Nëpërmjet një publikimi në Facebook është pretenduar për publikimin e një sondazhi politik për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Publikimi i llogarisë “Duli Sadiku” pretendon se sondazhi është bërë publik nga “instituti francez CMC”. Në imazh shfaqen akronimet e pesë partive shqiptare dhe fotografitë e udhëheqësve të katër partive më të mëdha. Publikimi përmban edhe fjalë në gjuhën frënge.
Sipas grafikut të paraqitur aty, në matjen e pretenduar Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka marrë 61.7%, ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 15.9%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 12%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 3.7%, Partia Socialdemokrate me 2.1% dhe të tjerët me 4.6%.

Çka nuk shkon me publikimin?
Përmbajtja nuk është e mbështetur në publikim real. Një kërkim në “Google” me fjalët “sondazh për zgjedhjet e 7 qershorit” nuk çon në publikim kredibil me përqindje të tilla si në imazhin në fjalë. Për më shumë, nëse kërkohet me fjalët “Instituti francez CMC” nuk rezulton të gjendet ndonjë institucion kredibil francez me këtë emër e që merret me matje të opinioneve publike.
As imazhi nuk e përmban ndonjë logo për të identifikuar se cili institut e ka realizuar sondazhin e pretenduar.
Edhe kërkimi me fjalët “sondazh i realizuar nga CMC” nuk rezulton në ndonjë artikull të publikuesve kredibilë.
Po ashtu, platforma për verifikim të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale, “hivemoderation” e ka vlerësuar imazhin si përmbajtje me IA.

Për më shumë, publikimi nuk i përmbush kriteret e kërkuara që diçka të cilësohet si sondazh apo matje kredibile e opinionit.
Çka janë sondazhet?
Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.
Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.
Prandaj, lexuesi që has në një përmbajtje të tillë, për ta verifikuar atë nëse është sondazh kredibil apo jo, duhet të kontrollojë:
Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?
Kush u intervistua?
Si u zhvillua sondazhi?
Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?
Kur u krye sondazhi?
Sa persona u intervistuan?
A u peshua sondazhi? Nëse po, si?
A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta?
Çështja e sondazheve të rreme është aktive në disa palë zgjedhjesh vjetëve të fundit. Ato qarkullojnë kryesisht në media sociale, teksa tërheqin audiencë të konsiderueshme (shih këtu).
Publikimi me pretendim të njëjtë u has edhe në faqen “speciale.com” në Facebook.
Të dyja publikimet kanë gjeneruar mijëra pëlqime e qindra komente.
Analiza
Publikimi që pretendon se “instituti francez CMC” ka publikuar sondazh për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, është i rremë.
Nuk ekziston institut kredibil francez me këtë emër e që merret me sondazhe apo matje të opinionit publik.
Për më shumë publikimi nuk ka ofruar asnjë detaj që përmbush kriteret për sondazh dhe imazhi është vlerësuar si përmbajtje e gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Bazuar në metodologjinë e vlerësimit, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen në fjalë si “lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.