Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet një publikimi në TikTok, është pretenduar për shifra që paraqesin votat e manipuluara për tre kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Sipas pretendimit të llogarisë “interlajm” në TikTok, pas rinumërimit të 35 për qind të vendvotimeve, Enver Hoxhajt i janë hequr 4520 vota, Bedri Hamzës 3870 vota e Uran Ismailit 2960 vota. Publikimi u bë të dielën (18 janar) dhe deri tash ka gjeneruar më shumë se 53 mijë shikime.

E vërteta?
Shifrat nuk janë reale, bazuar në publikimet e bëra deri tash nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Pas rinumërimit të 557 vendvotimeve në nivel vendi, Hoxhajt i janë hequr 1016 vota për dallim nga numërimi i parë, ndërsa dy kandidatëve të tjerë u janë shtuar vota, Hamzës (71) e Ismailit (739).

Për shkak se pretendimi është publikuar të dielën, hibrid.info ka verifikuar procesin e rinumërimit në secilën komunë veç e veç dhe ka përllogaritur vetëm votat e hequra deri tash (ora 13:51, 19 janar). Sipas përllogaritjeve të deritashme, asnjërit prej kandidatëve nuk i përputhen shifrat e pretendimit në TikTok.
Hibrid.info ka kërkuar në Google edhe me fjalët “Enver Hoxhaj 4520 vota”, “Bedri Hamza 3870 vota” dhe “Uran Ismaili 2960 vota”. Për asnjërin nuk ka rezultuar se ka pasur lajme në media reale e që i lidhin emrat e tyre me këto shifra.
–
Po ashtu, imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale. Këtë e vlerëson edhe platforma për verifikim të përmbajtjeve të tilla, “hivemoderation” dhe etiketa e vendosur në TikTok për përmbajtjet e gjeneruara me AI.

–
KQZ të martën (13 janar) vendosi për rinumërimin e fletëvotimeve të 914 vendvotimeve nga gjithsej 2557. Në 10 komuna u vendos për rinumërim të plotë e në 28 të tjera për rinumërim të 10 për qind të vendvotimeve. Ndërkaq të hënën (19 janar), KQZ vendosi për rinumërim të plotë të të gjitha vendvotimeve në 28 komuna, për shkak të dallimeve të mëdha të votave nga numërimi fillestar.
Analiza:
Pretendimi i llogarisë “interlajm” në TikTok se pas rinumërimit të pjesshëm të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 Enver Hoxhajt i janë hequr 4520 vota, Bedri Hamzës 3870 dhe Uran Ismailit 2960 është i pavërtetë.
Sipas të dhënave të publikuara në uebfaqen e KQZ-së nga numërimi i deritashëm, Hoxhajt i janë hequr 1016 vota, ndërsa dy kandidatëve të tjerë për deputetë nga radhët e PDK-së u janë shtuar vota.
Hibrid.info ka verifikuar edhe vetëm votat e hequra në secilën komunë veç e veç dhe rezulton se asnjëri nuk i është afruar shifrës së pretenduar në TikTok.
Andaj, bazuar në metodologjinë e vlerësimit, hibrid.info e kategorizon këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.