Shkroi: Fatbardh Dema
Faqja albania.news-pravda.com, e cila operon si domain në shqip i rrjetit propagandistik rus, Pravda, ka publikuar një video-material në të cilin shfaqet një person duke ndez zjarr në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicën e Veriut.
Përmes kësaj përmbajtje pretendohet se “Një shqiptar është kapur duke i vënë flakën një manastiri Ortodoks serb në Veri të Mitrovicës së Kosovës”.

E vërteta?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se kjo përmbajtje u publikua vetëm dy ditë pas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, e cila më 26 korrik 2025 kishte raportuar në faqen e saj zyrtare në Facebook për një incident zjarrvënës në të njëjtën lagje, pasi kishte pranuar informatë për një zjarr të shpërthyer në një zonë të banuar.
Mirëpo, policia nuk ka raportuar asnjë motiv etnik apo ndëretnik në lidhje me rastin, duke e trajtuar atë si një vepër penale individuale.
Pra, nuk dihet nëse personi ishte shqiptar apo i ndonjë nacionaliteti tjetër, si dhe nuk është e vërtetë që ky person i ka vënë flakën një manastiri ortodoks serb, siç pretendohet në artikullin e publikuar në Pravda.
Hibrid.info ka hulumtuar tutje rreth kësaj përmbajtje të publikuar në Pravda. Pas kontrollit të fakteve, u gjet se kjo video me të njëjtin pretendim fillimisht u publikua nga një kanal rus në Telegram të quajtur “@infantmilitario”, i cili numëron afër 290 mijë abonues.

Më pas, e njëjta përmbajtje u shpërnda edhe në portalin në gjuhën ruse “Pressa24.ru”.

Me datë 29 korrik, i njëjti video-material u publikua po ashtu në domainin e Pravda në shqip, por që iu dha pretendimi tjetër se “Në veriun e Kosovës, shqiptarët ndezën zjarre, duke shkaktuar viktima, si metodë e shpërnguljes së popullatës serbe”. (shih këtu trajtimin nga hibrid.info)
Hibrid.info me 18 korrik ka publikuar raportin hulumtues mbi një rrjet të madh propagandistik dhe dezinformues, të njohur si “Pravda”, që operon në mbi 80 shtete, ku përfshihet edhe Ballkani, dhe tashmë ka hapur një “portal lajmesh” edhe në shqip.
Raporti tregon se si rrjeti “Pravda”, përmes përmbajtjeve të pabazuara në burime të besueshme, synon të ndikojë në opinionin publik duke përhapur narrativa pro-ruse dhe pro-serbe. (shih raportin këtu)
Analiza:
Faqja albania.news-pravda.com, pjesë e rrjetit propagandistik rus Pravda, publikoi një video ku pretendohet se një shqiptar ka vënë zjarr një manastiri ortodoks serb në veri të Mitrovicës.
Verifikimi nga hibrid.info tregon se videoja u publikua dy ditë pas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës (26 korrik 2025) për një rast zjarrvënës në lagjen “Kodra e Minatorëve”. Policia nuk ka raportuar motiv etnik apo ndëretnik dhe nuk ka përmendur ndonjë manastir.
Përmbajtja fillimisht ishte shpërndarë nga kanali rus në Telegram “@infantmilitario” (rreth 290 mijë abonues) dhe më pas edhe nga portali rus Pressa24.ru.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.