Të fundit | Sa u realizuan pesë vendimet e para të premtuara nga LVV gjatë fushatës së… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”…
[ ARTIKULLI ]

Narrativat serbe pas zgjedhjeve lokale në Kosovë: Fitorja e Listës Serbe dhe mesazhet politike

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025 në Kosovë, Lista Serbe ka arritur të fitojë nëntë komuna në zonat me shumicë serbe, pa balotazh. Ndërkohë, në komunën e Kllokotit, sipas rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gara mbetet e hapur pasi do të zhvillohet balotazhi ndërmjet kandidatit të Listës Serbe dhe partisë tjetër serbe, Srpska Narodna Sloga.

Pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, zyrtarët dhe mediat serbe shpërndanë deklarata dhe artikuj që promovonin disa narrativa kryesore:

– “Fitorja si garanci për mbijetesën e serbëve në Kosovë”: Politikanë si Petar Petkoviq dhe Millorad Dodik e prezantojnë rezultatin e Listës Serbe si një siguri që komuniteti serb do të vazhdojë të ekzistojë dhe të ketë kontroll mbi komunat me shumicë serbe.

“Shfuqizimi i aparteidit të Kurtit”: Media dhe politikanë të ndryshëm, përfshirë Zoran Angjellkoviq, paraqesin pjesëmarrjen e serbëve në votime si akt që rrëzon “regjimin e njëanshëm të Kurtit” dhe politikën e tij diskriminuese ndaj serbëve në veri të Kosovës.

– “Uniteti i serbëve dhe mbështetja e Beogradit”: Narrativa që nxjerr në pah se fitorja e Listës Serbe është rezultat i bashkimit të serbëve dhe mbështetjes direkte nga Serbia dhe presidenti Alleksandar Vuçiq.

– “Dështimi i politikës së Kurtit dhe i institucioneve të Prishtinës”: Narrativa që portretizon kryeministrin Albin Kurti si të dobësuar dhe të humbur në përballje me popullin serb, duke e paraqitur fitoren e Listës Serbe si fitore mbi “presionin dhe politikën njëanshme” të Qeverisë së Kosovës.

– “Fitorja si referendum për legjitimitetin e Serbisë”: Narrativa që e interpreton votën për Listën Serbe jo vetëm si rezultat lokal, por si një mbështetje për politikën dhe ndikimin e Beogradit në Kosovë.

– “Masiviteti i pjesëmarrjes në votime”: Theksi te pjesëmarrja rekord e serbëve në zgjedhje që paraqitet si simbol i fuqisë dhe unitetit të komunitetit serb, që është përdorur për të justifikuar legjitimitetin politik të Listës Serbe.

– “Paralajmërimi i veprimeve të Prishtinës pas zgjedhjeve”: Narrativa që përgatit terrenin për të portretizuar institucionet e Kosovës si pengesa që do të tentojnë të frenojnë veprimet e kryetarëve serbë dhe të kufizojnë pushtetin lokal, duke e paraqitur çdo pengesë si “provë e tiranisë” së Kurtit.

Narrativat nga zyrtarët dhe mediat serbe

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ishte i pari që shpalli fitoren e Listës Serbe në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, duke e paraqitur rezultatin si një triumf të unitetit kombëtar serb. Në deklaratën e tij për televizionin serb “Pink”, Vuçiq theksoi se në këto zgjedhje kishin dalë 57.786 votues serbë – 3.600 më shumë se në zgjedhjet parlamentare të shkurtit – duke e interpretuar këtë si dëshmi të mbështetjes së fortë për Listën Serbe. Vuçiqi përmendi veçanërisht Graçanicën si shembull të “qëndresës serbe”, duke pretenduar se “edhe përpjekjet e shqiptarëve për të ndikuar rezultatin” nuk kishin arritur të ndryshonin epilogun. Deklarata e tij, përcolli një narrativë të qartë politike: se fitorja e Listës Serbe përfaqësonte suksesin e Serbisë ndaj “presionit të Prishtinës” dhe dëshmonte se “Serbia nuk mund të shkatërrohet lehtë”. Në këtë mënyrë, rezultati elektoral u përdor për të forcuar narrativën e kontrollit të Beogradit mbi komunitetin serb në Kosovë dhe për ta paraqitur pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje si kthim të “institucioneve të tyre legjitime” nën ndikimin e Serbisë. (këtu)

Një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e cilësoi fitoren e Listës Serbe si “garanci të mbijetesës dhe të ardhmes së popullit serb në Kosovë”. Në një paraqitje për Televizionin “Pink”, ai e përshkroi rezultatin si dëshmi të “bashkimit të serbëve të Kosovës me Serbinë qendrore dhe me presidentin Alleksandar Vuçiq”, duke e paraqitur Listën Serbe si instrument të mbrojtjes kombëtare nën udhëheqjen e Beogradit.

