Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Rama nuk fajësoi veçmas qytetarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut për ndotje të bregdetit

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një fotografi ku shihet Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë me mbishkrimin që pretendon si ai ka deklaruar se, “Shqipet e Kosovës dhe Maqedonisë ndotin bregdetin e Shqipërisë.”

Imazhi me këtë pretendim është publikuar të premten (5 shtator) në faqen në Facebook të mediumit online “Insajderi.org”.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se ky pretendim e ka paraqitur të manipuluar deklaratën e Ramës.


Hibrid.info ka gjetur një video të publikuar në Youtube të mërkurën (3 shtator) në kanalin e mediumit “Euronews Albania” në Youtube, me deklarimin e Ramës, ku ai shprehu kritika për qytetarët shqiptarë që hedhin mbeturina nëpër rrugë, teksa fliste për furnizimin me ujë dhe trajtimin e mbetjeve (shih këtu, minuta 01:22).

Deklarata e transkriptuar e Ramës nga videoja më lartë:

“Është e rëndësishme të kuptojmë se në këtë proces të rritjes së prodhimit të ujit, të trajtimit të mbetjeve dhe rritjes së përmasës së gjelbër në hapësirat publike brenda qyteteve, është ana e mirë. Ka edhe anë të errët të hënës që kanë të bëjnë me ata që bëhen pengesë këtyre proceseve duke vjedhur ujin, hedhur plehrat në rrugë… shqipo, shqipo se nuk e bën një turist i huaj këtë. E bëjnë shqipot që lëvizin me makinë, shqipot e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut. Shqipet që ndalojnë në anë të autostradës, bëjnë fotografira dhe marrin plehrat nga makina dhe i hedhin aty. I keni të fotografuara, edhe pikë panoramike për të bërë selfie ‘Sa e mirë je o Shqipëria ime’, edhe grumbullim plehrash të hedhura po aty. Edhe fotografitë me birrë aty me perëndimin e diellit, edhe shishet e hedhura në tokë….Mirëupafshim Shqipëria ime, shihemi verën tjetër. Këto janë situata që kanë nevojë për solidaritet dhe masa drastike nga ana e qeverisë por edhe rritje të kotributit të njerëzve.”

Një tjetër rast kur Rama ka folur për hedhjen e plehrave nga siç thotë ai “shqip folësit”, hibrid.info e ka hasur në fjalimin e tij të enjten (4 shtator), ku u paraqitën të dhënat për turizmin në vitin 2025 (shih këtu, minuta 54:10).

Deklarata tjetër e transkriptuar e Ramës:

“E dyta është çështja e mbetjeve. Kemi shumë rezultate pozitive nga operacioni “plazhe të pastra”. Kemi një transformim rrënjësor në pastrimin e territorit falë udhëheqjes jo nga zyra por nga terreni i ministres së Turizmit dhe Mjedisit ose ndryshe i krye pastrueses së Shqipërisë, por nuk mund të bëjë dot gjë, jo kaq por sikur gjithë ushtria popullore e dikurshme të vijë për të pastruar plazhet, nëqoftëse paralelisht me ata që pastrojnë janë dhe ata që hedhin plehrat. Turistë jo anglisht, spanjisht, frëngjisht, italisht folës por shqip folës, nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut. Shqipe që mblidhen për të shijuar bukuritë dhe për të shijuar pushimet që ndalojnë dhe në pikat turistike panoramike, bëjnë dhe selfie “oh sa e mirë je ti moj Shqipëria ime” dhe në të njëjtën kohë shkarkojnë plehrat nga veturat e tyre. Dhe po të shikosh pikat panoramike, po të shikosh pikat ku është e mundur të ndalohet janë dhe pikat ku ka grumbullimet më të mëdha të plehrave të përdorimit personal që hidhen dhe jam i bindur që ndotësit më të mëdhenj janë ulëritësit më të mëdhenj të stadiumit kombëtar, jam i bindur që ndotësit më të mëdhenj janë ta që thyejnë karriget në stadium dhe që synojnë ti kthejnë në luftëra ndeshjet kur ato qëllon që të jenë me Serbinë apo me ndonjë tjetër që këta janë gati ta luftojnë në stadium. Ndërkohë këta janë ndotës të Shqipërisë kur vjen puna tek qëndrimi në plazh.”


Në bazë të këtyre deklaratave shihet se Rama ka kritikuar qytetarët shqiptarë që hedhin plehra në rrugë, pika panoramike dhe plazhe, duke mos i përjashtuar nga kritika shqiptarët nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut, por nuk i ka targetuar ata veçmas, siç pretendohet në publikimin e “Insajderi.org”.

Hibrid.info ka gjetur artikuj të publikuar nga media në gjuhën shqipe, ku konfirmohet se Rama tha se shqiptarët janë ndotësit më të mëdhenj të parqeve dhe pikave turistike në vend (shih këtu, këtu dhe këtu).

Analiza:

Pretendimi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar “Shqipet e Kosovës dhe Maqedonisë ndotin bregdetin e Shqipërisë” është i manipuluar.

Hibrid.info gjeti se ai ka kritikuar qytetarët shqiptarë për ndotjen e hapësirave publike e turistike, duke përfshirë edhe ata nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por pa i targetuar veçmas apo me fjalët e raportuara në publikimin e trajtuar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen e trajtuar si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere