[email protected]
Rishikimi i javës: dezinformata nga mediat serbe rreth veriut, përmbajtje të rreme në Facebook dhe TikTok
shape
shape
shape

Përmbajtjet e rreme dhe dezinformatat kanë dominuar ekosistemin keqinformuese në sferën informative në dhe për Kosovën.

Përmbajtje të rreme në TikTok me pretendimin për një luftë të pashmangshme gjatë muajit korrik për shkak të prezencës së pjesëtarëve të grupit mercenar rus “Wagner” në Kosovë; dhe përhapje të një virusi vdekjeprurës. Përmbajtje të rreme në faqe në Facebook për raportet Kurti-Rama dhe Rama-Vuçiq.

Dezinformata kryesisht nga mediat në gjuhën serbe, me pretendimin se në veri të Kosovës janë dëgjuar breshëri të shtënash me armë dhe është hedhur gaz lotsjellës në fëmijët, si dhe se Kurti po kontrabandon armë nga Ukraina të armiqtë e Amerikës.

Përmbajtje të pa verifikuar lidhur me një tërmet në Kosovë, se në veri të Mitrovicës po dëgjohen gjuajtje me armë, dhe kohën e caktimit të masës së paraburgimit për Policët e kidnapuar nga forcat serbe.

Gabim në interpretimin e deklaratave të Escobar-it lidhur me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor deri më 2030; si dhe gabim në përdorimin e fotografisë nga ana e presidencës në një cicërimë në Twitter.

Mashtrim rreth dubluesve të Tom Cruise, me fotografi të gjeneruara me inteligjencë artificiale (AI).

Gabim/ përmbajtje e pa verifikuar gjatë raportimit rreth vrasjes që ndodhi më 14 qershor në Prishtinë, kanë vënë gabimisht fotografinë e një personi tjetër, duke pretenduar se ai është personi që ka mbetur i vrarë.

Përmbajtje e pa verifikuar

Disa portale informative kanë pretenduar se ka pasur tërmet në Kosovë duke u bazuar në raportimet e lexuesve të tyre nga Kaçaniku. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info në platformat online për raportime rreth tërmeteve, nuk është gjetur asnjë informacion për ndonjë tërmet në Kosovë gjatë ditëve të fundit.  Gjithashtu, nuk ka pasur ndonjë raportim as nga Instituti Sizmologjik i Kosovës lidhur për një tërmet që e ka goditur Kosovën ditëve të fundit. (këtu)

Faqja në Facebook “Jepi zë” ka publikuar një video-material me pretendimin se në veri të Mitrovicës po ndodhin arrestime dhe dëgjohen gjuajtje me armë. Në këtë video-material dëgjohet një krismë, që nuk e mbështet pretendimin e bërë nga faqja e lartcekur, pasi nuk ka pamje apo fakte tjera që argumentojnë se në veri të Mitrovicës ka pasur të shtëna me armë. (këtu)

Media online në gjuhën shqipe kanë publikuar artikuj me pretendimin se Gjykata serbe ka caktuar 30 ditë paraburgim për tre policët e Kosovës, të cilët dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe në territorin e Kosovës. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ende nuk ka vendim zyrtar nga Gjykata e Lartë në Kralevë lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit për tre policët e Kosovës. Pra, përveç njoftimit të ditës së premte (16 qershor) se u shqiptua masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, deri tani nuk është e qartë kohëzgjatja e saj. (këtu)

Gabim

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull duke pretenduar përmes titullit se Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i Dërguari Special i SHBA-së, Gabriel Escobar është shprehur se “deri në vitin 2030 i gjithë Ballkani do t’i kenë përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim në BE”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është i pasaktë dhe i njëjti nuk korrespondon me përmbajtjen. Në përmbajtje të artikullit thuhet se Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Europës Juglindore nga Beogradi (IPESE), është shprehur se nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të kishin një rol më të madh në vendimmarrje, deri në vitin 2030, i gjithë Ballkani Perëndimor do të ishte brenda Bashkimit Europian. (këtu)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka publikuar një cicërim në twitter nëpërmjet së cilës ka bërë të ditur se të mërkurën do t’i adresohet Parlamentit Evropian. Në cicërimën që presidentja e shtetit e ka bërë në llogarinë zyrtare në “twitter”, përkundër faktit që ka etiketuar llogarinë e parlamentit evropian, ajo ka vendosur gabimisht fotografinë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. (këtu)

Lajm i rremë

Llogaria me emër “kijameti2024” ka publikuar një video-material ku përsëri pretendohet për një luftë të pashmangshme gjatë muajit korrik për shkak të prezencës së pjesëtarëve të grupit mercenar rus “Wagner” në Kosovë. Megjithatë hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi i tillë është i pavërtetë për shkak se nuk ka prova të qëndrueshme mbi të cilat mund të bazohet pretendimi si i tillë. (këtu)

Disa faqe në Facebook që publikojnë artikuj dhe postime me përmbajtje në gjuhën shqipe, me datë 13 dhe 14 qershor kanë postuar një fotografi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me mbishkrimin “Albin Kurti: Kosova jeton edhe pa Edi Ramën, ai u tregua pro serb ndaj Kosovës. Nuk e kisha imagjinuar”. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit dhe mediave sociale, hibrid.info nuk ka gjetur një deklaratë të tillë të bërë nga shefi i qeverisë së Kosovës, ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës. (këtu)

Disa faqe në Facebook që publikojnë artikuj dhe postime me përmbajtje në gjuhën shqipe, postuar një fotografi ku shihet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke shtrënguar duart me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me mbishkrimin “Serbia falënderon nga zemra Shqipërinë për qëndrimin e saj ndaj Kurtit”. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit dhe mediave sociale, hibrid.info nuk ka gjetur një deklaratë të tillë të bërë nga shteti serb apo presidenti i saj, Vuçiq. (këtu)

Llogaria në TikTok me emrin “kijameti2024” ka publikuar një video-material ku paraqitet imazhi i një personi, për të cilin pretendohet se është presidenti i vdekur amerikan, John Kennedy. Sipas mbishkrimit në video-material, ish-presidenti Kennedy jeton me shëndet të mirë dhe është në mbrojtje nga Agjencia Qendrore të Inteligjencës “CIA”. Mirëpo hibrid.info ka hulumtuar dhe vërtetuar se imazhi i shfaqur në video-material i përket Russell LeeRoy Pickett, veteran amerikan i Luftës së dytë botërore. (këtu)

Është publikuar një video-material nga llogaria me emër “kijameti2024” në TikTok, ku pretendohet për përhapjen e një virusi të ri. Video-materiali i publikuar është marrë nga një raport i realizuar nga mediumi në gjuhën shqipe, “Koha Jonë”. Mirëpo hibrid.info ka hulumtuar dhe ka gjetur se video-materiali i përdorur për të mbështetur këtë pretendim, është publikuar para tre vitesh (2020). (këtu)

Mashtrim

U pretendua se një imazh i shpërndarë në rrjetet sociale tregonte “dubluesit” e aktorit të famshëm Tom Cruise. Në fotografinë e shpërndarë në rrjetet sociale, shihen tre persona që ngjajnë shumë me aktorin. Faktet tregojnë se fotografia e dubluesve të Tom Cruise është krijuar me inteligjencë artificiale. Në filmat e aktorit të famshëm 60-vjeçar thuhet se ai nuk përdor dublues. (këtu)

Dezinformatë

Mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin në titull se situata në Mitrovicë është e tensionuar dhe po dëgjohen breshëri të shtënash me armë. Artikulli bazohet në një video-material me pamje që shfaqin arrestimin i Milun Millenkoviq. Në këtë video dëgjohet alarmi i lëshuar në veri të Mitrovicës, zëra të qytetarëve si dhe zhurma e përplasjes së makinave. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se njësia speciale e Policisë së Kosovës, gjatë arrestimit të Milun Millenkoviqit, ka hedhur gaz lotsjellës. Në titull pretendohet edhe se gazi lotsjellës është hedhur edhe, siç thuhet, “mbi fëmijë”. Nuk ofrohen pamje apo fotografi për pretendimin se është hedhur gaz lotsjellës nga ana e njësisë speciale të Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit të Milun Millenkoviq në veri të Mitrovicës. Në pamjet e publikuara në media dhe rrjete sociale nuk shihen elemente të gazit lotsjellës në momentin e arrestimit. (këtu)

Portali i dyshimtë “fakte.buzz” ka publikuar artikull ku pretendohet se BE dhe SHBA-të kanë konfirmuar sanksionet ndaj Kosovës pas situatës në veri. Megjithatë në përmbajtje nuk paraqitet konfirmim për sanksione e madje edhe BE ka pohuar se ndaj Kosovës është marrë vendimi për masa e jo sanksione. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs’ ka publikuar një artikull me pretendimin se Kurti kontrabandon armë nga Ukraina te armiqtë e Amerikës. Pretendimi bazohet në një deklaratë të ish kolonelit amerikan, Douglar Macgregor të bërë gjatë një interviste për “Serbian Radio Chicago” dhe e publikuar nga “Serbian American Voters Alliance” (SAVA). Macgregor pretendon se armët që janë dërguar në Ukrainë janë parë edhe në Kosovë. Pretendimi i Macgregor nuk bazohet në fakte dhe nuk e përmend Kurtin si kontrabandues të armëve. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “GazetaBlic.com” ka publikuar një artikull në titullin e së cilit pretendohet se avokati Arianit Koci, ka thënë se  “nëse nuk lirohen policët e kidnapuar, javën e ardhshme shkoj në Beograd dhe ua koordinoj mbrojtjen – falas”. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se titulli nuk i përgjigjet përmbajtjes. Në përmbajtje gjendet statusi i Kocit të cilin e ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, me anë të së cilës ai është shprehur i gatshëm që gjatë javës së ardhme, me autorizim të Qeverisë së Kosovës të shkoj në Beograd dhe në cilësinë e avokatit t’ua koordinoj mbrojtjen. (këtu)

Gabim/përmbajtje e pa verifikuar

Disa portale informative në gjuhën shqipe të cilat kanë raportuar rreth vrasjes që ndodhi më 14 qershor në Prishtinë, kanë vënë gabimisht fotografinë e një personi tjetër, duke pretenduar se ai është personi që ka mbetur i vrarë. Se në fotografi është imazhi i një personi tjetër, që mban emrin dhe mbiemrin e njëjtë me të vrarin, është vërtetuar pas reagimit të familjarëve të personit që shihet në këtë imazh, të cilat kanë kontaktuar me hibrid.info, duke dhënë sqarime se personi në fotografi është gjallë dhe është nga Shqipëria. Ndërsa personi i vrarë, Blerim Daci, në Prishtinë është shtetas i Maqedonisë së Veriut, më saktësisht nga Shkupi. (këtu)

Share With Others

Translate »