Petkoviq e lidhte këtë fitore me “kthimin e serbëve në komunat e tyre në veri të Kosovës” dhe me “fundin e sundimit të gaulajterëve të Kurtit”, duke përmendur veçanërisht Leposaviqin si shembull të “rrëzimit të kryetarëve të vendosur nga Prishtina”. Ai akuzoi qeverinë e Kosovës për “terrorizëm politik, arrestime dhe diskriminim ndaj serbëve”, duke e portretizuar situatën si betejë për liri dhe identitet. Në thelb, deklaratat e tij ushqyen narrativën e njohur të Beogradit: se Listës Serbe dhe Serbisë i takon roli i vetëm legjitim në përfaqësimin e serbëve të Kosovës, ndërsa zgjedhjet u interpretuan si dështim i politikave të Albin Kurtit dhe si rikthim i ndikimit të plotë të Serbisë në veri të vendit. (këtu)

Presidenti i Republikës Serbe në BeH, Millorad Dodik, iu bashkua reagimeve nga Beogradi duke përgëzuar Listën Serbe për fitore në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë. Në një postim në platformën “X”, ai e cilësoi këtë rezultat si “garanci për qëndrueshmërinë dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë” dhe si shenjë se “serbët atje do të vendosin vetë për të ardhmen e tyre”. Sipas Dodikut, “serbët në Kosovë treguan me guxim se çfarë do të thotë besnikëri dhe besim ndaj atdheut të tyre, duke fituar përmes unitetit të tyre të pathyeshëm”. Ai e quajti këtë proces “disfatë të regjimit të Kurtit” dhe njëkohësisht i dërgoi urime presidentit serb Alleksandar Vuçiq për “fitoren e madhe”, duke e paraqitur Listën Serbe si përfaqësues të vullnetit kombëtar të serbëve. Kjo deklaratë përforcoi më tej narrativën e koordinuar politike ndërmjet Beogradit dhe Banjallukës, që e interpreton rezultatin elektoral jo si proces lokal demokratik, por si fitore strategjike të Serbisë ndaj qeverisë së Kosovës dhe si simbol të unitetit serb në të gjitha “hapësirat kombëtare”. (këtu)

Pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, mediat serbe afër qeverisë ndërtuan disa narrativa të fuqishme politike për të interpretuar fitoren e Listës Serbe në komunat me shumicë serbe. Një ndër më të përhapurat ishte ajo me titullin “Srbi olovkom ukinuli Kurtijev aparthejd” (Serbët me laps hoqën aparteidin e Kurtit), e publikuar në “alo.rs”,  që e paraqiste pjesëmarrjen e serbëve në votime si akt çlirimi nga “regjimi i Kurtit”. Kjo kornizë u shoqërua me deklarata si ajo e politikanit, Zoran Angjellkoviq, i cili për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” tha se serbët “me laps kanë hequr aparteidin që Kurti kishte vendosur në veri të Kosovës, me mbështetjen e vendeve të Quint-it”. Sipas tij, “sundimi i Kurtit me 3 për qind mbi 97 për qind serbë” përbënte “një formë aparteidi”, ndërsa pjesëmarrja masive në votime tregonte “forcën e bashkësisë serbe dhe besimin ndaj politikës së Alleksandar Vuçiqit”. (këtu)

Në një artikull tjetër të publikuar në “alo.rs”, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme në Serbi, Millovan Drecun, e vlerësoi fitoren e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë si “shenjë të pjekurisë politike të serbëve” dhe si garanci për mbijetesën e tyre në Kosovë. Ai deklaroi se Lista Serbe mbetet “lidhja e vetme me shtetin e Serbisë” dhe akuzoi qeverinë e Albin Kurtit për “politika të njëanshme dhe të dëmshme për jetën e serbëve”, duke pretenduar se ajo po ndjek “qëllime militarizimi dhe shqiptarizimi” përmes presioneve, shpërnguljeve dhe blerjes së tokave serbe. Sipas Drecunit, “pavarësisht ndryshimeve të mundshme në pushtet në Prishtinë, këto politika do të vazhdojnë”, ndërsa tha se Serbia do të mbetet burimi kryesor i mbështetjes për komunat me shumicë serbe. (këtu)

Një analizë e publikuar në Kurir.rs me titull “Kthimi i kryetarëve serbë në veri të KeM: Prishtina do t’i frenojë përmes kontrollit të policisë, kadastrës, drejtësisë dhe financave”) trajton situatën pas fitores së Listës Serbe në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. (këtu)

Sipas analizës, megjithëse komuniteti serb ka rikthyer përfaqësuesit e vet legjitimë në veri të Kosovës, qeveria e Kosovës ka ruajtur kontrollin mbi institucionet kyçe si policia, kadastra, drejtësia dhe financat, duke kufizuar fuqinë reale të pushtetit lokal. Politikologu Ognjen Gogiq thekson se “kryetarët e rinj nuk po kthehen në gjendjen e mëparshme”, pasi Kosova ka vendosur mekanizma për të kufizuar punësimet, buxhetet dhe vendimmarrjen lokale. Ndërsa analisti Sërgjan Barac e quan këtë zhvillim një “fazë të re presionesh administrative dhe simbolike”, duke paralajmëruar për mundësi provokimesh dhe incidente sigurie. Ai nënvizon se stabiliteti dhe përmbajtja e kryetarëve të rinj serbë do të jenë vendimtare për të ruajtur unitetin e komunitetit dhe për të forcuar pozitën e Serbisë në dialogun me Kosovën.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere