Të fundit | Radojçiq nuk tha se Thaçi dhe Haradinaj i premtuan “kulla e qytete” Të fundit | Përdorimi i imazheve me IA për të paraqitur ngjarje reale dhe dilemat etike… Të fundit | Me anë të një balline gazete të gjeneruar nga IA, pretendohet rrejshëm se A… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish…
[ ARTIKULLI ]

Përdorimi i imazheve me IA për të paraqitur ngjarje reale dhe dilemat etike në media

FESTIM RIZANAJ

Përdorimi i imazheve të gjeneruara me inteligjencë artificiale (IA) në raportimet mediatike po shton dilema serioze mbi transparencën dhe etikën gazetareske. Një rast i tillë është evidentuar në një artikull të publikuar më 25 prill nga gazeta Demos, me titull: “Ekskluzive: PAMJE | Glauk Konjufca takohet me Enver Hoxhaj e PDK-së në një kafe në Prishtinë, pak orë pasi Kurti bëri ofertë për President”.

Në ballinën e këtij artikulli është përdorur një fotografi ku shihen Konjufca dhe Hoxhaj duke pirë kafe, e cila rezulton të jetë e gjeneruar me inteligjencë artificiale. Edhe pse brenda artikullit imazhi është etiketuar si “fotografi ilustruese”, mënyra se si është prezantuar në rrjetet sociale, veçanërisht në “Facebook”, krijon përshtypjen se bëhet fjalë për një pamje autentike dhe ekskluzive nga takimi real, pra nga vendi i ngjarjes.

Kjo diskrepancë ndërmjet etiketimit formal dhe paraqitjes vizuale për publikun mund të konsiderohet problematik, pasi shfrytëzon besimin e audiencës për të rritur interesin dhe klikimet, duke rrezikuar keqinformimin.

Në të njëjtin artikull, pas klikimit, paraqitet një fotografi tjetër që pretendohet të jetë nga takimi i përmendur, ndërsa imazhi i parë, ai i gjeneruar me IA, mbetet si pamje kryesore në ballinë. Ky përdorim selektiv i përmbajtjes vizuale e përforcon perceptimin e gabuar tek lexuesit që nuk e hapin artikullin për ta verifikuar më tej.

Një rast i ngjashëm është vërejtur edhe në një publikim të KosovaPress më 27 prill, me titullin: “Presidentja Hoxha në autobus – ‘lajmërohet më vonë’”. Në këtë rast, si imazh ilustrues është përdorur një fotografi e Hatixhe Hoxhës, ku në prapavijë paraqitet brendia e një autobusi. Edhe pse si ilustrim, përdorimi i një figure reale në një kontekst të tillë mund të krijojë konfuzion dhe të krijojë perceptimin e fotografisë reale nga vendi i ngjarjes.

Dilemat etike dhe udhëzimet e mediave ndërkombëtare

Sipas Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), përdorimi i inteligjencës artificiale në media është i lejuar, por kërkon transparencë të qartë dhe përgjegjësi të plotë editoriale. Edhe kur një imazh etiketohet si “ilustrues”, ai nuk duhet të krijojë përshtypjen e një ngjarjeje reale, pasi informimi duhet të jetë jo vetëm formal, por edhe i kuptueshëm për publikun, në mënyrë që të shmanget keqinterpretimi.

Në rastet kur imazhet e gjeneruara me IA përdoren për të paraqitur ngjarje të ndodhura, duke simuluar realitetin, kjo bie ndesh me parimet etike për mos-mashtrim dhe saktësi. KMShK thekson se përgjegjësia për përmbajtjen mbetet tek media dhe çdo përdorim që mund të çojë në keqinformim vizual konsiderohet praktikë problematike, pavarësisht nëse është shënuar teknikisht si ilustrim.

Udhëzimet ndërkombëtare për përdorimin e IA në gazetari, të hartuara nga media si BBC, Reuters, The New York Times apo Reporters Without Borders, konvergojnë në disa parime themelore etike: transparencë, përgjegjësi njerëzore dhe verifikim i përmbajtjes. Në thelb, ato theksojnë se IA duhet të përdoret vetëm si mjet ndihmës dhe jo si zëvendësim i gazetarisë, ndërsa çdo përmbajtje e gjeneruar duhet të mbikëqyret nga redaktorë dhe të shoqërohet me sqarime të qarta për publikun.

