Të fundit | Sondazhi i rremë paraqitet si i realizuar nga një televizion Të fundit | Vazhdon publikimi i videove të gjeneruara me IA lidhur me zgjedhjet Të fundit | Kurti nuk tha se studentët shqiptarë gabuan që protestuan në Shkup dhe se M… Të fundit | Dëmtimi i një ambulance serbe në një fshat të Vushtrri paraqitet pa prova s… Të fundit | Postimet nuk sqarojnë se rritja e çmimit të bukës ka ndodhur në Maqedoninë… Të fundit | Spiropali nuk ka thënë se Vjosa Osmani, krerë të PDK-së dhe Baton Haxhiu ja… Të fundit | Pretendim i rremë se janë konfirmuar rastet e para të hantavirusit në Kosov… Të fundit | Si ndikojnë influencuesit politikë në zgjedhje? Të fundit | Video të gjeneruara me IA të ndërlidhura me zgjedhjet po qarkullojnë në med… Të fundit | Sondazh i rremë në emër të një kolegji universitar
[ ARTIKULLI ]

Pretendim i rremë se janë konfirmuar rastet e para të hantavirusit në Kosovë

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

LAJM I RREMË

Nuk ka konfirmim zyrtar për rastet e para me hantavirus në Kosovë. IKSHPK s’ka njoftuar raste të reja.

Përmes postimeve të publikuara në TikTok, pretendohet se “Hantavirusi ka mbërritur në Kosovë” dhe se autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar rastet e para të këtij virusi në vend (shih këtu dhe këtu).

Këto postime gjithashtu i atribuojnë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) një deklaratë se “po merren masat e nevojshme për kontroll dhe parandalim”.

E vërteta?

Pas verifikimi të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i rremë.


FAKTET

Hibrid.info ka kontrolluar faqen zyrtare në Facebook të IKSHPK-së lidhur me këtë pretendim, por nuk ka gjetur asnjë njoftim apo deklaratë zyrtare që konfirmon rastet e para të hantavirusit në Kosovë, siç pretendohet në postimet e publikuara në TikTok (shih këtu).

IKSHPK më 8 maj, përmes një njoftimi në Facebook, ka sqaruar se ethet hemorragjike me sindromë veshkore (EHSV), të shkaktuara nga hantaviruset, nuk paraqesin një sëmundje të re në Kosovë. Sipas IKSHPK-së, numri i rasteve të raportuara ndër vite ka mbetur i ulët dhe stabil.

“Gjatë periudhës 2021–2025 janë raportuar gjithsej tetë raste, sipas viteve: dy raste në vitin 2021, një rast në vitin 2022, me nga dy raste në vitin 2023 dhe 2024 dhe një rast në vitin 2025. Këto të dhëna tregojnë një prevalencë të ulët të sëmundjes në vend”, thuhet tutje në njoftimin e IKSHPK-së.

Pra, nga IKSHPK nuk ka asnjë njoftim për raste të reja me këtë infeksion dhe as deklaratë se “po merren masat e nevojshme për kontroll dhe parandalim”, siç pretendohet në postimet në Tikok.


Në postimet e publikuara në TikTok vërehet se është përdorur emri i televizionit Klan Kosova. Megjithatë, pas verifikimit në ueb-faqen zyrtare të portalit “klankosova.tv” nuk është gjetur asnjë artikull që raporton se “Hantavirus ka mbërritur në Kosovë” (shih këtu).

Kjo tregon se emri i këtij mediumi është keqpërdorur në përmbajtjet e shpërndara në TikTok, duke krijuar përshtypjen e rreme se Klan Kosova ka raportuar për raste të konfirmuara të këtij virusi në vend.


Çka është hantavirusi?

IKSHPK sqaron se hantaviruset janë viruse që transmetohen nga brejtësit te njerëzit. Infeksioni ndodh kryesisht përmes thithjes së grimcave të kontaminuara nga urina, fekalet ose pështyma e brejtësve të infektuar. Në Evropë, sëmundja më së shpeshti paraqitet si ethe hemorragjike me sindromë veshkore (EHSV).

Periudha e inkubacionit zakonisht është rreth dy javë, por mund të zgjasë nga 7 ditë deri në 6 javë. Simptomat mund të jenë të lehta ose të rënda dhe përfshijnë temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh, probleme gastrointestinale dhe në raste të rënda dëmtim të veshkave ose probleme respiratore.

Mënyra e transmetimit

Brejtësit e infektuar lirojnë virusin përmes urinës, fekaleve dhe pështymës. Njerëzit infektohen kryesisht gjatë kontaktit me ambientet ose materialet e kontaminuara. Hantavirusët që qarkullojnë në Evropë nuk transmetohen nga personi në person dhe nuk barten nga insektet. Transmetimi ndërmjet njerëzve është dokumentuar vetëm për virusin “Andes” (ANDV) në disa zona të Amerikës Jugore.

Kush është më i rrezikuar?

Rrezik më të lartë ekspozimi kanë:

  • punonjësit e pyjeve,
  • fermerët,
  • personat që punojnë ose qëndrojnë në ambiente ku ka prani të brejtësve.

Trajtimi dhe vaksina

Aktualisht nuk ekziston vaksinë e licencuar kundër hantavirusit në Evropë dhe nuk ka trajtim specifik antiviral. Kujdesi mbështetës dhe trajtimi simptomatik janë shumë të rëndësishme për menaxhimin e sëmundjes.

Masa parandaluese

Për të zvogëluar rrezikun e infektimit rekomandohet:

  • shmangia e kontaktit me brejtësit dhe mbetjet e tyre;
  • mirëmbajtja dhe pastrimi i rregullt i hapësirave të banimit dhe punës;
  • ventilimi i ambienteve të mbyllura para pastrimit;
  • përdorimi i maskës dhe dorezave gjatë pastrimit të vendeve ku mund të ketë brejtës.

Analiza

Përmes postimeve në TikTok pretendohet se “Hantavirusi ka mbërritur në Kosovë” dhe se janë konfirmuar rastet e para të këtij virusi, duke i atribuuar edhe një deklaratë IKSHPK-së për masa parandaluese.

Megjithatë, pas verifikimit të fakteve u vërtetua se ky pretendim është i pavërtetë. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga IKSHPK që konfirmon raste të reja të hantavirusit në Kosovë.

Po ashtu, përmbajtjet në TikTok kanë keqpërdorur edhe emrin e televizionit Klan Kosova, pasi në ueb-faqen e këtij mediumi nuk gjendet asnjë artikull që raporton për ardhjen e këtij virusi në vend.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere