Shkroi: Fatbardh Dema
Mediumet në gjuhën serbe “NIN.rs” dhe ka publikuar të enjten (14 gusht), një artikull me pretendimin se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, ka njoftuar se policia serbe ka arrestuar dy ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në pikën kufitare në Horgosh, si të dyshuar për krime lufte në Kosovë.
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pas verifikimit të fakteve, rezultoi se pretendimi se të arrestuarit janë dy ish-pjesëtarë të UÇK-së, nuk është i vërtetë.

Hibrid.info ka gjetur njoftimin e publikuar në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ku thuhet se të enjten i ka arrestuar dy persona me inicialet H.E dhe B.E në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se në bashkëpunim me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile (shih këtu)
Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i përkthyer në shqip:
Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Policisë Kriminale, Shërbimit të Hetimit të Krimeve të Luftës, në Kalimin Kufitar Horgosh në hyrje të Serbisë, arrestuan H. E. (1976) dhe B. E. (1973) për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit se ata kanë kryer një krim lufte kundër popullatës civile.
Dyshohet se më 9 gusht 1999, në Rahovec, në bashkëpunim me disa anëtarë të të ashtuquajturës “UÇK”, me përdorimin e forcës fizike, armëve të zjarrit dhe kërcënimeve serioze për jetën dhe gjymtyrët, ata rrëmbyen një civil të kombësisë serbe, J. M., dhe e çuan në një drejtim të panjohur, që nga ajo kohë çdo gjurmë e tij është humbur. J. M. ende figuron si person i zhdukur.
Të dyshuarve, me miratimin e prokurorit publik të Zyrës së Prokurorit Publik për Krime Lufte, u është urdhëruar paraburgimi deri në 48 orë, pas së cilës do të sillen në prokurorinë kompetente me një kallëzim penal.
Pra, duke u bazuar në këtë njoftim, kjo ministri nuk thotë se bëhet fjalë për ish-pjesëtarë të UÇK-së, por se të njëjtit janë ndaluar nën dyshimet se në bashkëpunim me pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile.
Gjithashtu, në këtë komunikatë nuk përmendet nacionaliteti i të ndaluarve.
Analiza:
Më 14 gusht, mediumi serb “NIN.rs” raportoi se policia serbe kishte arrestuar dy ish-pjesëtarë të UÇK-së në pikën kufitare Horgosh, si të dyshuar për krime lufte.
Pas verifikimit nga Hibrid.info, u konstatua se pretendimi nuk është i vërtetë. Sipas njoftimit zyrtar të MPB-së së Serbisë, dy personat e arrestuar dyshohen se kanë kryer krime lufte në bashkëpunim me pjesëtarë të UÇK-së.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.