Të fundit | Ker-Lindsay nuk ka deklaruar se Serbia ka departament që ndikon diasporën s… Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar
[ ARTIKULLI ]

Narrativat e pabaza serbe mbi aleancën Kosovë–Shqipëri–Kroaci dhe blerjen e përbashkët të armëve nga SHBA-ja

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Më 18 mars, në Tiranë, ministrat e Mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë firmosën një Deklaratë të përbashkët për aleancë ushtarake, me qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, zhvillimin e industrisë së armëve dhe rritjen e bashkëpunimit përmes programeve të përbashkëta arsimore dhe stërvitore.

Dokumenti parashikon masa për t’u përballur me kërcënimet hibride dhe për të forcuar qëndrueshmërinë strategjike, duke dhënë një mbështetje të qartë për integrimin euro-atlantik dhe sigurinë në rajon.

Analistët serbë pretendojnë se kjo marrëveshje është e drejtuar kundër Serbisë dhe popullit serb, duke e parë si përgatitje për një konflikt të mundshëm me Serbinë.

Marrëveshja trepalëshe ushtarake dhe blerja e përbashkët e armëve

Në Tiranë, më 18 mars, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia formalizuan një deklaratë të përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, si dhe nga homologët e tij, Pirro Vengu i Shqipërisë dhe Ivan Anushiq i Kroacisë.

Në deklaratën e nënshkruar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe ai i Kroacisë, Ivan Anušić, u përcaktuan katër pika bashkëpunimi:

  • Nxitja e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse;
  • Rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimeve dhe ushtrimeve;
  • Luftimi i kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë;
  • Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.

Ministritë e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ekipet e ekspertëve po hartojnë planin e zbatimit të deklaratës, ndërsa ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, bëri të ditur se më 18 korrik në Tiranë është mbajtur takimi i grupit zbatues për ta detajuar atë në nivel operacional. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, udhëzuesi përfundimtar do t’u paraqitet për miratim tri ministrive në shtator.

Ministri Ejup Maqedonci tha se angazhimi i parë i paraparë në deklaratën e përbashkët është realizimi i blerjeve të përbashkëta të armatimit, duke bërë një porosi të vetme nga SHBA-ja në emër të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, me qëllim uljen e kostos dhe përshpejtimin e afateve të dorëzimit.

Narrativat e zyrtarëve dhe mediave serbe

Duke iu referuar detajeve të marrëveshjes trepalëshe dhe duke theksuar planin për një blerje të përbashkët të armëve, artikujt e publikuar në media serbe krijojnë narrativën se aleanca ushtarake Kosovë–Shqipëri–Kroaci është formuar kundër Serbisë. (këtu, këtu)

Narrativat kryesore të artikujve medial lidhur me marrëveshjen dhe planin për blerje të përbashkët të armëve përqendrohen në disa pika: aleanca Kosovë–Shqipëri–Kroaci shihet si e drejtuar kundër Serbisë; konsiderohet si provokim për sigurinë dhe jo si pakt mbrojtës; lidhet me përgatitje për konflikt me Serbinë dhe përfaqëson ambicie territoriale dhe politike në rajon; dhe interpretohet si pjesë e një strategjie historike anti-serbe në Ballkan.

Koloneli i pensionuar serb Ljuban Karan pretendon se aleanca Kosovë–Shqipëri–Kroaci është e drejtuar kundër Serbisë dhe ka karakter anti-serb, përgatit një “zgjidhje ushtarake” në Ballkan, dhe shfaq ambicie territoriale dhe udhëheqëse të Kroacisë. (këtu)

Danijela Nikoliq, kryetare e Komisionit Parlamentar për Kosovën, e konsideron marrëveshjen si një provokim serioz për sigurinë dhe jo si një pakt mbrojtës, duke theksuar se dokumenti forcon “nismat e Prishtinës për spastrimin etnik të serbëve në Kosovë” dhe se marrëveshja është formalisht e pavlefshme, pasi sipas saj Kosova është “pjesë e territorit serb nën protektoratin ndërkombëtar”. (këtu)

Ilija Kajtez, profesor, sociolog dhe ekspert për siguri, thotë se motivi i pakti është “urrejtja dhe përgatitja për konflikt me Serbinë”, duke pretenduar se aleanca historikisht dhe aktualisht është e drejtuar vetëm kundër Serbisë dhe duke e lidhur ekzistencën e saj me “luftën kundër faktorit serb” në rajon, me shembuj nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore dhe bombardimet e NATO-s. (këtu)

Pse këto narrativa janë të pabaza?

Argumentet kundër narrativave të krijuara nga mediat serbe, që interpretojnë marrëveshjen si një kërcënim për Serbinë dhe popullin serb, mund të bazohen në disa pika kyçe, duke u mbështetur në deklaratat e nënshkruesve të marrëveshjes dhe rolit të NATO-s në rajon.

Deklaratat e nënshkruesve të marrëveshjes: Ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë theksuar qartë se marrëveshja nuk është një akt agresioni, por një hap për forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri rajonale. Sipas ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci, marrëveshja ka për qëllim të kontribuoni në paqen dhe stabilitetin e rajonit, duke rritur ndërveprueshmërinë mes ushtrive përmes edukimit dhe trajnimeve të përbashkëta. Ai e theksoi se ky bashkëpunim “nuk është kërcënim për askënd”, por një angazhim për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Përpjekjet për integrim euroatlantik: Marrëveshja është një reflektim i angazhimeve të përbashkëta për integrimin në strukturat euroatlantike, duke përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Ky bashkëpunim është pjesë e një strategjie për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon, dhe jo një akt i drejtuar kundër ndonjë shteti të veçantë. Shqipëria dhe Kroacia, si anëtare të NATO-s, po mbështesin Kosovën në aspiratat e saj për t’u integruar në këto struktura, për të kontribuar në sigurinë dhe zhvillimin e rajonit.

Roli i NATO-s në sigurinë e Ballkanit: NATO ka pasur një rol kyç në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan që nga periudha e pasluftës. Operacionet e NATO-s, si KFOR-i në Kosovë, kanë qenë të rëndësishme për garantimin e paqes dhe mbrojtjen e të drejtat e të gjitha grupeve etnike, përfshirë serbët. Angazhimi i NATO-s në rajon është një faktor stabilizues që kontribuon në parandalimin e konflikteve të mundshme dhe ruajtjen e paqes. Marrëveshja midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është në përputhje me këto përpjekje, duke synuar të forcojë bashkëpunimin ushtarak dhe të kontribuoni në përpjekjet për të stabilizuar rajonin.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të kuptohet se marrëveshja nuk është një akt i drejtuar kundër Serbisë, por një mundësi për të rritur bashkëpunimin dhe sigurinë në një rajon ku ka pasur tensione dhe konflikte historike.

Reagimet e zyrtarëve serbë dhe narrativat në media gjatë nënshkrimit të marrëveshjes

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes më 18 mars 2025 pati reagime zyrtare serbe dhe narrativat në media, si edhe gjatë nënshkrimit të saj para disa muajve. (këtu)

Reagimet zyrtare serbe ndaj marrëveshjes trepalëshe Kosovë–Shqipëri–Kroaci janë të qarta dhe të forta. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi se Serbia do të mbrojë vendin nga çdo kërcënim, duke përfshirë edhe aktorët më të fuqishëm, duke nënvizuar vendosmërinë për mbrojtje. Ministria e Jashtme e Serbisë njoftoi se do t’u dërgojë kërkesa homologëve në Kroaci dhe Shqipëri për shpjegime mbi memorandumit trilateral, duke e konsideruar atë kërcënim për stabilitetin rajonal dhe veprim të jolegjitim të autoriteteve në Prishtinë. Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Bratisllav Gašić e cilësoi memorandumin si një veprim provokues që bie ndesh me përpjekjet për forcimin e sigurisë rajonale.

Mediat serbe dhe ato ruse kanë pasqyruar gjerësisht këto reagime dhe kanë ndikuar në formësimin e perceptimit publik mbi marrëveshjen. Kurir, Novosti, Republika dhe Politika e portretizuan aleancën si një kërcënim për Serbinë dhe serbët, duke e quajtur “Patkonj ushtarak rreth Serbisë” ose “Pakt trilateral kundër Serbisë”. Mediumi rus Sputnik, në gjuhën serbe, nxori narrativën se aleanca është e orientuar jo vetëm kundër Serbisë, por edhe kundër popullit serb dhe Republikës Srpska, duke e interpretuar si vazhdim të planeve të mëparshme për destabilizim dhe përpjekjeve të NATO-s për të kontrolluar rajonin.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere