Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin “Gjykata Kushtetuese i jep të drejt Kurtit për dekretin e Presidentit”.
Përmbajtja me këtë pretendim është publikuar të martën (24 mars) nga faqja në Facebook me emrin “Gazeta Minuti”.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Hibrid.info ka gjetur se Gykata Kushtetuese ende nuk e ka bërë publik vendimin për dekretin e Vjosa Osmanit, presidentes së vendit, me anë të të cilit shpërndahej Kuvendi i Kosovës.

Deri në momentin e trajtimit, ky postim ka mbi 170 pëlqime dhe 40 komente. Ndërsa faqja që e ka shpërndarë ka mbi 245 mijë ndjekës (shih këtu).
Postimit i është bashkangjitur në hapësirën për komente edhe vegëza e artikullit ku raportohet pretendimi i paraqitur në postim (shih këtu).
Artikulli ka titullin “LAJMI FUNDIT/ Gjykata Kushtetuese i jep të drejt Kurtit”. Menjëherë në hyrje të artikullit thuhet se gjatë kësaj jave, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të marrë një vendim lidhur me dekretin e Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, zbatimi i të cilit është pezulluar deri më 31 mars (shih këtu).
Në pjesën vijuese shkruan se “Sipas burimeve të Gazeta Minuti, vendimi në Kushtetuese është drejt finalizimit dhe mund të bëhet publik shumë shpejt, madje më së largu deri nesër. Po ashtu, bëhet e ditur se një nga skenarët e mundshëm është që kryeministrit Albin Kurti t’i jepet një afat shtesë për të siguruar zgjedhjen e presidentit, duke i hapur rrugë një zgjidhjeje politike pa shkuar drejt zgjedhjeve të reja.”
Artikulli, duke u thirrur në burime, pretendon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është në fazën përfundimtare, ndërsa mundësia që Albin Kurti të marrë një afat shtesë për zgjedhjen e presidentit përmendet vetëm si një skenar i mundshëm, dhe jo si një vendim i konfirmuar.
Ky skenar i mundshëm, në titullin e këtij artikulli dhe në postimin në Facebook, është paraqitur fakt i konfirmuar.
Hibrid.info ka kontrolluar në uebfaqen e Gjykatës Kushtetuese. Por, aty nuk figuron të jetë publikuar ende vendimi për dekretin e presidentes Osmani (shih këtu).
Analiza:
Përmbajtje me mbishkrimin “Gjykata Kushtetuese i jep të drejt Kurtit për dekretin e Presidentit”, e paraqet këtë pretendim si një fakt të kryer.
Por, në artikullin që e shoqëron postimin, theksohet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është drejt përfundimit, ndërsa mundësia që Albin Kurti të marrë një afat shtesë për zgjedhjen e presidentit paraqitet vetëm si një skenar i mundshëm dhe jo si vendim i konfirmuar.
Deri më tani, vendimi nuk është i publikuar, dhe asnjë pretendim nuk mund të merret si i konfirmuar.
Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Përmbajtje e paverifikuar” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.