Të fundit | Kufijtë e gazetarisë në drejtim të PR-it, influencës dhe politikës Të fundit | Roli i hiperlinkut në gazetarinë digjitale dhe mungesa e tij si faktor i ke… Të fundit | Grafiti në Zubin Potok dhe pretendimet pa prova për kërcënim ndaj serbëve s… Të fundit | Sondazh i rremë për mbështetjen e subjekteve politike në Kosovë Të fundit | Imazhi i krijuar me IA paraqitet pasaktë si dëshmi për transportimin e qenv… Të fundit | Nuk ka vendim e as datë të caktuar për zgjedhje të reja Të fundit | Raporti i FMN-së flet për parashikim, jo për rritje ekonomike aktuale Të fundit | Nuk konfirmohet gjetja e varrit masiv në Drenas dhe lidhja me arrestimin e… Të fundit | Rishikimi i javës: Keqinterpretimi i deklaratës së Lutfi Hazirit për koalic… Të fundit | Haziri nuk ka folur për koalicion LDK-VV
[ ARTIKULLI ]

Sondazh i rremë për mbështetjen e subjekteve politike në Kosovë

ETRIT REXHEPI

VERDIKTI YNË

LAJM I RREMË

Përmbajtja paraqet një sondazh të cilit i mungon burimi dhe metodologjia.

Publikohet një imazh me mbishkrimin “Del sondazhi i cili po tmerron LDK-ne dhe PDK-ne, ja cila parti nuk e kalon pragun – Albin Kurti mbi 85%”.

Kjo përmbajtje është publikuar të hënën (20 prill) në Facebook nga një faqe me emrin “Post Lajmee”.

Çka nuk shkon me përmbajtjen?

Përmbajtja paraqet një sondazh të cilit i mungon burimi dhe metodologjia.

Faqja që ka publikuar përmbajtjen ka mbi 90 mijë ndjekës dhe vepron si media lajmesh, por nuk është anëtare e Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, organit vetërregullues që mbikëqyr respektimin e Kodit të Etikës së gazetarisë nga mediat online dhe agjencitë e lajmeve në Kosovë (shih këtu).


Postimit i është bashkangjitur edhe vegëza e artikullit në hapësirën për komente (shih këtu). Artikullin ka si titull mbishkrimin e këtij postimi.

Në përmbajtjen e artikullit shkruan se sondazh përfshin rreth 2 mijë të anketuar, ku Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dominim të madh me rreth 85–86%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka rreth 8%, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) rreth 4% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) rreth 2%.

Përmbajtja e artikullit:

“Del sondazhi i cili po tmerron LDK-ne dhe PDK-ne, ja cila parti nuk e kalon pragun – Albin Kurti mbi 85%

Nëse vendi shkon në zgjedhje, ky sondazh me rreth 2 mijë votues tregon një epërsi të thellë të LVV-së me 86%. Pas saj renditet LDK me 8%, ndërsa PDK dhe AAK mbeten shumë prapa me përkatësisht 4% dhe 2%.

Rezultatet sinjalizojnë një diferencë të madhe në përkrahje dhe mund të paralajmërojnë një garë të pabarabartë në rast të zgjedhjeve të reja.”

Për të vlerësuar kredibilitetin e këtij sondazhi të pretenduar, hibrid.info ka verifikuar nëse ai përmbush standardet dhe kriteret e kërkuara për një matje të tillë të opinionit publik.

Çka janë sondazhet?

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?

Kush u intervistua?

Si u zhvillua sondazhi? 

Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?

Kur u krye sondazhi? 

Sa persona u intervistuan? 

A u peshua sondazhi? Nëse po, si?

A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 

A i plotëson ky publikim këto kritere?

Nga kriteret kryesore për vlerësimin e një sondazhi, në këtë përmbajtje mungojnë disa informata thelbësore, si: kush e ka kryer sondazhin (institucioni apo organizata), kush e ka sponsorizuar, si është përzgjedhur mostra prej “rreth 2 mijë votues”, si është zhvilluar sondazhi (p.sh. telefon, online apo intervista direkte), kur është realizuar ai, nëse janë bërë peshime statistikore, si dhe mënyra e formulimit të pyetjeve dhe nëse ato kanë qenë neutrale. E vetmja informatë që jepet është numri i përafërt i të anketuarve dhe përqindjet e rezultateve, gjë që nuk mjafton për ta vlerësuar kredibilitetin e sondazhit.


Hibrid.info gjithashtu ka bërë kërkim në motorin e kërkimit “Google” me fjalët kyçe “sondazh kosovë”, duke e kufizuar rezultatet në publikimet e shtatë ditëve të fundit (shih këtu). Rezultatet e këtij kërkimi nuk kanë shfaqur asnjë artikull kredibil që do të konfirmonte ekzistencën të këtij apo ndonjë tjetër sondazhi të pretenduar.


Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtuar më 28 dhjetor të vitit 2025, LVV mori 51.10%, PDK 20.19%, LDK kishte 13.24% dhe AAK 5.50% (shih këtu).

Analiza:

Është publikuar një përmbajtje që pretendon se paraqet rezultatet e një sondazhi për mbështetjen e subjekteve politike në Kosovë, me epërsi të madhe të një partie.

Mirëpo, në bazë të verifikimit nga Hibrid.info, rezulton se ky sondazh nuk është i besueshëm, pasi mungojnë të dhëna kyçe si burimi, institucioni realizues dhe metodologjia e përdorur, çka e bën atë të paverifikueshëm dhe të dyshimtë.

Hibrid.info gjithashtu nuk ka gjetur asnjë burim kredibil që do të konfirmonte ekzistencën e këtij sondazhi të pretenduar.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere