Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Dezinformata mbi incidente të rreme në Zubin Potok dhe manipulime të ngjarjeve  si Masakra e Reçakut dhe Buchas; mashtrime online përmes ofertave të rreme të ZARA-s, SMS-ve phishing të DHL-së

FESTIM RIZANAJ

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë periudhës 23–28 mars, monitorimi i mediave dhe platformave sociale tregon dominim të përmbajtjeve dezinformuese  dhe mashtruese, të cilat janë shpërndarë kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe faqeve të dyshimta në internet.

Gjatë kësaj periudhe, dezinformatat janë publikuar kryesisht në platforma të mediave sociale si Telegram dhe në rrjete propagandistike online si Pravda, duke u përhapur përmes kanaleve në gjuhën serbe dhe burimeve të dyshimta. Temat kryesore janë fokusuar në paraqitjen e rreme të situatës së sigurisë ndëretnike në Kosovë, si në rastin e pretenduar për rrëmbim në Zubin Potok, si dhe në manipulimin e ngjarjeve historike përmes relativizimit të krimeve të dokumentuara, duke lidhur pa baza Masakra e Reçakut me Masakra e Buchas. Këto narrativa synojnë njëkohësisht nxitjen e tensioneve lokale dhe minimin e besimit në faktet dhe burimet ndërkombëtare.

Gjatë kësaj periudhe janë identifikuar edhe raste mashtrimi online të shpërndara kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe mesazheve direkte. Një prej tyre lidhet me pretendime të rreme se ZARA po dhuron ose shet me çmime simbolike rroba nga koleksionet e kaluara përmes një pyetësori të thjeshtë në Facebook, që në fakt synon mbledhjen e të dhënave të përdoruesve. Po ashtu, është identifikuar një fushatë mashtruese përmes SMS-ve që paraqiten si njoftime nga DHL Express, duke i nxitur qytetarët të klikojnë në vegëza të rreme për “përditësimin” e adresës së dorëzimit. Të dyja rastet përfaqësojnë forma të phishing-ut, që kanë për qëllim mashtrimin e përdoruesve dhe marrjen e të dhënave personale apo financiare përmes faqeve të dyshimta.

Në kategorinë e përmbajtjeve të paverifikuara dhe clickbait, janë evidentuar publikime që synojnë të tërheqin vëmendjen përmes titujve të pasaktë ose pretendimeve të pabazuara. Një rast i tillë është publikimi në Facebook nga faqja “Gazeta Minuti”, ku pretendohej se Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim në favor të Albin Kurti lidhur me dekretin e Vjosa Osmani, ndonëse një vendim i tillë nuk ishte bërë ende publik. Po ashtu, portali “kosova-sot.info” ka përdorur një titull çorientues për ndeshjen ndërmjet Kosova dhe Sllovakia, duke lënë të kuptohet se tifozëve kosovarë u ndalohej hyrja në stadium, ndërsa në përmbajtje sqarohej se kufizimi vlente vetëm për sektorë të caktuar. Këto raste ilustrojnë praktikën e mospërputhjes mes titullit dhe përmbajtjes, e cila çon në keqinformim dhe orientim të gabuar të publikut.

Në kategorinë e manipulimit të fakteve është identifikuar një rast ku një imazh i publikuar në Facebook nga faqja “Gazeta Minuti” pretendon se një media amerikane e afërt me Donald Trump ka raportuar pozitivisht për Albin Kurti. Megjithatë, verifikimi tregon se në raportimin origjinal nuk përmendet fare Kurti, çka dëshmon për një ndërhyrje manipuluese në përmbajtje me qëllim krijimin e një perceptimi të rremë te publiku.

