Shkroi: Festim Rizanaj
Pretendimet serbe dhe ruse lidhur me bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në ish-Jugosllavi, vazhdojnë të qarkullojnë edhe më shumë se dy dekada pas luftës në Kosovë, duke e paraqitur ndërhyrjen si “agresion kriminal” dhe jo si reagim ndaj një krize humanitare. Media në gjuhën serbe si Pravda.rs dhe Argumenti.rs ndërtojnë këtë narrativë mbi disa pretendime kyçe, të cilat bien ndesh me faktet e dokumentuara nga organizata ndërkombëtare.
Pretendohet se NATO mbuloi krimet dhe spastrimin etnik të serbëve
Një nga pretendimet më të forta, i artikuluar kryesisht nga ministria e Jashtme e Rusisë (sipas Argumenti.rs), është se NATO-ja nuk kishte qëllime paqeruajtëse. Sipas këtij burimi informacioni, operacioni ajror shërbeu si një mjet strategjik për të ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në terren.
Artikulli citon se: “Vazdušni udari Severnoatlantske alijanse bili su samo pokriće za kopnenu operaciju koju su sprovodili teroristi ‘Ovk’…” (Sulmet ajrore të NATO-s ishin vetëm një mbulim për operacionin tokësor të cilin e kryen terroristët e ‘UÇK’-së). Më tej, narrativi vazhdon duke thënë se NATO-ja i hapi rrugën “krimeve më të rënda” dhe “tregtisë me organe njerëzore” nga ana e shqiptarëve.
Megjithatë, faktet nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë tregojnë se ndërhyrja e NATO-s ndodhi pas një fushate të dokumentuar të dhunës sistematike nga forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë, që përfshinte vrasje, dëbime masive dhe spastrim etnik (këtu). Nuk ka prova të verifikuara që NATO të ketë koordinuar operacione tokësore me UÇK-në, ndërsa pretendimet për trafikim organesh janë hetuar nga Këshilli i Evropës, por nuk janë provuar si praktikë e organizuar gjatë luftës.
Kujtojmë se pikërisht Gjykata Speciale në Hagë, e njohur edhe si Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ishte krijuar mbi pretendimet e raportit të Dick Martyt për “Shtëpinë e Verdhë” (këtu). Megjithatë, këto pretendime nuk u vërtetuan asnjëherë, dhe në aktakuza nuk ka asnjë element të trafikimit të organeve (këtu).
Ish-Shefi i Task Forcës Hetimore të EULEX-it, Clint Williamson kishte konfirmuar mungesën e provave, si dhe kishte thënë se nuk është vërtetuar asnjëherë një pretendim i tillë (këtu).
“Boshti satanik kundër një shteti të vogël”
Së dyti, në media si Pravda.rs përdoret një gjuhë e ashpër propagandistike, ku NATO cilësohet si një “bosht satanik” dhe Serbia paraqitet si “viktimë heroike e një konspiracioni global”. Pretendimi kryesor këtu është se 19 shtetet më të fuqishme të botës (që artikulli i referohet si “bota e vogël”) “sulmuan serbët e mëdhenj”, duke e paraqitur Serbinë si një kështjellë të fundit të rezistencës morale kundër një konspiracioni global: “Saktësisht 27 vjet më parë, boshti satanik i mishëruar në paktin e NATO-s nisi një fushatë të egër kundër një vendi të vogël, por krenar”.
Në realitet, ndërhyrja e NATO-s u mbështet nga shumica e vendeve të Bashkimi Evropian dhe u bazua në raportet e organizatave si Human Rights Watch dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të cilat dokumentuan shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut nga forcat serbe në Kosovë. Nuk ekziston asnjë evidencë për një konspiracion global kundër Serbisë.
“Paligjshmëria dhe ‘inskenimi’ i Reçakut”
Si “Pravda.rs”, ashtu edhe “Argumenti.rs” insistojnë se ndërhyrja ishte plotësisht e paligjshme, pasi u bë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndërkaq, një pikë kyçe e propagandës mbetet mohimi i masakrës së Reçakut.
Pretendohet se kjo ngjarje ishte një “provokim i inskenuar” për të manipuluar opinionin publik ndërkombëtar dhe për të krijuar një pretekst për intervenim. Duke mohuar krimet e forcave serbe, këto burime e paraqesin Serbinë si viktimën e vetme të vitit 1999.
Edhe pse ndërhyrja nuk u autorizua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës, shumë juristë ndërkombëtarë e konsiderojnë atë si legjitime në kontekstin e parandalimit të një katastrofe humanitare. Për Masakrën e Reçakut, ku u vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë, kanë raportuar shumë media ndërkombëtare, bazuar në raporte po ashtu ndërkombëtare, duke e konsideruar këtë ngjarje si masakër ndaj civilëve të pambrojtur.
William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë në vitin 1998, ishte zyrtari i parë ndërkombëtar dëshmitar i kësaj masakre, dhe i pari që alarmoi botën për mizoritë serbe në Kosovë (më shumë për Masakrën e Reçakut mund të lexoni këtu).
“Human Rights Watch” hodhi poshtë kategorikisht pretendimet e qeverisë jugosllave të asaj kohe se viktimat e sulmit të 15 janarit në Reçak ishin ose ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vrarë në luftime, ose civilë të zënë në të shtëna mes palëve.
Pas një hetimi të detajuar, organizata akuzoi forcat e policisë speciale serbe dhe ushtrinë jugosllave për sulme pa dallim ndaj civilëve, torturim të të burgosurve dhe kryerje të ekzekutimeve në distanca të shkurtra. Provat sugjerojnë se forcat qeveritare kishin urdhër të drejtpërdrejtë për të vrarë banorët e fshatit mbi moshën pesëmbëdhjetë vjeç(këtu).
“Uraniumi i varfëruar shkaktoi gjenocid dhe kancer”
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e pretendimeve serbe e ruse është përdorimi i uraniumit të varfëruar nga NATO. Sipas Argumenti.rs, ky nuk ishte thjesht një mjet luftarak, por një mjet që shkaktoi një “gjenocid ekologjik”. Artikulli pretendon se kjo ka çuar në një rritje dramatike të sëmundjeve kancerogjene në rajon, duke e cilësuar këtë si një krim afatgjatë kundër popullatës civile: “NATO je koristio municiju sa osiromašenim uranijumom, što je dovelo do naglog porasta onkoloških bolesti u regionu. (NATO përdori municion me uranium të varfëruar, gjë që çoi në një rritje të hovshme të sëmundjeve onkologjike në rajon”).
Megjithatë, studimet e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se ndotja ishte e kufizuar dhe nuk ka prova për një lidhje të drejtpërdrejtë dhe të përgjithshme mes përdorimit të uraniumit të varfëruar dhe rritjes së shkallës së kancerit në rajon.
“Rezoluta 1244 si ‘detyrim’ i NATO-s”
Në një kthesë interesante interpretimi, Pravda.rs pretendon se Serbia “e detyroi” NATO-n të nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244. Citati i tyre thotë: “Naterali smo ih da potpišu… kojom je ceo svet potvrdio: Kosovo je Srbija!” (I detyruam ata të nënshkruajnë… me të cilën e gjithë bota konfirmoi: Kosova është Serbi!). Ky pretendim injoron faktin se Rezoluta 1244 hoqi kontrollin administrativ dhe ushtarak serb nga Kosova, duke e paraqitur atë si një pranim botëror të sovranitetit serb.
Në fakt, Marrëveshja e Kumanovës u arrit më 9 qershor 1999 si rezultat i presionit të vazhdueshëm ushtarak të NATO-s ndaj forcave të Republika Federale të Jugosllavisë dhe përkeqësimit të situatës humanitare në Kosovë, me qëllim ndalimin e bombardimeve dhe përfundimin e konfliktit. Kjo marrëveshje parashihte tërheqjen e plotë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe nga Kosova, si dhe vendosjen e një pranie ndërkombëtare ushtarake të udhëhequr nga NATO (KFOR) për të garantuar sigurinë dhe kthimin e refugjatëve. Ajo hapi rrugën për miratimin e Rezolutës 1244 e cila vendosi administrimin ndërkombëtar të Kosovës përmes UNMIK-ut dhe parashikoi tërheqjen e plotë të forcave serbe nga territori. Ajo nuk e riktheu kontrollin efektiv të Serbisë, por hapi rrugën për një proces politik që përfundoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
—
Në tërësi, këto narrativa funksionojnë përmes mohimit të krimeve të dokumentuara dhe përmes paraqitjes së NATO-s si agresor, ndërsa faktet nga institucionet ndërkombëtare tregojnë një realitet tjetër: ndërhyrja ndodhi në një kontekst të krizës humanitare dhe shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut nga shteti serb.

