Në epokën e inteligjencës artificiale, prodhimi i përmbajtjes digjitale është bërë më i shpejtë, më i lirë dhe më i pakontrolluar se kurrë më parë. Një nga pasojat më të dukshme të këtij transformimi është fenomeni i quajtur AI slop, përmbajtje e gjeneruar ose e manipuluar me cilësi të ulët, e krijuar për të tërhequr vëmendje dhe për t’u shpërndarë masivisht, pa u shqetësuar për saktësinë apo kontekstin. Kur kjo lloj përmbajtjeje depërton në sferën politike, ajo nuk mbetet thjesht “rrëmujë digjitale”, por kthehet në instrument ndikimi. Në këtë pikë lind slopaganda: bashkimi i gjenerimit të AI slop me propagandën e qëllimshme, që relativizon debatin, banalizon çështjet publike dhe manipulon perceptimin e qytetarëve.
Ky fenomen po transformon ekosistemin informativ global. Përmbajtja e gjeneruar masivisht nga AI jo vetëm që konkurron me materialet autentike, por shpesh i mbivendos ato nëpërmjet algoritmeve që privilegjojnë angazhimin mbi cilësinë. Rezultati është një realitet i turbullt, ku kufiri mes faktit dhe fabrikimit bëhet gjithnjë e më i paqartë, ndërsa përdoruesi zhytet në një rrjedhë të pafund imazhesh, videosh dhe narrativash të de-kontekstualizuara dhe me konotacion banal.
Fenomeni është trajtuar gjerësisht në raportime ndërkombëtare, ku është konstatuar se një përqindje e konsiderueshme e përmbajtjeve që algoritmet e YouTube ua rekomandojnë përdoruesve të rinj përbëhen nga video të tipit AI slop, të prodhuara për të nxitur klikime dhe për të gjeneruar të ardhura. Në SHBA, gjatë administratës së Donald Trump, imazhe të manipuluara të publikuara nga llogari zyrtare, ku ai paraqitej si mbret, si papë apo si personazh fantazie, u cilësuan nga disa akademikë si “slopagandë”, pra propagandë institucionale e prodhuar me inteligjencë artificiale për të kolonizuar vëmendjen publike. Në një artikull të saj, revista Wired shkoi edhe më tej, duke e përshkruar me titullin provokues: “Donald Trump Is the First AI Slop President”.
Siç argumenton opinionistja e The Guardian, Nesrine Malik, ky ekosistem pervers informativ jo vetëm që e mjegullon realitetin, por edhe e shtrembëron atë: edhe kur jemi të vetëdijshëm se një imazh është i rremë, ai vazhdon të ndikojë në perceptimin tonë. Në këtë mënyrë, slopaganda nuk përbën thjesht një mbingarkesë vizuale, por një mekanizëm të ri të formësimit të bindjeve, ku propaganda nuk imponon domosdoshmërisht një “të vërtetë” alternative, por e tret vetë nocionin e së vërtetës.
Në sferën digjitale shqipfolëse, sidomos në kontekstin e zhvillimeve politike në Kosovë, AI slop po merr një trajtë të qartë përmbajtësore: fabrikim imazhesh, montim videosh, manipulim zëri dhe prodhim narrativash sensacionale që synojnë goditjen e figurave publike në momente kyçe politike. Nuk kemi të bëjmë vetëm me përmbajtje të manipuluar me cilësi të ulët, por me një ekosistem të qëllimshëm materialesh të prodhuara shpejt, me kosto të ulët dhe të dizajnuara për t’u bërë virale, të cilat shfrytëzojnë teknologjinë për të prodhuar tronditje emocionale dhe polarizim politik e shoqëror. Kjo është slopaganda në variantin lokal: propagandë e gjeneruar përmes inteligjencës artificiale, me estetikë të degraduar, e shpërndarë në platforma si Facebook apo TikTok nga faqe dhe llogari me orientime të caktuara politike.
Kështu, fenomeni nuk mbetet thjesht global, por është materializuar qartë edhe në hapësirën digjitale shqiptare dhe kosovare, ku politika po shndërrohet në terren të favorshëm për slopagandën. Në rrjetet sociale qarkullojnë video të manipuluara që paraqesin kinse përplasje fizike mes debatuesve në studio televizive, tensione të stisura apo reagime dramatike që në realitet nuk kanë ndodhur. Paralelisht, shpërndahen pamje të fabrikuara ku politikanë shfaqen duke vallëzuar në mënyrë qesharake, duke kënduar apo duke u sjellë në mënyrë të papërshtatshme, përmes montazheve të thjeshta ose gjenerimeve me inteligjencë artificiale. Qëllimi nuk është informimi i publikut, por prodhimi i talljes dhe diskreditimit, si dhe zhvendosja e debatit nga çështjet thelbësore drejt spektaklit digjital, duke e banalizuar politikën dhe duke e reduktuar figurën publike në objekt meme-je.
Slopaganda po e dëmton sferën informative digjitale në shumë nivele: së pari, po minon besimin në informacionin vizual si dëshmi, sepse kur çdo video mund të jetë e montuar dhe çdo fotografi e gjeneruar, edhe materialet autentike bien nën hijen e dyshimit. Së dyti, po degradon debatin politik, duke e zhvendosur nga argumenti tek spektakli digjital. Së treti, po krijon një publik të lodhur dhe të mpirë, i cili përballet me një rrjedhë të pafund përmbajtjesh sensacionale dhe ka gjithnjë e më të vështirë të dallojë thelbësoren nga artificialja. Në tërësi, slopaganda nuk është thjesht një fenomen teknologjik, por një problem kulturor dhe demokratik: ajo e shndërron politikën në meme, diskreditimin në argëtim dhe manipulimin në strategji komunikimi. Pa mekanizma më të fortë verifikimi, qasje kritike dhe edukim medial, rrezikojmë që sfera jonë digjitale, konkretisht ajo në media sociale, të mbetet një arenë simulimesh, ku propaganda e prodhuar me AI konkurron seriozisht me realitetin, dhe shpesh fiton betejën për vëmendjen.