Të fundit | Sa u realizuan pesë vendimet e para të premtuara nga LVV gjatë fushatës së… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Përmbajtje të paverifikuara për numrin aplikuesve në konkursin e UP-së, lajme të rreme për ndërtimin e urave mbi lumin Ibër dhe konstituimin e Kuvendit

HIBRID

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë javës së fundit, lajmet e rreme kanë dominuar si forma kryesore e çrregullimit informativ në mediat tradicionale dhe digjitale, sipas të dhënave nga monitorimi.

Gjatë javës së kaluar, lajmet e rreme janë përhapur kryesisht në platformën Facebook, përmes faqeve dhe llogarive që përdorin emra potencialisht të besueshëm për të shpërndarë pretendime të pavërtetuara. Një prej tyre ishte faqja “Kosova e Re”, e cila pretendoi se Fatmir Limaj kishte kërkuar pesë ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit nga Lëvizja Vetëvendosje në këmbim të një marrëveshjeje për koalicion qeverisës. Verifikimi tregoi se nuk ekziston asnjë burim i besueshëm që mbështet një pretendim të tillë. Një tjetër lajm i rremë erdhi nga llogaria “Lajme nga Bota”, ku u publikua një deklaratë e supozuar e ministrit të Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, në lidhje me ndërtimin e urave në veri të Kosovës. Edhe ky pretendim rezultoi pa asnjë bazë faktike apo burim zyrtar që e mbështet. Të dy rastet janë shembuj të qartë të përhapjes së informacionit të pavërtetë me ndikim të mundshëm në opinionin publik dhe narrativat politike.

Një përmbajtje e paverifikuar e shpërndarë në media si RTK, TëVë1, Paparaci.com dhe Kosova.info, u bazua në deklaratën e prorektores Majlinda Gjelaj, e cila tha se për 5,723 vende në UP kishin aplikuar vetëm 3,398 studentë dhe në disa degë vetëm nga 3–4 aplikantë. Por të dhënat zyrtare treguan se aplikimet ishin më të larta: 6,563 në nivelin bachelor dhe mbi 2,000 në master, ndërsa në degët përkatëse kishte shumë më tepër aplikantë. Pas reagimit të UP-së, disa media korrigjuan informacionin.

Mediumi “TV Arbëria” publikoi një artikull me titull clickbait, duke sugjeruar se ish-deputeti Hisen Berisha kishte zbuluar një plan të afërt të Serbisë për sulm ndaj Kosovës. Megjithatë, në përmbajtje rezulton se deklarata e tij i referohet një ngjarjeje të viteve 2019/2020, kur ministër i Mbrojtjes ishte Rrustem Berisha. Titulli krijon përshtypjen e një rreziku aktual, duke e keqinterpretuar kontekstin kohor të deklaratës.

Një tentativë mashtrimi (phishing) është shpërndarë përmes SMS-ve që pretendojnë të jenë nga Posta e Kosovës, duke njoftuar qytetarët për një paketë që nuk mund të dorëzohet për shkak të mospërputhjes së të dhënave. Mesazhi përmban një vegëz mashtruese dhe vjen nga një numër i Mbretërisë së Bashkuar (+44), pa lidhje me Postën e Kosovës. Kjo e fundit ka mohuar çdo përfshirje dhe ka paralajmëruar qytetarët të mos japin të dhëna personale.

Deklarimi i deputetit Avdullah Hoti për rritjen e importeve nga Serbia në periudhën janar-maj 2025, e publikuar më 16 korrik 2025 në mediat “Nacionale.com” dhe “Fokusi.info”, u bë objekt i raportimeve të pasakta. Artikujt raportuan një rritje prej 217%, bazuar në një postim fillestar të Hotit në Facebook, ndërsa më vonë ai korrigjoi shifrën në 117%. Kjo çoi në përhapjen e një informacioni të pasaktë për importet nga Serbia.

Lajm i rremë

Javën e kaluar nga një faqe në Facebook, me emrin “Kosova e Re”, u pretendua se Fatmir Limaj ka kërkuar pesë ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit nga LVV në këmbim të një marrëveshjeje për koalicion qeverisës. Gjatë verifikimit u vërtetua se nuk ekziston asnjë deklaratë publike apo burim i besueshëm që konfirmon se Limaj ka bërë një kërkesë të tillë. Ky pretendim është i pavërtetë dhe i pasaktë (shih këtu).

Një pretendim i publikuar në Facebook nga llogaria me emrin “Lajme nga Bota”, ishte ai se ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se Kosova ka të drejtë të ndërtojë ura në veri pa leje nga askush, se ndërtimi i dy urave përfundon në shtator dhe se ato do të inaugurohen bashkë me autoritetet turke. Po ashtu, thuhet se BE-ja mund të ndihmojë, por jo të ndërhyjë në të drejtat ligjore të Kosovës. Nuk ka asnjë burim zyrtar apo të besueshëm që konfirmon se ministri turk Hakan Fidan ka bërë deklarata të tilla. Kërkimi në agjencinë turke të lajmeve “Anadolu”, në faqen e Ministrisë së Jashtme të Turqisë, në Ambasadën e Turqisë në Prishtinë dhe në Google nuk rezultoi me ndonjë deklaratë të tillë (shih këtu).

Përmbajtje e paverifikuar

Nga prorektorja Majlinda Gjelaj në Universitetin e Prishtinës, u pretendua se në konkursin për studentë të rinj në këtë institucion arsimor, për 5,723 vende kanë aplikuar vetëm 3,398 të rinj. Po ashtu, u pretendua se në degët e Fizikës, Kimisë dhe Biologjisë kanë aplikuar vetëm nga 3 deri në 4 studentë. Sipas të dhënave zyrtare të UP-së: Në nivelin bachelor kanë aplikuar 6,563 kandidatë, në nivelin master 2,025 kandidatë. Ndërsa për programet specifike ishin: Fizikë – 20 aplikime, Kimi – 13 aplikime dhe Biologji – 35 aplikime Shifrat e ulëta të raportuara fillimisht nga prorektorja Majlinda Gjelaj dhe të publikuara në media si RTK, TëVë1, Paparaci.com, Kosova.info etj., ishin të pasakta. Disa artikuj dhe tituj u ndryshuan pas reagimit nga UP (shih këtu).

Clickbait

Në titullin e një artikulli të publikuar nga mediumi “TV Arbëria” u pretendua se ish-deputeti Hisen Berisha ka deklaruar se ka qenë dëshmitar kur komandanti i KFOR-it kishte njoftuar ministrin e Mbrojtjes se Serbia kishte planifikuar një sulm mbi Kosovën. Ngjarja e përshkruar nga Hisen Berisha, sipas përmbajtjes së videos dhe deklaratës së tij në përmbajtje, ka ndodhur në vitet 2019/2020, kur ministër i Mbrojtjes ishte Rrustem Berisha. Pra, nuk bëhet fjalë për një zhvillim aktual, edhe pse titulli i artikullit e sugjeron një gjë të tillë (shih këtu).

Mashtrim

Qytetarëve të Kosovës u është dërguar një mesazh (SMS) që pretendon të vijë nga Posta e Kosovës, duke i njoftuar se një paketë është në depo, por nuk mund të dorëzohet për shkak të mospërputhjes së të dhënave, dhe u kërkohet të klikojnë një vegëz (link) për të plotësuar adresën. Ky mesazh është një tentativë mashtrimi (phishing scam). Mesazhi është dërguar nga një numër i Mbretërisë së Bashkuar (+44), që nuk ka lidhje me Postën e Kosovës. Vegëza është e shkurtuar dhe drejton në një faqe të rreme, e cila nuk është funksionale ose maskon qëllimin real, vjedhjen e të dhënave personale. Posta e Kosovës ka konfirmuar publikisht se nuk ka lidhje me këtë mesazh dhe ka paralajmëruar qytetarët të mos ndajnë të dhëna personale (shih këtu).

Gabim

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se importet nga Serbia janë rritur për mbi 200% në periudhën janar-maj 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ky pretendim është publikuar në artikujt e “Nacionale.com” dhe “Fokusi.info” më 16 korrik 2025. Përqindja 217% e cituar në artikuj është e pasaktë. Fillimisht, në një postim në Facebook, Hoti përmendi një rritje prej 217%, por e korrigjoi më vonë në 117%. Kjo do të thotë se mediat kanë raportuar versionin e pasaktë fillestar, pa përditësuar përmbajtjen me përqindjen e saktë që vetë Hoti e korrigjoi (shih këtu).

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere