[email protected]
Krahasimi i bërë jashtë kontekstit: Haradinaj nuk e quan Vuçiqin “burrë të mirë”
shape
shape
shape

Portalet e dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe “specialja.com” dhe “a-news24.com” kanë publikuar dje (4 tetor) një artikull me titull “Ramushi:”Albini i poshtër…Vuçiqi është burrë i mirë”VIDEO”.

Nga verifikimi i fakteve i kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është i sajuar, ndërsa në përmbajtje rezulton të jetë një koment i bërë lidhur me këtë pretendim.

Nga hulumtimi i kryer përmes makinave online të kërkimit, është vërtetuar se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin me eipitetin “i poshtër”, por ai nuk ka bërë krahasim me presidentin serb Aleksandër Vuçiq duke e quajtur këtë të fundit “burrë i mirë”.

Video që gjendet në këtë artikull nuk është e njëjta në të cilën Haradinaj e quan Kurtin “i poshtër”, siç janë munduar ta paraqesin këto dy portale të dyshimta.


Vegëzat e artikullit të publikuar në portalet e dyshimta “specialja.com” dhe “a-news24.com”:

https://specialja.com/news/2022/10/04/ramushialbini-i-poshtervuciqi-eshte-burre-i-mirevideo/?fbclid=IwAR0fpj96O1UFJ19tKPei_OuzCHik76SWOy2p7U8bspHT8oO4R8oUcbFBNsA
https://a-news24.com/2022/10/ramushialbini-i-poshter-vuciqi-eshte-burre-i-mirevideo/?fbclid=IwAR22haKaXasrx1b4vhNfhFiepCOj8PJ9bk1hjRfb6wvDJf3zSD2JM7Ni0Dg

Ky artikull me pretendim të rremë është shpërndarë edhe në Facebook nga faqet “Specialja” dhe “Maqedonia Shqiptare”, të cilat me anë të këtij postimi kanë arritur të grumbullojnë numër të madh komentesh e reagimesh. (shih këtu dhe këtu)


Haradinaj në emisionin Frontal që shfaqet në televizionin “Kanal10” e ka quajtur Kurtin të poshtër (shih këtu), por që në këtë rast nuk ka bërë krahasim të tij me Vuçiqin, siç mundohet të paraqitet nga këto portale të dyshimta.

Në videon që shfaqet në përmbajtje të këtyre artikujve, Haradinaj në emisionin “Slobodno Srbski” në vitin 2017 kishte folur për Vuçiqin, për të cilin ishte shprehur se “dikush mund të jetë i keq ndaj meje, por nëse është i mirë ndaj popullit të vet, unë e respektoj atë”. (shih këtu)

Pra, në asnjë rast Haradinaj nuk ka bërë krahasime mes Kurtit dhe Vuçiqit, si dhe këtë të fundit nuk e ka quajtur “burrë i mirë”.

Siç mund të shihet nga video-përmbajtja, deklaratat e Haradinajt janë dhënë në dy momente të ndryshme kohore. Kjo bënë që të ketë dalje nga konteksti, pasi që deklarata e bërë së fundmi në “Kanal 10” pretendohet të krahasohet me atë të bërë 5 vjet më parë (2017), duke krahasuar dy momente të ndryshme kohore.


Gjatë kërkimit në rrjetet sociale, është gjetur se kjo video e bashkuar si një e vetme është publikuar në Facebook nga personi me emër Luan Gacaferri. (shih këtu)


Analiza:

Portalet e dyshimta “specialja.com” dhe “a-news24.com” kanë publikuar një video me pretendimin ta paraqesin atë si një e vetme, gjoja Haradinaj ka bërë krahasim të Kurtit me Vuçiqin, duke e quajtur të poshtër kryeministrin e Kosovës, e burrë të mirë presidentin Vuçiq.

Në këtë material gjendet dy video, njëra në vitin 2017 e tjetra në 2022.

Pra, Haradinaj në këto raste nuk ka bërë krahasime mes këtyre dy figurave politike, si dhe në asnjë rast nuk e ka quajtur Vuçiqin “burrë i mirë”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others