Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka pretenduar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndaj tij, për çështjen e njohur si “grantet bujqësore”.
Pretendimi i tij u publikua në disa media nëpërmjet titujve që e paraqisnin si punë të kryer aktin e Prokurorisë.
Por cila është e vërteta?
PSRK ka njoftuar se hedhja poshtë e kallëzimit penal ndaj Pecit vlen për një rast tjetër, dhe jo për çështjen e granteve bujqësore, për kohën sa ai ishte ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).
Kronologjia e kallëzimeve dhe deklarimeve:
Kallëzimi penal për grantet:
Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së), më 19 nëntor 2024, kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit të atëkohshëm të Bujqësisë, Faton Peci, dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje atë kohë, Fitore Pacolli (shih këtu). Ky veprim kishte ardhur pas raportimeve se familjarët e deputetes Pacolli kishin përfituar grante në sektorin e bujqësisë, që sipas LDK-së, ishte bërë bazuar në lidhjet familjare. LDK kërkonte dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë, pasi sipas tyre në këtë rast ishte keqpërdorur paraja publike.
Kallëzimi penal për dy funksionet:
Më 8 maj 2025, LDK kishte dorëzuar 17 kallëzime penale në PSRK kundër kryeministrit në detyrë atë kohë, Albin Kurti, dhe disa ministrave që u bënë deputetë, duke pretenduar se ata vazhdonin të ushtronin funksione qeveritare dhe të merrnin vendime, gjë që sipas LDK-së përbënte keqpërdorim të detyrës zyrtare sipas Kodit Penal dhe Ligjit për Qeverinë (shih këtu).
Kallëzimin penal e kishin dorëzuar në Prokurori Speciale, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, në cilësinë e shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së dhe deputetja Doarsa Kica-Xhelili.
Njoftimi i Pecit:
Peci, tash kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, publikoi të premten (3 prill), një status në llogarinë e tij në Facebook, ku njoftoi se Prokuroria Speciale e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të LDK-së kundër tij për çështjen e granteve bujqësore (shih këtu).

Postimi i kryetarit të Mitrovicës së Jugut kishte të bashkangjitur edhe imazhin e dokumentit të aktvendimit. Në dokument shkruhej se Departamenti për Korrupsion dhe Krim Financiar në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka marrë vendim për hedhjen e kallëzimit penal të ushtruar nga Grupi Parlamentar i (LDK) kundër Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Në kallëzimin penal pretendohej se ministri Peci kishte kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në dokument thuhej se pas shqyrtimit dhe analizimit të pretendimeve, Prokuroria ka konstatuar se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka kryer veprën e pretenduar, apo ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Aktvendimi i publikuar nga Peci:

Postimi mori mbi 2 mijë e 700 pëlqime dhe mbi 270 komente, në përmbajtjet e të cilave vërehej se lexuesit e këtij postimi kishte mundësi që ta perceptonin pretendimin e Pecit si të besueshëm.
Pretendimi i Pecit, më pas u paraqit si i fakt i kryer në titujt e disa artikujve të publikuar nga mediat si: “atvlive.tv”, “gazeta10” “zëri.info” dhe “orainfo.sot”.

Megjithatë pati artikuj të mediave ku ky pretendim, sqarohej qysh në tituj se vinte nga një deklarim i ish-ministrit të Bujqësisë (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)
Reagimi i Sistemit Prokurorial:
Megjithatë, më vonë në faqen e Sistemit Prokurorial të Kosovës në Facebook, u publikua një postim ku sqarohej se rasti për të cilin po raportohej se është hedhur kallëzimi penal ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, nuk ndërlidhet me hetimet që janë duke u zhvilluar lidhur me dyshimet për keqpërdorim të granteve në sektorin e bujqësisë.
Në njoftimin e Sistemit Prokurorial tregohej se rasti në fjalë kishte të bënte me kallëzimin tjetër penal të paraqitur nga LDK-ja, ndërlidhur me çështjen e ushtrimit të dy funksioneve në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës (shih këtu).
Sqarimi nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se rasti për të cilin po raportohet se është hedhur kallëzimi penal ndaj F.P., nuk ndërlidhet me hetimet që janë duke u zhvilluar lidhur me dyshimet për keqpërdorim të granteve në sektorin e bujqësisë.
Rasti në fjalë ka të bëjë me një kallëzim penal të paraqitur nga subjekti politik LDK, i cili ndërlidhet me çështjen e ushtrimit të dy funksioneve në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të informuar drejtë opinionin publik, duke respektuar parimin e transparencës, si dhe duke ruajtur integritetin e procedurave hetimore.”
Kjo do të thotë se deklarata e Pecit, me anë të cilës pretendohej se kallëzimi penal për keqpërdorimin e granteve ishte hedhur poshtë nga Prokuroria, është e pasaktë.
Analiza:
Deklarata e Faton Pecit ku pretendonte se Prokuroria Speciale kishte hedhur poshtë kallëzimin penal për keqpërdorim të granteve, rezultoi e pasaktë.
PSRK sqaroi se çështja reale lidhej me kallëzimin penal të LDK-së për ushtrimin e dy funksioneve në Kuvend dhe Qeveri.
Kjo tregon se deklarimet e Pecit dhe disa raportime mediale, ku pretendimi i Pecit paraqitej si fakt i konfirmuar, nuk përputheshin me realitetin juridik.
Ky rast është një shembull i qartë se verifikimi i fakteve dhe distancimi nga deklaratat politike janë thelbësore për një informim të drejtë dhe të besueshëm nga mediat.