Platforma për verifikim faktesh, Hibrid.info ka publikuar raportin me titull “Rezilienca ndaj dezinformatave gjatë periudhës zgjedhore në Kosovë”, për zgjedhjet e fundvitit të 2025-s, qendrore dhe lokale.
Raporti i publikuar të enjten, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, mbulon periudhën nga 9 tetori deri më 31 dhjetor 2025 dhe analizon përmbajtje në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze, duke identifikuar format kryesore të keqinformimit dhe narrativat që kanë qarkulluar në këtë periudhë.
Në fjalën e saj hyrëse, Ushtruesja e Detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, theksoi se mbrojtja e hapësirës së informacionit është thelbësore për demokracitë e qëndrueshme: “Adresimi i dezinformimit kërkon përpjekje të përbashkëta, institucione të forta, media të pavarura dhe të përgjegjshme, iniciativa aktive për verifikimin e fakteve dhe qytetarë të informuar.”

Festim Rizanaj, hulumtues në ADS/Hibrid.info, gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit, tha se burimet e monitoruara janë ndarë në tri kategori kryesore: mediat sociale; mediat vendore online; dhe mediat dhe zyrtarët serbë dhe rusë.
“Gjatë këtij procesi monitorimi të 7,000 publikimeve – të bazuar në 100 artikuj të monitoruar çdo ditë – janë analizuar gjithsej 103 përmbajtje, që lidhen me temat zgjedhore, çështjet ndëretnike dhe manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj të informacionit (FIMI). Përmbajtjet e trajtuara në fact-checking janë përzgjedhur mbi bazën e rëndësisë tematike dhe përfaqësojnë materiale që janë publikuar dhe amplifikuar gjerësisht nga dhjetëra llogari dhe faqe në media sociale”, deklaroi mes tjerash Rizanaj.
Hulumtuesi i Hibrid.info tha se lajmet e rreme, sondazhet e fabrikuara, deklaratat e paverifikuara dhe materialet e manipuluara vizualisht kanë qenë format më të shpeshta të keqinformimit, me potencial për të ndikuar në perceptimin publik dhe në besimin ndaj procesit zgjedhor.
Rizanaj u ndal edhe te aspekti i trajtuar në raport që është edhe ndikimi i jashtëm në hapësirën informative, i njohur si FIMI. Ai tha se analiza tregon se narrativa të caktuara të prodhuara jashtë Kosovës kanë synuar të ndikojnë në diskursin publik dhe të nxisin polarizim, veçanërisht në çështje ndëretnike dhe të sigurisë.
Raporti, sipas tij, evidenton gjithashtu rritjen e përdorimit të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale gjatë periudhës zgjedhore, zhvillim i cili nënvizon nevojën për mekanizma më të qartë identifikimi, etiketime dhe verifikimi të përmbajtjeve digjitale, si dhe për rritjen e vetëdijes publike mbi këto forma të reja të keqinformimit.

Ndërkaq, bazuar në analizën e realizuar, për t’i adresuar rreziqet raporti rekomandon:
- Integrimin e vlerësimit të rrezikut nga FIMI në mekanizmat e monitorimit zgjedhor;
- Forcimin e bashkëpunimit ndërmjet organizatave vendore të fact-checking-ut, aktorëve të shoqërisë civile dhe mekanizmave të BE-së për të kundërshtuar manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj informative;
- Monitorimin e vazhdueshëm të platformave të mediave sociale, portaleve të lajmeve dhe burimeve të jashtme të informacionit;
- Intensifikimin e përpjekjeve për verifikimin e fakteve dhe rritja e përgjegjësisë redaktuese brenda organizatave mediave;
- Bashkëpunimin me platformat digjitale për të identifikuar dhe adresuar përmbajtje problematike, përfshirë materiale të manipuluara dhe përmbajtje të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, si dhe;
- Rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe qëndrueshmërisë mediale ndaj narrativave destabilizuese dhe ndërhyrjeve të huaja.
Më pas u zhvillua një panel diskutimi me temën “Institucionet përballë dezinformimit në periudhë zgjedhore”.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), tha se ky institucion adreson çështjet e dezinformimit kur ato e prekin direkt KQZ-në. Ai shtoi se KQZ-ja ka proces të luftimit të dezinformimit, përmes informimit publik dhe reagimeve publike. “Kur puna jonë shfaqet në publik si dezinformim apo informimi i gabuar, ne atëherë mund të ndërhyjmë, por sa u përket çështjeve që janë jashtë apo të institucioneve të tjera, ne nuk ndërhyjmë. Pas çdo cikli zgjedhor, KQZ-ja e bën një vlerësim të secilit proces. Natyrisht edhe informimi publik çdo herë është pjesë e këtij vlerësimi. Sa i përket informimit publik ne e kemi zhvilluar edhe nga më herët, e edhe më tani, dhe e kemi bërë më kreativ sepse më herët s’janë shfrytëzuar shumë rrjetet sociale, por tash edhe përmes tyre bëjmë informim por edhe bëjmë monitorim nga divizioni për informim i të gjitha rrjeteve sociale me qëllim që të mbrojmë informacionin që e plasojmë për publikun për zgjedhjet”, tha ai.
Ndërkaq, Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, deklaroi se sfidë mbetet luftimi më i shpejtë i shpërndarjes së lajmeve të rreme dhe identifikimi i kryerësve prapa profileve anonime në media sociale. “Më e keqja dhe shqetësuesja për sistemin prokurorial, pavarësisht se nga 100 prokurorë që i kemi në terren në ditën e zgjedhjeve, përhapja e informacionit me shpejtësi është gjithmonë para nesh. Kjo na bën ndonjëherë të hutuar për të vepruar dhe për të pasur rezultate konkrete. Përderisa një lajm i rremë përhapet brenda minutave, pavarësisht faktit se mund të ndërveprojmë me KQZ-në dhe Policinë, lajmi ka shkuar dhe e ka arritur qëllimin e vet”, tha ajo. Pula tha se duhet të punohet më shumë në parandalim.
Vështirësinë në identifikim të profileve e vuri në pah edhe Togeri Visar Pacolli nga Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës. Ai tha se përmes bashkëpunimit me rrjetet sociale mund të mbyllen llogaritë, por theksoi se kjo s’e pamundëson rihapjen e tyre. Pacolli tha se pavarësisht punës së Policisë dhe të autoriteteve, sfida kryesore është ngritja e vetëdijesimit të qytetarëve. “Mund të flasim tërë ditën, edhe të arrestojmë e ndalojmë njerëz e të bëjmë thirrje, mirëpo pa një vetëdijesim të mirëfilltë të qytetarëve në përgjithësi është e pamundur”, tha ai.
Sipas ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Niman Racaj, shteti duhet ta ketë si strategji nacionale edukimin medial. Ai tha se sfidë është rregullimi i sektorit online, pasi sipas tij, aty problemi është më i theksuar. “Rregullatorët e mediave duhet të ndryshojnë edhe qasjen në raport me mbikëqyrjen e mediave. Ne shumë shpejt mund të ballafaqohemi me një trend që mediat tradicionale, ose të themi ndryshe mediat që operojnë përmes frekuencës, mund t’i takojnë dhe të mbesin në kohë sepse sot zhvillimi teknologjik ka mundësuar që të ketë shpërndarje shumë të shpejtë së informacionit. Lufta ndaj dezinformimit mendoj se në aspektin rregullativ është shumë e vështirë. Kurrë ne nuk do të arrijmë si institucione t’i përcjellim trendet teknologjike me akte nënligjore ose ligje. Kjo është e pamundshme. Vetëdijesimi i qytetarëve, ‘Media Literacy’ (edukimi medial) është diçka që shteti i Kosovës duhet ta ketë si prioritet ose si strategji nacionale. Nuk duhet të shihet lufta e dezinformimit si luftë individuale e një apo dy institucionesh. Thjesht duhet të jetë një koordinim i përbashkët i të gjitha institucioneve relevante në mënyrë që ta ndërtojnë një strategji që më pas do të prodhonte rezultate të mjaftueshme për luftën ndaj dezinformimit”, tha ai.
Hibrid.info do të vazhdojë të monitorojë dhe analizojë fenomenin e keqinformimit, duke kontribuuar në rritjen e reziliencës së shoqërisë ndaj dezinformatave dhe në mbrojtjen e integritetit të informacionit publik në Kosovë.
Raportin e plotë e gjeni këtu.