Shkroi: Fatbardh Dema
Është publikuar një përmbajtje (fotografi) në Facebook nga faqja “Gazeta Momenti” (arkivë) në të cilën shfaqet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në përshkrimin e kësaj përmbajtje shkruan “Presidentja Osmani i gëzohet fitorës së VV-së”, ndërsa në mbishkrim është vendosur fjalia “VJOSA OSMANI – FITORJA E VV-SË, NË TË MIRËN E KOSOVËS”.
Cila është e vërteta?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se Osmani nuk ka dhënë asnjëherë një deklaratë të tillë.

Hibrid.info ka kërkuar online me fjalët kyçe “Vjosa Osmani: Fitorja e VV-së, në të mirën e Kosovës”, por rezultatet nuk shfaqin një deklaratë të tillë të publikuar në media kredibile. (këtu)
Hibrid.info ka gjetur intervistën e presidentes dhënë për emisionin Kiks Kosova në televizionin Klan Kosova, ku ajo kishte folur në mënyrë të përgjithshme për rëndësinë e krijimit të shpejtë të institucioneve, duke theksuar se kjo është “në të mirën e Kosovës”, pa përmendur apo komentuar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Pjesë nga intervista
“Kosova ka humbur kohë me të vërtetë, shkaku i moskrijimit fillimisht kuvendit e më pas edhe qeverisë përgjatë vitit që po e lëmë pas. Dhe tani, fakti që do të kemi një qeveri dhe një kuvend të konstituuar shumë shpejt, është në interes të Kosovë, në të mirën e Kosovës. Dhe, shpresoj që menjëherë po atë ditë, Kuvendi të fillojë apo të vazhdojë me punë të tjera të rëndësishme për Kosovën, siç është ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, i buxhetit dhe çështje të tjera të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e shtetit tonë”, tha Osmani në intervistën për emisionin Kiks Kosova.
Pra, në asnjë rast, e para e vendit nuk ka përmendur Lëvizjen Vetëvendosje, e as nuk ka komentuar fitoren e këtij subjekti politik në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 28 dhjetor.
Analiza:
Pretendimi se Vjosa Osmani ka komentuar fitoren e LVV-së është i pavërtetë.
Verifikimi i fakteve nga hibrid.info vërtetoi se nuk ekziston asnjë deklaratë e Osmanit me përmbajtjen “Fitorja e VV-së, në të mirën e Kosovës”, e publikuar në media kredibile.
Deklarata e cituar në postim duket se është nxjerrë jashtë kontekstit nga një intervistë e Osmanit për emisionin Kiks Kosova, ku ajo kishte folur në mënyrë të përgjithshme për rëndësinë e krijimit të shpejtë të institucioneve, pa përmendur apo komentuar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.