Mediumi nga Shqipëria, Top Channel, ka publikuar një artikull duke pretenduar se ministri britanik i Forcave të Armatosura, James Heappey, është shprehur i gatshëm t’i dërgojë trupat ushtarake në Ukrainë, në rast se vërtetohet që rusët kanë përdorur armë kimike.
Por, pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, ky pretendim i këtij mediumi rezulton të jetë i pa saktë. Pra ministri britanik Heappey nuk ka thënë se do të nisin trupat për në Ukrainë. Në fakt, ky zyrtarë i lartë britanik ka thënë se do t’i shqyrtojnë të gjitha opsionet sa i përket përgjigjes së Perëndimit, në rast se vërtetohet përdorimi i armëve kimike.
Ai gjatë një interviste dhënë për mediumin Sky News është shprehur:
“Ka raporte për përdorimin e armëve kimike, ne nuk kemi qenë në gjendje t’i verifikojmë ato vetë. Por le të jemi të qartë – nëse ato përdoren, atëherë presidenti rus Vladimir Putin duhet të dijë se të gjitha opsionet e mundshme janë në tryezë për sa i përket mënyrës sesi Perëndimi mund të përgjigjet”.
Vegëza e artikullit të publikuar në “TopChannel.tv”:
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikullin autentik me intervistën e ministrit Heappey dhënë për mediumin britanik “SkyNews”. (shih këtu)
Analiza:
“TopChannel.tv” ka publikuar një artikull me deklaratën e ministrit britanik, i cili ka thënë se nëse Rusia përdor armë kimike në Ukrainë, atëherë të gjitha opsionet e mundshme janë në tavolinë për sa i përket një kundërpërgjigje nga ana e Perëndimit.
Por, ky medium në këtë artikull ka përdorur titull të pasaktë, duke pretenduar se ministri britanik ka thënë se “nëse rusët kanë përdorur armë kimike, nisim trupat!”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull të “Top Channel” si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.