Shkroi: Festim Rizanaj
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) te enjten (15 gusht) kanë dorëzuar zyrtarisht 50 automjete të blinduara të sigurisë (ASV) për Qeverinë e Kosovës, në kuadër të Programit të Artikujve të Tepruar të Mbrojtjes (EDA).
Në mediat serbe, ngjarja është paraqitur si armatosje e drejtuar kundër serbëve në Kosovë dhe Serbisë, duke e ndërlidhur me shpërnguljen e tyre përmes frikësimit dhe represionit. (këtu)
Narrativat serbe për dhurimin e 50 autoblindave janë politike dhe spekulative, ndërsa faktet tregojnë se automjetet u dhuruan nga SHBA për të forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe operacionale të FSK-së dhe nuk kanë karakter ofensiv ndaj serbëve, siç pretendohet në mediat serbe.
Çka dihet për 50 autoblindat?
SHBA dorëzoi 50 automjete të blinduara për Qeverinë e Kosovës, të cilat sipas Ambasadës Amerikane do të forcojnë kapacitetet mbrojtëse dhe operacionale të FSK-së.
“Kosova, duke shfrytëzuar burimet e saj mbrojtëse, do t’i sjellë këto mjete në aftësinë e plotë operacionale. Ky është një tjetër hap domethënës në angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së dhe përforcimin e sigurisë së të dy kombeve tona”, thuhet në deklaratën e Ambasadës. (këtu)
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se dorëzimi i 50 autoblindave tregon përkushtimin ndaj vlerave perëndimore dhe ngritjen progresive të FSK-së sipas standardeve të NATO-s. (këtu)
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se furnizimi i 50 autoblindave dëshmon partneritetin e palëkundur me SHBA-të dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. (këtu)
Programi i Artikujve të Tepruar të Mbrojtjes (EDA) në kuadër të së cilës u dorëzuan këto 50 autoblinda, është nismë e SHBA-së që u transferon vendeve aleate pajisje ushtarake të panevojshme për ushtrinë amerikane, me synim forcimin e mbrojtjes, sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit, ku vendi përfitues mbulon shpenzimet e transportit dhe mirëmbajtjes.
Narrativat e mediave dhe analistëve serbë përballë fakteve
Mediat serbe e paraqitën ngjarjen si armatosje kundër serbëve, që nxit shpërnguljen e tyre përmes frikësimit dhe represionit.
Në media u ndërtua narrativa se ky është kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë, jo vetëm në Serbi por edhe në gjithë rajonin.
Analisti Nemanja Zavishiq tha për “Novosti” se armatosja e FSK-së është një hap tjetër drejt destabilizimit të Ballkanit. (këtu)
Nënkoloneli ne pension, Ljuban Karan tha se armatosja e FSK-së përbën kërcënim kryesisht për serbët në Kosovë, duke nxitur frikësim, shpërngulje dhe represion. Sipas tij, automjetet e blinduara synojnë të jenë të gatshme për aktivizim gjatë protestave të mundshme të serbëve, duke nxitur kështu një “egzod të heshtur” dhe duke vënë në pah mosreagimin e forcave ndërkombëtare, të cilave u është besuar siguria e serbëve në Kosovë.
Narrativat serbe për dhurimin e 50 autoblindave janë krejtësisht politike dhe spekulative, jo të bazuara në fakte objektive. Ato e paraqesin këtë veprim si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj serbëve në Kosovë dhe Serbisë, ndërsa faktet e vërteta tregojnë se: automjetet janë dhuruar nga SHBA për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe operacionale të FSK-së, nën kuadër të Programit EDA, dhe nuk kanë karakter ofensiv.
Kjo është bërë e ditur nga Ambasada Amerikane në Kosovë, kryeministri në detyrë, Kurti, dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Maqedonci.

