info@hibrid.info
Pretendim pa fakte për fitoren e Përparim Ramës në balotazh me matje të pakonfirmuara
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një fotografi ku shihen pranë njëri tjetrit Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Përparim Rama, kryetar i Prishtinës dhe kandidat edhe për një mandat, me mbishkrimin “Sipas matjeve të fundit LDK e Përparim Rama Pritet të fitoj bindëshem në Prishtinë me mbi 60% te votave!

Kjo përmbajtje është publikuar të shtunën (1 nëntor) nga faqja me emrin “Kosova e Re”.

E vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se pretendimi për rezultatet e paraqitura nuk konfirmohet.

Deri në momentin e trajtimit, postimi ka marrë mbi 220 pëlqime dhe mbi 50 komente. Faqja që ka publikuar këtë fotografi, ka mbi 50 mijë ndjekës.


Në mbishkrim të përmbajtjes mungojnë informacionet si emri i kompanisë apo organizatës që mund të ketë realizuar matjet, si dhe metodologjia.

Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google” për këtë pretendim, por rezultatet nga kërkimi nuk kanë shfaqur asnjë artikull nga ndonjë burim kredibil, me anë të të cilit do të mund konfirmohej pretendimi (shih këtu).

Çka janë sondazhet

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?

Kush u intervistua?

Si u zhvillua sondazhi? 

Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?

Kur u krye sondazhi? 

Sa persona u intervistuan? 

A u peshua sondazhi? Nëse po, si?

A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 


Më 12 tetor janë mbajtur zgjedhjet lokale. Zgjedhje lokale janë zgjedhjet e Kuvendeve të Komunave dhe Kryetarëve të Komunave. Kosova ka 38 komuna ndërsa në këto zgjedhje secila komunë konsiderohet zonë në vete zgjedhore.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025 në Prishtinë, asnjë kandidat nuk arriti të marrë mbi 50 % të votave, me garën e cila shkoi në balotazh (shih këtu).

Përparim Rama, i cili kandidoi për herën e dytë për të parin e Prishtinës nga radhët e LDK-së, udhëhoqi me rreth 33.71% të votave në Prishtinë. Ai u pasua nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeko, i cili kishte 33.21% të votave. Këta të dy do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që pritet të mbahen të dielën, më 9 nëntor.


Prej 13 shtatorit deri më 12 tetor, në ditën e zgjedhjeve lokale në Kosovë, janë identifikuar 28 pretendime të rreme se kinse paraqesin matje të opinionit publik në formë sondazhesh apo exit-polleve. 26 u paraqitën kinse janë sondazhe e dy në ditën e zgjedhjeve u publikuan me pretendimin se bëhet fjalë për exit-polle (shih këtu).

Përveç exit‑poll-eve të publikuara në ditën e zgjedhjeve, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë sondazh të besueshëm të opinionit publik që të tregojë mbështetjen për kandidatët për kryetar të komunave në Kosovë gjatë periudhës së përmendur më lart (shih këtu).

Analiza:

Pretendimi se LDK dhe Përparim Rama pritet të fitojnë në Prishtinë me mbi 60% të votave, mbetet i pakonfirmuar.

Në mbishkrimin e publikimit të faqes “Kosova e Re” nuk jepen informacionet për kompaninë ose organizatën që ka kryer sondazhin, apo metodologjinë e përdorur.

Gjithashtu, nuk ekziston asnjë burim kredibil që do të verifikonte rezultatetin e pretenduar.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others