Një theks i veçantë vendoset te përdorimi i imazheve të gjeneruara: shumica e udhëzimeve (si USA Today apo Agencia EFE) ndalojnë përdorimin e tyre për të ilustruar lajme aktuale ose kërkojnë etiketim shumë të qartë për të shmangur konfuzionin me realitetin. Parimi i përgjithshëm është se çdo përdorim i IA që mund të mashtrojë publikun, të shtrembërojë faktet apo të krijojë përshtypje të rreme për ngjarje reale konsiderohet shkelje etike, duke e vendosur sërish në qendër rolin e gazetarit si garantues i së vërtetës.

Udhëzimet ndërkombëtare të mediave lidhur me përdorimin e imazheve të gjeneruara me inteligjencë artificiale tregojnë një qëndrim të qartë: ato nuk duhet të përdoren në mënyrë që të ngatërrohen me realitetin.

Gazeta USA Today thekson se “imazhet sintetike nuk duhet të përdoren kurrë për të ilustruar lajme të fundit” dhe se ato “duhet të etiketohen qartë për të shmangur çdo dyshim se paraqesin ngjarje reale”.

Në të njëjtën linjë, Heidi News thekson se nuk do të publikojë imazhe sintetike “që mund të ngatërrohen me fotografi reale”.

Ndërkaq, Agency EFE mban një qëndrim edhe më të prerë, duke theksuar se: “nuk do të përdorë imazhe të gjeneruara me IA për të ilustruar lajme aktuale”. Sipas këtij udhëzimi, këto imazhe lejohen vetëm në raste specifike, si për ilustrimin e zbulimeve që nuk mund të fotografohen – për shembull, rikonstruktimi i një kafshe nga fosilet ose pamje të hapësirës nga vende të paarritshme. Në çdo rast, “natyra e tyre duhet të tregohet qartë dhe pa asnjë mëdyshje në përshkrim apo në tekstin shoqërues të videos”.

Po ashtu, El País paralajmëron se duhet shmangur çdo përdorim i IA “që mund të ngatërrohet me realitetin, të mashtrojë apo të përhapë dezinformim”. BBC kërkon që përdorimi i IA “të mos shtrembërojë kuptimin e informacionit” dhe që publiku të informohet qartë për mënyrën dhe arsyen e përdorimit të saj. Ndërkohë, Reporters Without Borders thekson se mediat duhet të ndihmojnë publikun me etiketim të qartë dhe kufizime për të shmangur ngatërrimin me ngjarje reale, ndërsa The Guardian vendos si parim transparencën dhe përdorimin vetëm në shërbim të interesit të publikut. Në thelb, këto standarde e konsiderojnë çdo përdorim të imazheve me IA që krijon iluzion të realitetit si problem serioz etik dhe rrezik për keqinformim.

Fotografia si burim i informacionit

Në literaturën bazë të gazetarisë, fotografia trajtohet qartë si burim informacioni dhe element thelbësor i lajmit, jo thjesht si ilustrim vizual. Për shembull, në librin “The Elements of Journalism” të Bill Kovach dhe Tom Rosenstiel theksohet parimi se gazetaria ka detyrim “të tregojë të vërtetën” dhe të verifikojë informacionin, çka përfshin edhe materialet vizuale si fotografitë, të cilat konsiderohen pjesë e evidencës informative që i paraqitet publikut.

Një referencë tjetër për rolin e fotografisë është libri “Photojournalism: The Professionals’ Approach” i Kenneth Kobre, ku theksohet se fotografia në gazetari “nuk është vetëm ilustrim, por një formë raportimi që transmeton informacion dhe dokumenton realitetin”. Pra, në bazat e gazetarisë, fotografia konsiderohet dëshmi vizuale që kontribuon në ndërtimin e lajmit dhe në besueshmërinë e tij.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere