info@hibrid.info
Gjatë tensioneve në Parlamentin e Serbisë s’pati thirrje “UÇK, UÇK”
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Është pretenduar se në mesin e tensioneve në Parlamentin e Serbisë të martën (4 mars) ka pasur thirrje “UÇK, UÇK”.

Pretendimi u bë nëpërmjet një videoje nga tensionet. “Në Parlamentin e Serbisë ndegjohen thirrjet UÇK, UÇK”, është mbishkrimi i vendosur në videon e publikuar nga “Al-Press” në Facebook më 5 mars.

E vërteta?

Në videon e publikuar nga kjo ngjarje, dëgjohen thirrjet “Ustaše” dhe jo për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pos që dëgjohet në audio, kjo është konfirmuar edhe nga raportimi i medias në gjuhën serbe “n1srbija” në Instagram, që ka shkruar se ky term u përdor nga deputetët e pushtetit në Serbi në drejtim të deputetëve opozitarë, pasi këta hodhën gaz lotsjellës e pati edhe përplasje fizike.

Fjala “ustashe” i referohet një lëvizjeje dhe grupi politik-ushtarak kroat ultranacionalisht që udhëhoqi Kroacinë në kohën e Gjermanisë naziste. Tani përdoret si term referuar nacionalistëve ekstremë kroatë ose personave me ideologji të ngjashme.


Pos faqes “Al-Press” në Facebook, përmbajtja e njëjtë me pretendimin e njëjtë u publikua edhe në Instagram nga llogaria “albanian_is_illyrian_tv”, që deri tash ka marrë afër 700 pëlqime. Në këtë postim ka komente që kanë thënë se brohoritjet kanë qenë “ustashe” dhe jo “UÇK”.


Çka ndodhi në Parlamentin e Serbisë?

Të martën (4 mars), në Kuvendin e Serbisë, deputetët e opozitës shkaktuan incident duke aktivizuar mjete piroteknike dhe duke hedhur bomba tymuese. Kjo ndodhi pasi shumica qeverisëse miratoi rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi. Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetares dhe shpalosën një pankartë me mesazhin “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.

E kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, subjekti politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe, dhe shefi i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, e lidhën këtë zhvillim në Kuvendin e Serbisë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se ata po e ndjekin modelin e tij dhe e quajtën këtë të fundit si bashkëpunëtor të opozitës në Beograd. Deklaratat e Listës Serbe, Bërnabiqit dhe Petkoviqit e lidhin pa asnjë bazë opozitën në Serbi me Kurtin, duke e paraqitur çdo shprehje opozitare atje si një komplot të orkestruar nga Kurti kundër Serbisë. (Shih këtu)

Shih këtu edhe për narrativat konspirative që u publikuan në mediat në Serbi mbi kaosin në Kuvend dhe lidhjen e opozitës serbe me Kurtin.


Analiza:

Është pretenduar përmes një videoje se në mesin e tensioneve në Kuvendin e Serbisë të martën (4 mars) ka pasur thirrje “UÇK, UÇK”.

Por në audio dëgjohen thirrjet “ustashe” që u referohen nacionalistëve ekstremë kroatë dhe jo Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu kjo konfirmohet nga raportimi i medias në gjuhën serbe “n1srbija”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »