Të fundit | Rritja e mashtrimeve në Facebook Marketplace dhe rreziku për përdoruesit Të fundit | Titulli nuk e qartëson se pagat janë rritur në Zvicër Të fundit | Kufijtë e gazetarisë në drejtim të PR-it, influencës dhe politikës Të fundit | Roli i hiperlinkut në gazetarinë digjitale dhe mungesa e tij si faktor i ke… Të fundit | Grafiti në Zubin Potok dhe pretendimet pa prova për kërcënim ndaj serbëve s… Të fundit | Sondazh i rremë për mbështetjen e subjekteve politike në Kosovë Të fundit | Imazhi i krijuar me IA paraqitet pasaktë si dëshmi për transportimin e qenv… Të fundit | Nuk ka vendim e as datë të caktuar për zgjedhje të reja Të fundit | Raporti i FMN-së flet për parashikim, jo për rritje ekonomike aktuale Të fundit | Nuk konfirmohet gjetja e varrit masiv në Drenas dhe lidhja me arrestimin e…
[ ARTIKULLI ]

Përdorimi i inteligjencës artificiale për shpërndarjen e imazhit të rremë nga Shtëpia e Bardhë

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Gjatë zhvillimit të ngjarjeve të mëdha vendore ose ndërkombëtare, shpesh shfaqen përmbajtje të krijuara nga Inteligjenca Artificiale (IA) që lidhen me to.

Përmes këtyre përmbajtjeve të gjeneruara nga IA, jepen pretendime të ndryshme duke u munduar të paraqesin një ngjarje të caktuar jashtë kontekstit ose me një këndvështrim tjetër, ku shpeshherë u bashkëngjiten edhe mbishkrime të pavërteta.


Një rast i tillë ndodhi të hënën (më 18 gusht) kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, zhvilloi një takim diplomatik në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e që më pas iu bashkuan edhe disa udhëheqës evropianë.

Përmes imazhit pretendohet se në të shfaqet presidenti francez, Emmanuel Macron, i ulur në një korridor, i shoqëruar nga gjashtë udhëheqës të tjerë të Bashkimit Evropian (BE).

Imazhi u publikua me pretendimin se ata prisnin radhën e tyre për të folur me presidentin e SHBA-ve, pasi ky i fundit të përfundonte takimin me presidentin ukrainas.

Imazhi u gjet i publikuar në platformën X nga Joey Mannarino, një komentues dhe strateg politik konservator i njohur për stilin e tij polemik dhe satirik. I njëjti u shpërnda në shumë media sociale.

Në përshkrimin e këtij imazhi pretendohet se udhëheqësit po poshtëroheshin, të detyruar të prisnin në heshtje me kokën ulur, për të folur me presidentin Trump, kur ky i fundit të kryente takimin me Zelenskyyn.

Mirëpo, ky imazh nuk ishte real dhe i njëjti është e krijuar nga IA.


Verifikimi i imazhit

Nëse ndalemi dhe e shikojmë mirë këtë imazh, vërehen mospërputhje në të. Në karrigen e pozicionuar afër presidentit francez shihen dy këmbë, por jo edhe pjesa tjetër e trupit, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një “gabim” digjital. (shih fotografinë më poshtë)

Përveç këtij detaji, është edhe fakti tjetër se në fotografi shfaqen tri gra, e që në realitet takimi me Trump përfshinte vetëm dy udhëheqëse gra, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Gjithashtu, gardëroba e veshur nga gratë në imazh nuk përputhet me veshjet e tyre që shihen në fotografitë e publikuara nga takimi i mbajtur në Shtëpinë e Bardhë. (shih më poshtë krahasimin e fotografive)


Hibrid.info ka përdorur platformën për verifikim të përmbajtjeve të gjeneruara nga IA, “Hive Moderation” për të analizuar imazhin e lartcekur.

Pas verifikimit të imazhit në total, “HiveModeration” ka vlerësuar se kjo fotografi ka mundësi (99.5%) të jetë e gjeneruar nga IA.


Çka duhet të kemi parasysh?

Kur në hapësirën online shpërndahet një përmbajtje e krijuar nga IA, ekziston mundësia që ajo të përmbajë mangësi apo elemente të papërshtatshme, si p.sh. defekte në paraqitjen e trupit, detaje të pasakta, ose shkëputje të tjera vizuale që nuk përkojnë me realitetin.

Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që, sa herë hasim në një material të tillë, të mos e marrim menjëherë si të mirëqenë, por të kërkojmë konfirmim nga burime të besueshme, si platformat për verifikimin e fakteve e mediat kredibile.

Po ashtu, nëse dyshoni se një përmbajtje është e krijuar me IA, atë mund ta verifikoni edhe përmes platformave për verifikim të imazheve si “HiveModeration”, “Illuminarty” e “Aiornot”.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere