Disa media online në Kosovë kanë raportuar lidhur me takimin që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte mbajtur me kryetarin e komunës “Aerodrom” (Aeroportit) të Shkupit, Timco Muncunski.
Njoftimin për këtë takim e bëri i pari i Prishtinës, Përparim Rama në rrjetin social Facebook, ku tha se është takuar me kryetarin e Komunës së Aeroportit të Shkupit, me të cilin kishin biseduar për sektorë të ndryshëm potencial për bashkpunim ndërkufitar.
Megjithatë, këtë njoftim të Ramës, disa media online e kanë quajtur si “huqje” duke pretenduar se ai ia ka shtuar Maqedonisë së Veriut komunën e “Aeroportit të Shkupit”.
Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinave online të kërkimit, dhe nga ku shihet qartë se komuna e Aroportit në Shkup, apo në maqedonisht “Komuna Aerodrom”, ekziston.
Vegëzat e artikullit të publikuar në portalet si “KlanKosova.tv”, “Kosovapost.net”, “Arbresh.info” dhe “Gazetainfokus.com”:
Sipas të dhënave të disponueshme në Internet, shihet se qyteti i Shkupit, duke qenë më i madhi në Maqedoninë e Veriut e njëkohësisht edhe kryeqytet, gëzon një status të veçantë, të garantuar me ligj, në raport me komunat tjera. Që nga viti 2004, me ligjin e ri, administrimi i Shkupit është bërë më ndryshe, duke u ndarë në 10 komuna të cilat kanë një këshill dhe një kryetar komune, si të gjitha komunat e vendit, e njëra ndër to është edhe Komuna e Aeroportit, që në gjuhën maqedonase quhet “Komuna Aerodrom”.
Pra, Rama shihet se nuk ia ka “huqur” emërtimit të kësaj komune, por vetëm e ka quajtur atë në gjuhën shqipe.
Më poshtë mund të gjeni vegëzen e “Wikipedia” që tregon se kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi përbëhet nga 10 komuna:
Pjesë nga Wikipedia e përkthyer në gjuhën shqipe:
Duke qenë kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Maqedonisë së Veriut, Shkupi gëzon një status të veçantë të dhënë me ligj. Rishikimi i fundit i statusit të tij është bërë në vitin 2004. Që atëherë, Qyteti i Shkupit është ndarë në 10 komuna të cilat kanë një këshill dhe një kryetar komune, si të gjitha komunat e vendit. Komunat merren vetëm me çështjet specifike të territorit të tyre, dhe Qyteti i Shkupit merret me çështjet që kanë të bëjnë me të gjitha ato, ose që nuk mund të ndahen në dy ose më shumë komuna.
Gjithashtu, në Wikipedia tregon se Komuna e quajtur si komuna e “Aerodrom-it” në Shkup, quhet ndryshe edhe si komuna e “Aeroport”, pasi që e njëjta gjendet pranë aeroportit të këtij qyteti. (shih këtu)
Analiza:
Disa media online në Kosovë e kanë quajtur si “huqje” nga ana e kryetarit të Prishtinës emërtimin e Komunës Aerodrom në Shkup, i cili e ka quajtur Komuna e Aeroportit të Shkupit.
Por, këto media kanë shtrembëruar faktet në artikullin e publikuar nga ana e tyre, duke pretenduar se nuk ekziston një komunë e tillë në Maqedoni të Veriut. Por, duke anashkaluar aspektin gjuhësor.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e publikuar nga këto media si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.