Dezinformatë

Në median sociale Telegram, kanali në gjuhën serbe “КОРИДОР” (KORIDOR), me datë 18 mars ka pretenduar se “Mbrëmë rreth orës 18:00 në Zubin Potok, disa shqiptarë kanë tentuar të rrëmbejnë një të ri serb. Persona të maskuar kanë provuar ta fusin në bagazh (të veturës, shën.red.), por ai ka arritur të shpëtojë”. I njëjti pretendim më pas (19 mars) u ritransmetua edhe nga dy kanale tjera në gjuhën serbe si, “Српски Инат” (Srpski Inat) dhe “Исток инфо” (Istok info). Në raportet zyrtare nuk figuron një rast i tillë. Në media, atë ditë (18 mars) është raportuar vetëm një incident tjetër, ku një 18-vjeçar i nacionalitetit serb ka pretenduar se është sulmuar nga një person i panjohur, por policia nuk ka gjetur prova të dyshimta dhe hetimi është duke vazhduar. (këtu)

Rrjeti propagandistik “Pravda”, përmes deklaratave të Andrey Lugovoy, ka publikuar pretendime të pabazuara që lidhin Masakrën e Reçakut me Masakrën e Buchas, duke sugjeruar pa prova se të dyja ngjarjet janë inskenime për të justifikuar ndërhyrje ushtarake. Faktet nga raportet e OSBE, Human Rights Watch, Amnesty International dhe analizat e OKB-s dhe mediave kredibile ndërkombëtare tregojnë qartë se të dyja janë krime të dokumentuara kundër civilëve, pa asnjë provë që mbështet narrativën e “skenarit të rremë”. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar/Clickbait

Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin “Gjykata Kushtetuese i jep të drejt Kurtit për dekretin e Presidentit”. Përmbajtja me këtë pretendim është publikuar të martën (24 mars) nga faqja në Facebook me emrin “Gazeta Minuti”. Hibrid.info ka gjetur se Gykata Kushtetuese ende nuk e ka bërë publik vendimin për dekretin e Vjosa Osmanit, presidentes së vendit, me anë të të cilit shpërndahej Kuvendi i Kosovës. (këtu)

Clickbait

Portali “kosova-sot.info” ka publikuar një titull të pasaktë duke lënë të kuptohet se tifozëve me pasaporta të Kosovës u ndalohet hyrja në stadium për ndeshjen Sllovaki-Kosovë. Pas verifikimit të fakteve, rezulton se ndalimi i hyrjes së tifozëve nuk është i përgjithshëm për të gjithë stadiumin. Në përmbajtjen e lajmit sqarohet se masa vlen vetëm për sektorët e tifozëve vendas, ndërsa tifozët me pasaportë të Kosovës mund të hyjnë në sektorët e dedikuar për mysafirë, të cilët janë të rezervuar nga organizatori për këtë kategori. Pra, në këtë rast ka mospërputhje të titullit dhe përmbajtjes së artikullit. (këtu)

Mashtrim

Janë publikuar dy përmbajtje ku pretendohet se ZARA, kompania e modës po largon rrobat nga koleksionet e vitit të kaluar për t’i “ricikluar” dhe se përdoruesit mund të përfitojnë një kuti me rroba falas ose me çmim të ulët. E gjitha kjo mund të ndodhë duke plotësuar një pyetësor me 3 pyetje. Këto përmbajtje janë publikuar më 16 mars në Facebook, nga një faqe me emrin “Moda në Kosovë” Hibrid.info ka vërejtur se këto postime mund të jenë forma të mashtrimit online. (këtu)

Një SMS mashtrues po u dërgohet numrave me prefiks të Kosovës. Pretendimi i mesazhit është se bëhet fjalë për porosi nga DHL Express në Kosovë, duke i njoftuar rrejshëm për një “pako” që nuk mund të dorëzohet për shkak të adresës së paplotë dhe duke i ftuar të klikojnë në një vegëz për përditësim të të dhënave. Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se mesazhi (SMS) nuk është dërguar nga DHL, por nga një email privat, ndërsa vegëza e përfshirë në të është mashtruese. Kjo ueb-faqe është cilësuar si e dyshimtë nga platforma për verifikim të faqes, dhe hapat që ka ndjekur hibrid.info për ta analizuar paralajmërojnë për rrezik “phishing”. (këtu)

Manipulim i fakteve

Publikohet një imazh me mbishkrimin ku shkruhet se “Media amerikane e afërt me Trumpin e bën lajm botëror për të mirë Krysminstrin Kurtin”. Kjo përmbajte me mbishkrimin në imazh dhe në postim, është publikuar të premten (27 mars) në Facebook, nga faqja me emrin “Gazeta Minuti”. Hibrid.info gjeti se raportimit të cilit i janë referuar ky medium, nuk përmendet Albin Kurti, kryeministri i Kosovës. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere