nga Dragan Đilas (Gjilas)”.

Këto raportime në media serbe synojnë jo vetëm të diskreditojnë opozitën, por edhe ta paraqesin atë si një faktor që vepron në interes të qeverisë së Kosovës. Përmes lidhjes së drejtpërdrejtë me Kurtin, ato krijojnë një narrativë sipas së cilës trazirat në kuvend nuk janë vetëm një akt proteste kundër qeverisë së Vuçiqit, por një skenar i orkestruar me mbështetje nga Prishtina.